Sapo është mbushur fiks një vit që nga koha kur opozita zgjodhi rrugën radikale për të cilën me sa duket tashmë është penduar, Ilir Meta ka dalë në një konferencë shtypi për të denoncuar atë që e konsideroi si një grusht shteti. Ai, që të paktën verbalisht e ka dënuar djegjen e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale, foli për një puç që po bëhet pa luftë, pa gaz lotësjellës dhe pa tanke.
Sipas presidentit fjala është për këmbënguljen e parreshtur të rilindjes për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Faktet e reja që ai dha janë skandaloze. Ato edhe njëherë tregojnë se si kreu i KED, Ardian Dvorani është misionar i bindur i qeverisë në këtë betejë.
Ato dëshmojnë se si tallja e rilindjes ka mbërritur deri në atë pikë që për hallet e propagandës së saj përdor edhe komisionin e Venecias, të cilin e thërret në Tiranë për ti marrë mendim dhe pa e pritur atë e voton vetë me votat e saj ligjin se si bëhet betimi i gjyqtarëve .
Pra, po të dëgjosh argumentimin e presidentit, nga ana ligjore dhe teknike atij i jep 100% të drejtë.
Por, Ilir Meta nuk është thejshtë një administrator ndërrmarrjeje që të përleshet gjygjeve me një ushtar të rilindjes. Ai nuk është as gazetar investigativ për të bërë punën e atyre që heshin për të treguar manovrat meskine të pushtetit.
Ai është president republike dhe mbi të gjitha një politikan që qëndron prej tre dekadash në skenë.
Pa neglizhuar detyrat e veta të përditshme (e në mes tyre dhe proceset me Dvoranin apo informimin e publikut për talljen me Komisionin e Venecias) përgjegjësia e tij është të japë rrugëzgjidhje politike.
E deri më tani, në kushtet e një rregjimi që vijon një grusht shteti permanent, Meta e ka hedhur poshtë rrugën radikale, braktisjen e kuvendit dhe bojkotin e zgjedhjeve. Po ashtu ai, e harroi edhe nismën për yshtjen e turmave dhe dëgjimit të zërit të qytetarëve përmes referendumeve.
Ai ka mbetur thjeshtë tek denoncimi i asaj që e dinë të gjithë: çmendurisë autokratike të Ramës për të mbetur i vetëm në skenë.
Por, kjo fazë tashmë është e tejkaluar. Në këtë vend, përpos ndonjë sharlatani me pagesë, nuk ka mbetur njeri pa e kuptuar se ku po rrëshket Shqipëria.
Tani pyetja është se me ç’mënyrë ndalet kjo katastrofë: me rrugë të dhunshme e radikale, apo me krijimin e një fronti moral dhe ideal për tu përballur me të keqen.
Në këtë pikë Ilir Meta nuk ka asnjë përgjigje.
Mundësinë e parë verbalisht e ka përjashtuar, ndërsa për të dytën s’ka hedhur asnjë hap. Prandaj, në këtë betejë ai nuk po sillet politikisht, por thjeshtë si paditës i Dvoranit.