E diel, 13 Tetor, 2024

Komisionet parlamentare, testi i parë i konsensusit pushtet – opozitë

Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e të enjtes të vendosë për themelimin dhe funksionalizimin e komisioneve parlamentare. Nga 16 sa kishte përbërja e kaluar e legjislativit, tani numri i komisioneve është zvogëluar në 14, çka e shtron nevojën e miratimit me dy të tretat e votave të deputetëve apo 80 vota për.

Propozimi për formimin e 14 komisioneve, është marrë në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pa praninë e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, tha për Radion Evropa e Lirë, se në seancën e së enjtes kur do të diskutohet dhe vendoset eventualisht për komisionet parlamentare, deputetët e PDK-së do të jenë të pranishëm.

Ndërkaq sa i përket pjesëmarrjes në Kryesinë e Kuvendit, ku PDK-ja ka një pozitë të nënkryetarit, deputeti Xhelili tha se bojkotimi i këtij organi ndërlidhet me veprimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka zhvendosur fotografinë e presidenti Hashim Thaçi, duke e zëvendësuar atë me fotografinë e ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Deputetët e PDK-së do të shkojnë në seancë. Ne nuk kemi thënë se nuk do të shkojmë në seanca. Ne do të jemi pjesë aktive e kuvendit. Kurse presim që kryetarja e kuvendit të reflektojë në kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për fotografin e presidentit”, tha Xhelili.

PDK-ja e ka kritikuar mënyrën se si kryetarja e Kuvendit ë Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur punën, duke parashikuar si mesazh të keq për mbarëvajtjen e punës së organit më të lartë ligjvënës në Kosovë.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se është e rëndësishme që në fazën e funksionalizimit të tërësishëm të kuvendit, në procesin e ndarjes dhe formimit të komisioneve dhe propozimin e përbërjes së komisioneve, të marrë pjesë edhe opozita.

“Është shume e rëndësishme që komisionet parlamentare të fillojnë punën sa më parë sepse ka shumë çështje që presin trajtim të menjëhershëm nga ana e kuvendit dhe pa formimin e komisioneve kjo nuk mund të ndodhë”, tha Haxhiu.

Haxhiu thekson se për votimin e propozimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për formimin e komisioneve, kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, pasi që bëhet fjalë për amendamentimin e Rregullores së Punës për shkak të ndryshimit të numrit, fushëveprimit dhe përgjegjësive të komisioneve parlamentare.

“Është shumë e rëndësishme që komisionet parlamentare të fillojnë punën sa më parë sepse ka shumë çështje që presin trajtim të menjëhershëm nga ana e kuvendit dhe pa formimin e komisioneve kjo nuk mund të ndodhë”, tha Haxhiu.

Nga 14 komisionet e propozuara, dy partitë e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i udhëheqin nga tri komisione.

Po ashtu, edhe Grupi Parlamentar i PDK-së, pritet të kryesojë me tri komisioni. Por, para se të shkohet në procedurën e themelimit, deputeti Xhelili thotë se PDK-ja i ka vërejtjet e saj për mënyrën se si janë ndarë komisionet.

“Kemi vërejtjet tona në mënyrë se si janë formuar komisionet, mënyrën e zvogëlimit të numrit të komisioneve dhe mënyrën e propercionalitet ose jopropercionaliteti, të cilat janë bërë për kryesimet e komisioneve. Mirëpo, do ta diskutojmë”, tha Xhelili.

Edhe partitë e tjera, parlamentare do të kenë komisionet që do t’i drejtojnë. Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë nën udhëheqjen e vet dy komisione, ndërsa Nisma Socialdemokrate do të kryesojë një komisionin, sikurse dhe partitë nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Por, që propozimi i Kryesisë së Kuvendit të jetë i plotfuqishëm, mbetet që kuvendi të vendosë gjatë seancës së caktuar për të enjten, më 13 shkurt.

Të fundit