E premte, 26 Korrik, 2024

CILI ËSHTË LIDERI I OPOZITËS SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT?

Kërkesa e Aleancës për Shqiptarët (ASH) për ballafaqim televiziv midis liderit të saj, Ziadin Sela dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti, mori përgjigje në formë të pyetjes retorike nga ana e Bujar Osmanit: “Cili në fakt është lider i opozitës?”

Në të njëjtën kohë reagoi edhe Lëvizja BESA, e cila lidhi koalicion me LSDM-në, duke pretenduar se është lideri i saj Bilall Kasami që duhet të ballafaqohet me Ahmetin, e jo Sela.

Po mbi çfarë indikacionesh përcaktohet pozita  e një partie në listën e forcave kryesore politike në një vend? Ekspertët që i konsultoi KDP thonë se këtë renditje e përcakton vota e marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare, pa marrë parasysh nëse më pastaj deputetë nga parti të caktuara mund të shkëputen nga subjekti amë.

Ligji i ri për financimin e partive politike ka një listë prej 39 partive, të cilave u lëshon mjete financiare varësisht nga vota që kanë fituar.

Rebalancimi i buxhetit në shtator të vitit 2019  siguroi fonde për qendrat kërkimore dhe analitike të partive në shumën 319.800 euro. Këto para u ndanë në katër parti. Shumica e parave shkuan në llogarinë e VMRO-DPMNE 91,000 EUR, LSDM 85,500 EUR, BDI 74.300 EUR dhe BESA 68,700 EUR.

Nga buxheti i shtetit në llogaritë e partive politike në tetor të vitit të kaluar janë paguar  edhe 4,583,000 EUR plus për funksionimin e tyre, njofton Investigative Reporting Lab (IRL) duke u bazuar në të dhënat zyrtare nga Ministria e Drejtësisë.

Siç përcjell KDP, shumica e parave nga thesari i shtetit u shpërndanë tek LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE. Partia në pushtet mori 1,180,000 euro, kurse partia më e madhe opozitare 1,025,000 euro. E treta për sa i përket shumës së paguar është BDI-ja me 441,000 euro, pastaj BESA me 255,000 euro dhe Aleanca për Shqiptarët – 245,000 euro.

Edhe partitë e vogla kanë fituar para nga buxheti. GROM i Stevco Jakimovskit mori 136,000 euro nga paratë e qytetarëve këtë vit, Unioni Rom i Amdi Bajramit 116,000 euro kurse Socialistët e Ljubislav Ivanov Xingo morën pak afër 81,000 euro.

Nga partitë që janë vazhdimisht në koalicion me njërën nga dy partitë më të mëdha, NSDP e Tito Petkovskit mori 58,000 euro, LDP 63,000 euro dhe DOM 54,000 euro.

Në korrik të vitit të kaluar, u arrit një marrëveshje politike midis partive kryesore të vendit dhe me 101 vota e ndryshuan Ligjin për financimin e partive politike. Me këto ndryshime, në vend të 1.8 milion eurove si më parë, tani marrin 4.5 milion euro nga buxheti çdo vit, ose 0.15 përqind e të ardhurave totale të thesarit të shtetit.

30% e parave u shpërndahen në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë politike që kanë fituar të paktën 1% të numrit të përgjithshëm të votave të hedhura në zgjedhjet e fundit parlamentare ose lokale. Dhe 70% e parave u ndahen partive sipas numrit të vendeve të fituara në vendet e parlamentit ose të këshillit në komuna.

Kështu, për shembull, disa nga partitë që morën para këtë vit nuk kanë deputetë ose këshilltarë, por kanë fituar një përqindje të mjaftueshme të votave për të hyrë në alokimin e buxhetit. Partia e vllehëve merr pjesë me 11.800 euro, dhe e majta vetëm 94.500 euro. Partia e Pensionistëve të Bashkuar mori 20,000 euro dhe Partia e Demokratëve të Bashkuar 24,000 euro.

Përveç këtyre parave, partitë mund të financohen nga tarifat e anëtarësimit, kreditë, dhurimet, dhuratat, sponsorizimet dhe mund të zotërojnë tokë dhe banesa, diçka që nuk lejohej me ligjin e vjetër. Kështu, VMRO-DPMNE legalizoi fushat dhe pasuritë e paluajtshme që më parë ishin në pronësi të saj. /KDP

Të fundit