Globalizimi padyshim se e shndërron botën në një “fshat” më të mirë për të jetuar, por coronavirusi në këtë rast mund të shihet edhe si metaforë e rrezikut që sjell ky globalizim i hovshëm.
Shkruan: Xhelal Neziri
Shërndarja e sëmundjeve ngjitëse në botë nuk është dukuri e re që e kemi parë me Sarsin, Mersin, Gripin e Pulave, Derave e së fundmi edhe me coronavirusin.
Murtaja e quajtur “Vdekja e Zezë” në shekullin e XIV ka mbytur 100 milionë njerëz në rajonin e Europës dhe Azisë, në një kohë kur bota numëronte 450 milionë banorë. Kjo murtajë që u shfaq në Azi, nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit që përdornin tregtarët e atëhershëm për bartjen e mallrave, u transferua në Evropë. Në një kohë kur religjioni kishte ngulfatur shkencën, çdo sëmundje shihej dhe pranohej si vullnet i mbinatyrshëm. Shoqëritë e atëhershme evropiane kërkonin “fajtorët” e kësaj sëmundjeve te kategori të ndryshme shoqërore, të cilat i asgjësonin për të ndalur hovin e murtajës. Në atë kohë nuk e dinin se bakterien që përhapte murtajën e bartnin mijtë që udhëtonin të fshehur në thasët me drithëra që i sillnin tregtarët nga Azia në Europë.
Si rezultat i dogmës, në vend të kërkimit të ilaçit, kjo murtajë krijoi një varg trazirash fetare, sociale dhe ekonomike, me efekte të thella në rrjedhën e historisë evropiane. “Vdekja e Zezë” vlerësohet të ketë vrarë një të tretën e popullsisë evropiane. U deshën 200 vjet që popullsia e Evropës të rikthehej në nivelin e saj të mëparshëm. Murtaja u përsërit disa herë si epidemi deri në shekullin e XX, kurse herë pas here shfaqet në disa vende të Afrikës. Pas Luftës së Dytë Botërore bakterie që shkaktojnë murtajë u zhvilluan si armë kimike nga shtete të ndryshme.
Ajo që nuk kanë ditur njerëzit është ekzistimi i viruseve dhe bakterieve që përhapen nëpërmjet papastërtisë. Rëndësia e larjes së duarve për shëndetin u njoh për herë të parë në mesin e shekullit të XIX nga dy pionierë të higjenës së duarve: mjeku hungarez Ignaz Semmelweis dhe Firence Nightingale, anglezi që themeloi infermierinë moderne. Në atë kohë shumica e njerëzve ende besonin se infeksionet ishin shkaktuar nga aromat e urryera të quajtura miasmas.
Përhapja e gripit të derrit në vitin 2009 çoi në rritjen e vetëdijes në shumë vende për rëndësinë e larjes së duarve me sapun për të mbrojtur veten nga sëmundje të tilla infektive. Në fakt larja e duarve çrrënjosi mbi 70 për qind të sëmundjeve.
Tani njerëzimi është sërish para një rreziku të ri, i shkaktuar nga një corona virus i ri, deri më tani i panjohur për shkencëtarët. Në fund të dhjetorit u paraqit në Wuhan të Kinës, që dy muaj më pas të përhapet në gati të gjithë botën, duke arritur edhe në Maqedoninë e Veriut. Shpejtësia e përhapjes së Coronavirusit tregon se sa e globalizuar dhe e ndërvarur është bërë bota. Kur kihet parasysh ky fakt, atëherë përgjigjia ndaj këtij rreziku duhej të ishte global, e jo nacional apo kontinental siç është tani.
Coronavirusi deri më tani ka shkallë të vdekshmërisë dukshëm më të ulët sesa viruset paraprake. Nga numri i të infektuarve vetëm 2 për qind kanë gjetur vdekjen, pjesa më e madhe e të cilëve kanë pasur komplikime shkaku i sëmundjeve tjera. Nga ana tjetër, SARS në vitin 2003 kishte shkallë të vdekshmërisë afër 10 për qind, kurse MERS në vitin 2012 shkaktoi vdekjen e mbi 30 për qind të të infektuarve.
Globalizimi padyshim se e shndërron botën në një “fshat” më të mirë për të jetuar, por coronavirusi në këtë rast mund të shihet edhe si metaforë e rrezikut që sjell ky globalizim i hovshëm. Një konflikt në Lindjen e Mesme, Afrikë apo Lindjen e Largët është problem edhe për Europën dhe Amerikën, ku ikin njerëzit për të gjetur paqe dhe një vend të sigurt për të jetuar. Një organizatë terroriste që paraqitet në një shtet të largët shumë shpejt përhapet në tërë globin dhe si i tillë nuk është më problem vetëm i një rajoni. Një qeveri korruptive në qosh të globit mund të përhapë këtë dukuri edhe në vendet me demokraci më të shëndoshë. Gjithçka tanimë shkon përtej kufijve. Askush nuk mund dhe nuk duhet më të qëndrojë indiferent ndaj një ngjarjeje apo dukurie që ndodh me mijëra kilometra larg.
Në rastin konkret – pra me coronavirusin – duhet vetëm të kemi duar të pastra dhe ta bëjmë që të zhduket njëjtë siç u zhdukën epidemitë dhe pandemitë e mëparshme në historinë e njerëzimit. Por mesazhi që bart ky virus shkon përtej rrezikut për shëndetin. /KDP