E martë, 10 Dhjetor, 2024

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, vendimtare për procesin e integrimit në BE

Pas shpërbërjes së Parlamentit të Maqedonisë së Veriut të dielën, i është hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për të dhjetën herë me radhë që nga pavarësia e shtetit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit në Maqedoninë e Veriut llogariten si shumë të rëndësishme për shkak se këto zgjedhje mbahen pas ndryshimit të emrit të shtetit, e të cilat u imponuan si rrjedhojë e pakënaqësisë së opinionit pasi në tetor vendi nuk morri datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të hënën ka theksuar se mbarëvajtja e zgjedhjeve në prill është vendimtare për shtytjen e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor parti politike, anëtarë partiak, anëtarët ë Këshillave Zgjedhorë dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe më e rëndësishmja, mediumet, të jenë në lartësi të detyrës, të kontribuojnë që dita e zgjedhjeve të jetë ditë solemne dhe edhe një shtojcë pozitive në Raportin për përparimin e vendit që duhet të publikohet në muajin mars, me çka do të japim kontribut të rëndësishëm në rezultatin pozitiv të Samitit në Zagreb dhe të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në”.

”Në fakt, ashtu edhe i ngjan një vendi i cili së shpejti do të bëhet anëtar i plotfuqishëm i 30-të i NATO-s.” ka theksuar Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut i cili tani është shpërbërë.

Gjatë të dielës, para shpërndarjes së Parlamentit, deputetët me dy të tretat e votave miratuan Ligjin për Prokurori Publike i cili ligj edhe pse nuk është kusht formal, por llogaritet si sinjal shumë i rëndësishëm për Brukselin që t’i caktojë datë Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Gjatë të dielës, lideri i Lidhjes Social-demokrate Zoran Zaev tha se me miratimin e Ligjit për Prokurori Publike, Maqedonia e Veriut përmbyll obligimet e saj dhe tani mbetet që Brukseli të mbajë fjalën për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, me ç’rast u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në marshin për drejtësi në orët e mbrëmjes së të hënës, siç ka theksuar“, për të demonstruar pritjet e qytetarëve se ligjet e miratuara si pjesë e reformave në sistemin e drejtësisë të zbatohen në mënyrë përkatëse nga institucionet”.

Përderisa, lideri i opozitës maqedonase VMRO DPMNE, Hristian Mickoski, ka theksuar se Ligji për Prokurorinë Publike është sjellë në mënyrë kriminale dhe për këtë do të japin përgjegjësi aktorët e këtij veprimi pas zgjedhjeve të 12 prillit.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se pavarësisht përplasjeve mes pushtetit dhe opozitës të gjitha partitë politike si në pushtet ashtu dhe opozitë janë të kënaqur që është shpërbërë parlamenti dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare që partitë të mund të matin forcat e tyre politike.

“Sigurisht se për partitë politike më e rëndësishme është se parlamenti u shpërbë dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, megjithatë kjo që ndodhi në parlament sigurisht se do të jetë në qendër të vëmendjes gjatë fushatës zgjedhore, mendoj procedura e miratimit të Ligjit për prokurori publike dhe ligjeve tjera që u miratuan gjatë të dielës pak minuta para shpërbërjes“.

“Pra, fushatën partitë politike do ta fokusojnë në eurointegrime dhe proceduarën për miratimin e këtyre ligjeve me dy të tretat e votave para shpërbërjes së Parlamentit”, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë, Nikolla Dujovski.

Ndryshe, fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare zyrtarisht fillon më 23 mars edhe pse ajo jo zyrtarisht ka kohë që është duke u realizuar përmes aktiviteteve të ndryshme partiake.

Të fundit