Ministri gjerman për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth është shprehur me besim, se BE në mars do të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Të martën Michael Roth, ministri gjerman për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, është shprehur optimist për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, Roth shpreson, që në takimin e ardhshëm me homologët e tij më 24 mars ” të jepet një sinjal i qartë në drejtim të Ballkanit Perëndimor”. Michael Roth ka kujtuar ndryshimet që janë bërë në metodologjinë e zgjerimit të BE dhe pret që Komisioni Europian të njohë edhe progresin në reforma që kanë bërë të dyja vendet. Komisioni Europian ka për të njohur “progresin e rëndësishëm” në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe reformës së drejtësisë, beson Roth.
Vendimi për fillimin e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut u shty në tetorin e vitit të kaluar, pas presionit të presidentit francez, Emmanuel Macron që kërkonte më parë reformimin e procesit të zgjerimit në BE. Tani Parisi është treguar i kënaqur me ndryshimet në procedurën e anëtarësimit të paraqitura nga Komisioni Europian. Por Parisi pret ende raportin e aktualizuar të progresit të Komisionit Europian të planifikuar për publikim në fillim të marsit. Dihet se çelja e negociatave është vetëm fillimi i një procesi të gjatë disavjeçar në anëtarësim. Vetëm nëse kandidatët i përmbushin kriteret dhe bëjnë reforma mund të anëtarësohen në fund në BE. E për këtë nevojitet një vendim unanim i Bashkimit Europian.
DW