E premte, 4 Tetor, 2024

K.I.D organizon debatin e dytë: PËRTEJ BALLKANIZMIT

Ditën e premte Klubi i Intelektualëve të Dervenit organizoi debatin e radhës rreth veprës “Ballkani Imagjinar” të studiueses së njohur bullgaro-amerikane Maria Todorova, ku morën pjesë profesorët S. Tahiri (ITSH), A. Pajaziti (UEJL), L. Veliu studente e doktoratës në Universitetin e Dublin City University, R. Sulejmani (UNT), I. Murtezani (Instituti për folklor “M. Cepenkov”), I. Bakiu (ITSH) dhe A. Jakupi (historian).

Pas përkufizimit të ballkanizmit si përfytyrim ontologjik dhe epistemologjik lidhur me Orientin (Lindjen) dhe Oksidentin (Perëndimin), si studim – ideologjik – i Lindjes si objekt, pasiv, i ngurtë, ekzotik, misterioz, mistik dhe Perëndimin aktiv, të qytetëruar, modern dhe dominant, u trajtua dimensioni i Ballkanit në shifra dhe të dhëna empirike (arsimi, shkenca dhe BPV, korrupsioni), u fol për për heterotopinë si botë brenda botës, që shpërfaq dhe e shqetëson atë që është jashtë, për ballkanizmin përmes disa personazheve nga kjo Europë e Dytë si “kulturë irracionale dhe besëtyte e paprekur nga Iluminizmi perëndimor”.

Pjesë e rëndësishme e këtij debati ishte kumtesa e ish-studentes së UEJL-së, tani bashkëpunëtore e Todorovës, e cila mes tjerash theksoi se Ballkani është një mister i njohur, oksimoron, një e ditur e paditur dhe një e paditur e ditur, andaj është sa është sfiduese të zhytemi thellë në pyetje të llojit të “si njihet apo dihet Ballkani” po aq edhe është nxitëse të pyesim “kush, çka apo nëse është Ballkani”. Sipas saj, ontologjia e Ballkanit është rezultat i epistemologjisë mbi Ballkanin. Një epistemologji e tillë shpesh është sajuar në veprën e studiueses më me nam dhe ndikim në të studiuarit e Ballkanit, Maria Todorova dhe librin e saj seminal “Ballkani Imagjinar” (1997). Todorova argumenton se Ballkanizmi evoluon në një masë të madhe pavarësisht, dhe në disa aspekte edhe përkundër ose në ndeshje me “Orientalizmin” (1978) e propozuar nga Edward Said, i njohur si babai i studimeve postkoloniale. Ajo përpiqet të gjurmojë formimin e një diskursi të veçantë për Ballkanin si një kategori e pavarur me lidhjet e veta specifike me diskurset dominuese evropiane. Nëse Ballkani meriton një status ontologjik special si një subjekt hulumtimi ose nëse Ballkani është i padenjë për një vend të këtillë në botën e dijes, në akademi shfaqet një debat i vazhdueshëm me shumë përkrahës në të dyja anët e spektrit. Sidoqoftë, sfida dhe kërkesa më e madhe me të cilën ballafaqohen te dyja, Ballkanizmi dhe Orientalizmi, është nevoja për të shkuar përtej një analize retrospektive të Ballkanit që e trajton Ballkanin si artefakt i së kaluarës dhe në këtë mënyrë edhe nuk arrin të japë llogari mbi statusin dhe funksionin e Ballkanit në një kontekst të globalizimit. Veliu më në fund tha se Rajonalizmi Kritik është kornizë teorike, një prej mënyrave për të përballuarkëtë sfidë dhe për të kontribuar në përmbushjen e këtij boshllëku.

Debati u përmbyll me pjesën pyetje-përgjigje dhe mesazhin se rajoni ka edhe historinë pozitive të veten, se botës ia ka dhënë demokracinë e shumë vlera të tjera, se sot ka nevojë të deballkanizohet duke ndryshuar perceptimin për veten dhe tjetrin superior dhe fqinj.

Debati mund të ndiqet në linkun: https://www.facebook.com/ali.pajaziti.3/videos/10219010787992963/

Të fundit