E shtunë, 12 Tetor, 2024

Turqia nuk do të lejojë kalimin e migrantëve nëpër Detin Egje

Turqia nuk do të lejojë kalimin e migrantëve për në Greqi përmes detit Egje, për shkak të pasigurisë, ka njoftuar roja bregdetare, raporton BBC.

Urdhëri i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan vjen një javë pas deklaratave se do t’i hap dyert për refugjatët që të kalojnë në Evropë, për shkak të tensioneve të konfliktit për Sirinë.

Turqia javën e kaluar i ka hapur kufijtë drejt Evropës, duke thënë se nuk mund të zbatojë më një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në për të parandaluar hyrjen e migrantëve në Evropë.

Bashkimi Evropian ka akuzuar Erdoganin për shfrytëzim të migrantëve për qëllime politike dhe ka insistuar në mbylljen e kufijve, derisa tensionet janë rritur sërish.

Të shtunën, autoritetet greke, kanë hedhur gaz lotsjellës ndaj migrantëve në kufi, të cilët kanë brohoritur “Hapni dyert”. Autoritetet greke kanë akuzuar edhe policinë e Turqisë për hedhje të gazit lotsjellës ndaj policisë greke.

Turqia tashmë strehon mbi 3.7 milionë refugjatë sirianë dhe emigrantë nga vendet tjera të Lindjes së Mesme.

Në javët e fundit edhe gati 1 milion sirianë i janë afruar kufirit turk nga provinca Idlib e Sirisë për shkak të luftimeve të ashpra atje në mes të rebelëve anti-qeveritarë që mbështeten nga Turqia dhe forcave qeveritare siriane nga Rusia.

Të fundit