E shtunë, 27 Korrik, 2024

Refuzim dhe indinjatë ndaj sulmit brutal të Qosjës dhe Ramës kundër medias në Kosovë

Autor: Halil Matoshi

Sulmi brutal dhe i koordinuar i Akademikut kosovar Rexhep Qosja dhe Kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj mediave në Kosovë, veçmas Gazetës Express dhe T7 është i papresedan dhe tendencë staliniste për heshtjen e fjalës së lirë dhe hakmarrje për disfatën që pësoi ideja e tyre armiqësore ndaj Kosovës së 17 shkurtit dhe territorit kushtetues të saj.

Ideja e korrigjimit të kufirit (jo e demarkacionit) është ide burimore e hegjemonisë serbomadhe në bashkëpunim të ngushtë me çarqe integriste të ndikuar nga pjesa më buzantine e të majtes shqiptare, që mësynë ndarjen e Kosovës ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, duke e shitur në publik si akt të pajtimit historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, në kurriz të entitetit juridik-politik Republika e Kosovës, subjekt i të drejtës ndërkombëtare!
Qosja & Rama i kanë në qejf “zgjidhjet përfundimtare” për Kosovën dhe reaksionarët e saj, sepse dytë vuajnë nga syndroma psikotike e madhështisë, në rreshtin e Panteonit, por dytë idhnakë e të brymosur me ideologji nacional-socialiste!

Pse sot?
Çka fshihet pas këtij shfrenimi mbi median kosovare sot!?

Sepse bartësi i autorësisë së idesë për korrigjimin e kufirit, “voždi” në Beograd, Aleksandar Vučić pikërisht sot, e pranoi se Serbia humbi shansin të aneksojë pjesën veriore të Kosovës dhe Anamoravën!?
Express dhe T7 kanë qëndru konsistent në denocimin e kësaj ideje monstruoze dhe bartësve të saj (triumviratit ballkanik) që nga inicimi i saj, prandaj goditja e tyre kinse si media anti Shqipëri, është besoj, shërbimi i fundit që i bëhet Vučiç-it!?
Do t’ia çojnë kumtin qe sonte: “Boll u munduam por kosovarët kryeneçë, që sapo kanë zbritë nga mali, vështirë të kontrollohen!?

Shqipëria e ka mbështetur shtetin sovran të Kosovës dhe i ka qëndru kurdo në krah dhe nuk duhet ngatërruar me dy komunistët e fundit të saj, me qallmë “mullahësh” dhe grupet e influencës enveriste përreth tyre, që linçin publik e kanë mjet të sprovuar të propagandës!

Sëkëndejmi, asociacionet e pavarura të gazetarëve në Prishtinë e Tiranë, nëse ka të tilla, shoqëria civile por edhe vet Qeveria e Kosovës duhet të reagojnë e të marrin në mbrojtje median ndaj të cilës, Qosja e Rama, po ushtrojnë terror verbal, mjerisht në emër të Shqipërisë, e në thelb, po i bëjnë argat ish Shefit të Propagandës së Kasapit të Ballkanit, Milošević, tashti President i Serbisë, si dëshmi e vazhdimësisë së “vëllazërisë serbe-shqiptare” të lidhur ndërmjet Enver Hoxhës e Dušan Mugoš-ës e Miladinit!
Por Kosova ka qëllu në mes, me hirin e Zotit!
E guximshme në të drejtën e saj, për ta mbrojtë shtetin kombëtar nga vizatues hartash të reja e projektues tragjedishë të reja – deri në shqiptarin e fundit të Kosovës – për t’i ngopur apetitet imperialiste konjukturale e ideologjike dhe për hesape të pushteteve personale.
Dhe këtë pakt, qëlloi media e lirë e cila po e “prishë pazarin”!?
Planet djallëzore anti shtet, po dekonspirohen, falë rezistencës së brendshme të përmasave epike në Kosovë!

 

Marrë nga profili i autorit në Facebook

Të fundit