E shtunë, 27 Korrik, 2024

“KETMANI” PARAZGJEDHOR DHE HORIZONTI I PRITJES

Partitë me kohë e kanë uzurpuar gjithë hapësirën publike, ndërsa në kohë zgjedhjesh kjo “gijotinë” ideologjike bëhet akoma më e rreptë. Të mendosh ndryshe, të jesh racional, tolerant, i argumentuar do të thotë të jesh jashtë “rrjedhave” politike të projektuara nga “mendjet”, nga logjika e “ketmanit” siç e përcakton nobelisti çek, Çesllav Millosh në librin e tij “Mendja e robëruar”.

Autor: Bardhyl ZAIMI

Zgjedhjet kërkojnë “tronditje”, pjesëmarrje, retorikë goditëse, mobilizim për të bërë të dukshëm një orientim politik. Zgjedhjet kërkojnë tabore me çdo kusht, sepse vetëm kështu preket në nervin e simpatizantëve, të ndjekësve që tashmë kanë projektuar “adhurimin” e tyre. Simpatizantët dëshirojnë parulla, diskualifikime, fjalë që godasin nganjëherë edhe brutalisht. Në kohë zgjedhjesh, më e vështirë  është të mbetesh neutral, racional, modest dhe analizues objektiv i situatave. Kjo në shumë raste mund të duket dhe vlerësohet si “herezi” më e madhe se vetë perceptimi për taboret e njëri-tjetrit.

Çdo përpjekje për t’i parë gjërat nga kjo dioptri mund t’i acarojë “tellallët” e taboreve, sepse ata nuk e njohin këtë predispozitë të shikimit të realiteteve, që në asnjë rast nuk mund të kufizohet vetëm në një cikël zgjedhor. Koha e militantit partiak matet me cikle zgjedhore, me pjesëmarrje nëpër tubime, me “horizontin” që shfaqet nga retorikat e tribunave të zhurmshme. E tashmja dhe ardhmja e militantëve është parullë, përgjintje, rebelim i përkohshëm që mban siglën e një partie ose një pakënaqësie momenti, një pakënaqësie që kërkon të përligjet si e vërtetë absolute.

Koha e militantit është urgjencë ideologjike që e njeh vetëm pushtetin pavarësisht stilizimeve që mund të qendisen. Koha e militantit partiak është moment “shpërthimi”, moment dominimi, moment turme, që nuk njeh të vërteta tjera, pos asaj që e përthith në “transet” e hemisferave ideologjike. Koha e militantit partiak mund të jetë një hamburger ose një bejte folklorike. Mund të jetë verbëri e padjallëzuar, por mund të jetë edhe “rebelim” për të ndërruar anën, për t’u bërë më i zëshëm dhe më lojal ndaj një opsioni tjetër.

Një militant partiak jo gjithmonë ka të veshur një fanellë ideologjike. Ai mund të jetë edhe një “Promethe” që e kërkon konvertimin ideologjik pasi më herët ka mjelë njërën nga “mëmat parti”. Zgjedhjet janë terreni i mirë për fizkulturën e radhës, për përngjitjen e kalkuluar, për hesapet e xhirollogarive që i kishte dikur dhe që pretendon t’i ketë përsëri. Në fakt militantët partiakë duken simpatik në raport me këta militantë të kamufluar që jo nga mendimi publik, por nga heshtja e tyre dhe goditjet hazare përpiqen të krijojnë momentin e radhës për përfitimet e tyre.

Tashmë dihet që në kohë zgjedhjesh rriten padurimet mes njerëzve. Në sa e sa zgjedhje janë parë këto “beteja epike” që i kanë acaruar njerëzit, që konfliktet ideologjike i kanë zbritur deri në familje. Ideologjitë partiake nuk mbajnë llogari për njerëzit, sepse ata konsiderohen si shifra, si masë amorfe nëpërmjet së cilës ngjiten shkallët e pushtetit. Kjo është koha e dyluftimeve politike që e kërkon irracionalen të mishëruar në militantin. Kjo është koha e urgjencave dhe e yrishit, e pazareve dhe e fleksibiliteteve për pushtet që stoliset herë me retorika të buta dhe herë me retorika të forta.

Përgjithësisht, kjo pamje mund të shihet kudo në vendet e Ballkanit në kohë zgjedhjesh. Edhe në Maqedoninë gjithsesi. Sigurisht, kjo maskaradë zgjedhjesh nuk përbën fatalitet në vete, përkundër faktit që pretendon gjithsecilin ta mbajë të ngujuar në këtë logjikë. Partitë kanë hesapet e veta dhe grupet e interesit gjithashtu. Në rrugë e sipër drejt vlerave evropiane për të cilat pretendohet është e pamundur të përjashtohen këto realitete. Ato janë të pranishme për shkak të mungesës së kulturës demokratike që stimulon një rreth vicioz, në të cilin ka kohë që dergjen sensibilitetet tjera politike.

Partitë me kohë e kanë uzurpuar gjithë hapësirën publike, ndërsa në kohë zgjedhjesh kjo “gijotinë” ideologjike bëhet akoma më e rreptë. Të mendosh ndryshe, të jesh racional, tolerant, i argumentuar do të thotë të jesh jashtë “rrjedhave” politike të projektuara nga “mendjet”, nga logjika e “ketmanit” siç e përcakton nobelistit, Çesllav Millosh në librin e tij “Mendja e robëruar”. Dhe argumentin për këtë situatë mund ta çojmë edhe pak më larg. Totalitarizmi jodomosdoshmërisht e nënkupton njëshin, në vendet pa një traditë të konsoliduar demokratike totalitarizmi mund të nënkuptojë edhe shumësin, ose siç jemi mësuar ta quajmë “pluralizmin”.

Tashmë me dhjetëra herë nga mendje të kultivuara është shtjelluar pikërisht kjo situatë e pashpresë e një mentaliteti që jeton në mjegullat e inateve politike dhe skemave të paracaktuara që promovojnë ngërçin mendor. Të gjithë partitë politike pa përjashtim janë pjesë e kësaj moslëvizje, e këtij “ketmani” politik dhe shoqëror që njeh vetëm hapësirën e kufizuar të ripërsëritjes së fataliteteve. Ëshë në logjikën e politikës dhe të demokracisë që partitë ta synojnë pushtetin. Por, është e papranueshme që mbajtja e pushtetit dhe synimi për të qenë pjesë e pushtetit të degjenerojë në praktika të ripërsëritura, të mjegullta dhe pa asnjë kreativitet.

Duket se pushteti dhe kreativiteti janë dy gjëra të kundërta. Së paku për hapësirat ballkanike. Dhe, nuk është aq tragjike ekzistenca e kësaj forme të politikës që ngulfat, që limitohet në praktika tashmë të përjetuara. Fatale mbetet që nuk mund të shtrihet shikimi përtej, përtej kësaj “kënete” politike që i mban njerëzit në një pozicion vendnumërimi. Karakteristikë e politikave mediokre është përgjithësimi, ndërkohë që në detaje, në politika konkrete, në kauza konkrete bëhet dallimi.

Të mendosh përtej këtyre skemave mbetet një përpjekje Sizifi, por e pashmangshme nëse dëshirojmë që të futemi në sistemin e vlerave që po promovohet nga BE-ja. Europa nuk është vetëm një slogan, por është një shumësi praktikash të standardizuara që nënkuptojnë qeverisjen e mirë, transparencën, dialogun dhe kultivimin e pandërprerë të jetës demokratike.

Studiuesja bullgare, Maria Todorova, ka një libër të jashtëzakonshëm të titulluar “Ballkani imagjinar”. Është një libër që përpiqet të sqarojë stigmatizimet mbi rajonin si receptim nga perëndimorët. Një ndër këto stigmatizime mban edhe titullin një kapitull në këtë libër “Atje poshtë në Ballkan”. Për t’u bërë pjesë e vlerave perëndimore padiskutim duhet të mendohet përtej skemave në mënyrë që të tejkalohet kjo “metaforë” e zymtë, të cilën politika e mban gjallë vazhdimisht me ripërsëritjet e veta!

 

 

Të fundit