E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

SHOQËRIA CIVILE, KRYESHTYLLË E BASHKËPUNIMEVE RAJONALE

Në Tiranë është mbajtur Samiti i parë shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Një horizont i ri bashkëpunimesh rajonale dhe një mundësi për të shikuar përtej mureve ndarëse. Shoqëria civile mbetet themel i promovimit të vlerave europiane dhe i vendosjes së koordinatave integruese të promovuara edhe nëpërmjet Procesit të Berlinit. 

Autor: Bardhyl Zaimi

Gjithnjë e më tepër vendet e Ballkanit Perëndimor po e zgjerojnë bashkëpunimin mes tyre dhe po i japin një shtysë tjetër idesë për të qenë në korrelacion të plotë me vlerat europiane. Ngadalë, por sigurtë, vendet e rajonit po e ridimensionojnë predispozitën e tyre për të qenë pjesë e pandashme e BE-së. Në funksion të një bashkëpunimi përmbajtësor jashtë klisheve historike dhe politike ka qenë edhe organizimi i samitit të parë të shoqërisë civile në Tiranë nga Fondi i Ballkanit Perëndimor, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në rrugën e forcimit të bashkëpunimit rajonal shoqëria civile mbetet një faktor fundamental. Ky ka qenë mesazhi kryesor i shpërndarë nga ky samit i organizuar në Tiranë, që për tre ditë me radhë i dha debatin e nevojshëm shoqërisë civile, i dha energjinë e re për të alternuar idenë e fisme të bashkëpunimit rajonal si një mundësi për të qenë gjithë së bashku pjesë e vlerave më të mira europiane.    

Fondi i Ballkanit Perëndimor nëpërmjet qasjes gjithëpërfshirëse ka mbledhur së bashku në Samitin e parë të Shoqërisë civile, vendimmarrës të ndryshëm, përfitues të fondeve, e deri tek përfaqësues të komunitetit të donatorëve për të shkëmbyer informacion dhe ide që mund të kontribuojnë në të ardhmen në procesin e bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit.

Pjesëmarrësit në këtë samit të parë të shoqërisë civile të rajonit kanë folur mbi domosdoshmërinë e e bashkëpunimit dhe të pajtimit si një premisë kruciale për hapjen e rrugës së progresit dhe të zhvillimit të gjithmbarshëm. Ata gjithashtu kanë theksuar se shoqëria civile mbetet e gatshme për të bashkëpunuar dhe për të hapur një horizont të ri zhvillimi në vendet e rajonit. ”Bashkëpunimi rajonal është proces gjithëpërfshirës, nuk mund të jetë i suksesshëm pa shoqërinë civile. Fondi kërkon të bëhet urë për shoqërinë civile me qeveritë”, ka theksuar drektori ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, Gjergj Mura.

Kryetarja e seksionit të operacionit për drejtësi dhe çështje të brendshme, delegacioni i BE në Shqipëri, Lenka Vitkova është shprehur se ”angazhimi që vjen nga Komisioni Europian dhe BE është për integrimin e rajonit. Shoqëria civile ka rol të rëndësishëm. Ata janë lidhja kryesore me qytetarët e rajonit. Ka një prioritet që ka BE është fokusi tek te drejtat e njeriut”.

Sipas saj Fondi i Ballkanit është nismë e mirëpritur që i sjell qeveritë bashkë për forcimin e marrëdhënieve.” Ne kemi më shumë se 200 projekte në rajon. Ne besojmë se pajtimi dhe bashkëpunimi, marrëdhëniet e mira të fqinjësisë vijnë nga vetë vendet. Projekti Europian është projekt paqeje, pajtimi, zgjidhje e mosmarrëveshjeve dhe shoqëria civile luan rol te rëndësishëm”.

Samiti i parë i shoqërisë civile në Tiranë është në vazhdën e orintimit europian të vendeve të rajonit, në vazhdën e shembjes së mureve skematike, të ngritura nga e kaluara. Shoqëria civile mbetet një ndër faktorët më të rendësishëm të konsolidimit të jetës demokratike, një are e promovimit dhe e kultivimit të politikave moderne të funksionimit në të gjitha rrafshet e mundshme të jetës institucionale. Poltika pa dimensionin civil mbetet e mangët dhe rrezikon të degjenerojë në vendime që nuk janë në përputhje me një sistem vlerash eurpiane, të cilat vazhdimisht promovohen nga shoqëria civile.

Pikërisht, në sinkron me këtë ide gjithëprfshirëse për të qenë pjesë e politikave modern, e koncepteve të hapura, shoqëria civile shemb muret e ftohtë të së kaluarës, të cilët shpeshherë ngjajnë me muret e poetit grek, Kavafisit. Shoqëria civile është paradigma e një kohe tjetër, horizonti i një vështrimi tjetër, që njeh tjetrin, që e respekton tjetrin si vlerë kulturore, si qytetari dhe si qenësi e paparagjikuar. 

Edhe mbajtja e disa punëtorive gjatë këtij samiti ka qenë në funksion të eksplorimit të mundësive të reja bashkëpunuese, në funksion të promovimit të një arsimi sa më cilësor, në funksion të komunkimeve më të ngjeshura dhe të interkomunikimeve kulturore. Secili grup në këto punëtori ka afushuar rekomandimet e veta për qeveritë dhe për donatorët, si dhe ka afishuar prioritetet e angazhimeve të shoqërisë civile.

Fondi i Ballkanit Perëndimor është një instrument ndër-qeveritar, një iniciativë rajonale, e cila e parafytyron rajonin e Ballkanit Perëndimor në paqe dhe të integruar në Bashkimin Europian. Fondi i Ballkanit Perëndimor është një organizatë ndërkombëtare e krijuar nga qeveritë e Palëve Kontraktuese si: Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi. Marrëveshja për krijimin e FBP u nënshkrua nga Ministrat e Jashtëm të BP6 në Nëntor 2015. Fondi filloi zyrtarisht veprimtarinë në 1 Tetor 2017, kjo pas përfundimit të procedurave të ratifikimit nga Parlamentet e Palëve Kontraktuese.

Të fundit