Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka nisur letra presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për t’i njohur me prioritetet e Qeverisë së re të Kosovës.
Në të dyja letrat, Kurti ka thënë se qeveria që ai drejton është e fokusuar në zhvillim ekonomik, me qëllim të hapjes së vendeve të reja të punës dhe luftim të pa kompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër Kurti ka përmendur edhe rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se negociatat duhet të vazhdojnë.
“Arritja e një marrëveshjeje politike mes dy shteteve tona do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE dhe si mjet për arritjen e paqes afatgjate dhe stabilitetit në rajon”, është mes tjerash në letra.
Përveç kësaj, kur ka folur për dialogun me Serbinë dhe është zotuar se do t’i japë fund mungesës së koordinimit që sipas tij ka ekzistuar mes përfaqësuesve të Kosovës, duke shtuar se vetë kryeministri tani do të ketë përgjegjësi për përfaqësim të shtetit në nivelin më të lartë diplomatik. Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti ka informuar zyrtarët evropianë se që nga 15 marsi do të heqë taksën 100 për qind në lëndën e parë që vjen nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina në Kosovë.
“Kjo është shenjë e vullnetit të mirë diplomatik dhe e angazhimit tonë për rifillimin e dialogut me Serbinë. Shpresojmë që Serbia t’i përgjigjet në mënyrë reciproke këtij vendimi; ne presim që ajo t’i heqë të gjitha barrierat e mbetura jo tarifore për tregti me Kosovën, si dhe t’i jap fund fushatës së saj të çnjohjeve kundër Kosovës”, ka shkruar Kurti./TCH