E premte, 26 Korrik, 2024

Pse serbi Ilia duhet të jetë hero

Në monologun e  tij në “Provokacija” këtë të martë, Mustafa Nano është ndalur tek rasti i futbollistit me origjinë serbe që pranoi të luajë me kombëtaren kosovare.

Bëhet fjalë për Ilia Iviç, vendimi i të cili u prit mjaft ashpër dhe u kushtoi vendin e  punës prindërve të tij. Të dy prindërit që punonin në administratën e Graçanicës u pushuan.

Ndërkohë, Nano teksa e cilëson vendimin e tij për arsye sportive, aludon se çfarë do të ndodhte nëse një djalë me origjinë shqiptare do të luante në kombëtaren serbe.

Pararësisht të gjithave thotë, Nano, vendimi i 17-vjeçarit mund të shërbejë edhe për të transmetuar mesazhe të rëndësishme që tensionet duhen ulur. Sipas Nanos, nëse motivi të jetë ky Ilia duhet të jetë hero i të gjithëve.

Monologu nga Mustafa Nano:

Në ekran është fotoja e një djali të ri. Është një djalë që jeton në Kosovë, punon në Kosovë, por është me origjinë serbe. Quhet Ilia Iviç. Është 17 vjeç, luan futboll. Luan me Flamurtarin, banon në Graçanicë dhe kohët e fundit autoritetet e Federatës së Futbollit në Kosovë, e ftuan këtë djalë që të bëhet pjesë e Kombëtares kosovare për moshat nën 19 vjeç.

Ilia pranoi ta veshë fanellën e kombëtares kosovare. Mirëpo, ky fakt nuk u pëlqeu disave në Kosovë, një pjese të Kosovës, e kam fjalën për pjesën serbe. Për shkak të këtij gjesti prindërit e Ilias janë pushuar nga puna. Ata ishin pjesë e administratës lokale në Graçanicë dhe autoritetet serbe atje i kanë pushuar nga puna. Menjëherë kanë reaguar autoritete e Federatës së Futbollit në Kosovë, ata kanë protestuar deri pranë organizmave ndërkombëtare dhe kanë bërë shumë mirë.

Mirëpo, mendja ime prapë menjëherë shkon te një paralele e caktuar dhe unë kam menduar, po sikur kjo që ndodhi në Kosovë me këtë djalin me origjinë serbe të ndodhte në Preshevë me një djalë me origjinë shqiptare. Pra po sikur një djalë me origjinë shqiptare 17 vjeç atje të vendoste në një moment ta caktuar që të bëhej pjesë e kombëtares serbe. Çfarë do ndodhte? Kam frikë se do ta shpallnin tradhtar dhe prindërit do ia pushonin nga puna, dhe madje prindërit e tij nuk do gjenin vend ku të fshiheshin, sipas meje. Kjo është ajo që do ndodhte.

Tani për t’u kthyer te Ilia, te ky djalë që shohim në ekran. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur në kokën e Ilias në momentin që ai ka marrë këtë vendimin e rëndësishëm. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur në familjen e tij sepse ai e ka konsultuar këtë gjë me prindërit e vet dhe vendimin e ka marrë bashkërisht. Unë nuk e di nëse prindërit e tij kishin ndonjë mëdyshje në momentin që ky u ka thënë që duhet të bëjë këtë gjë. Unë nuk e di gjithashtu edhe se çfarë mendon pjesa tjetër e Kosovës.

Nuk ka ndonjë anketim se çfarë mendojnë shqiptarët, por unë jam i prirur të besoj duke parë reagimet që qytetarët në Kosovë bëjnë në rrethana të tilla dhe të ngjashme, jam i prirur të mendoj se nuk u ka pëlqyer shumë fakti që Ilia Iviç ka dashur apo ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e kombëtares kosovare. Shumë shqiptarëve me siguri u ka pëlqyer fakti që Ilia ka “tradhtuar” sojin e vet, por nuk besoj se u ka pëlqyer shumë fakti që Ilia do të jetë pjesë e kombëtares kosovare.

Ky ka bërë një gjest të rrallë dhe të guximshëm, ai bën vaki që e ka marrë këtë vendim për arsye krej sportive. Ai në një moment të caktuar ka dashur të afirmohet, ka pritur ndonjë ftesë nga kombëtarja serbe, nuk i ka ardhur kjo ftesë. Federata e futbollit shqiptar është treguar më e shkathët i ka bërë ftesën dhe ky ka pranuar menjëherë. Unë besoj se ky është varianti. Sikur të kishte edhe një variant tjetër, unë prap e përshëndes se duhet përgëzuar edhe për këtë se është një gjest gjithësesi i guximshëm.

Sikur të ishte situata tjetër, sikur ky të kishte motivime më të fisme, sikur ky ta kishte marrë këtë vendim me idenë që unë jam kosovar, unë jam banor i Kosovës dhe unë dua të luaj për kombëtaren e Kosovës dhe unë ftoj dhe të tjerë ta bëjnë këtë gjë, dhe përcjellin mesazhin jo vetëm te pjesa e Kosovës, por edhe te pjesa serbe. Përcjellin mesazhin që tensionet duhet të ulen, ka ardhur koha që të vendoset paqja. Sikur motivimet të ishin të tilla për mua, Ilia do të ishte heroi im, unë mendoj se do të duhej të ishte heroi i të gjithëve.

Të fundit