E premte, 4 Tetor, 2024

Kuvendi vendos për adresimin e Thaçit pas 9 marsit, presidenti thërret konferencë për media

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për mbajtje të një seance do ta trajtojë pas 9 marsit.

Osmani e ka arsyetuar këtë vendim, duke përmendur përfshirjen e deputetëve në aktivitetet e organizuara për ndër të Epopesë së Ushtrisë Çlirimatare të Kosovës më 5,6 dhe 7 mars, si dhe praktikën për paralajmërim të seancës disa ditë më herët.

“Ju njoftoj se në përputhje me praktikat e mëhershme, të ndërtuara tashmë nga Presidentët që kanë shërbyer para jush, kërkesa për t’iu adresuar Kuvendit duhet të dërgohet disa ditë më herët, në mënyrë që Kuvendi të ketë kohë për ta organizuar seancën”, është thënë në përgjigjjen e Osmanit drejtuar Thaçit.

Ndërkohë presidenti i Kosovës, i cili kishte kërkuar që seanca të zhvillohej të mërkurën në orën 16:00, ka njoftuar mediat se do të mbajë konferencë për media në objektin e presidencës në kohën kur kishte kërkuar të mbahej senaca.

Thaçi ka thënë gjatë ditës për mediat në Prishtinë se do të thërrasë të gjithë liderët e partive politike në takim, për t’i informuar për takimin e tij në Uashington me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kujtojmë se presidenti Thaçi është takuar me homologun e tij Vuçiq të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

Pas takimit, Thaçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në takim me zyrtarë të lartë amerikanë është diskutuar mundësia e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka filluar më 2011.

Ky proces është ndërprerë që nga vendimi i autoriteteve të Kosovës për vendosje të tarifave 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, në nëntor të vitit 2018.

Të fundit