E shtunë, 5 Tetor, 2024

Maqedonia e V. ratifikoi protokollin e anëtarësimit në NATO

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e vendit në Aleancën Veriatlantike, por në fuqi do të hyjë pas ratifikimit të këtij dokumenti edhe nga shteti i fundit anëtar i NATO-s, Spanja, e cila për shkak të zhvillimet politike ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Për ratifikimin e protokollit kanë votuar të gjitha partitë politike, në pushtet dhe opozitë.

Autoritetet maqedonase presin që Spanja ta ratifikojë protokollin në muajin mars.

Vendimi për ratifikimin para kohe të protokollit nga Maqedonia e Veriut është marrë për shkak se kuvendi do të shpërndahet më së voni deri më 16 shkurt, meqë më 12 prill të këtij viti do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Pas miratimit të protokollit, flamuri i NATO-s është ngritur para ndërtesës së kuvendit në Shkup.

Zhbllokimi i procesit të integrimit euroatlantik erdhi pas ardhjes në pushtet të LSDM-së që drejtohet nga ish-kryeministri, Zoran Zaev, i cili zgjidhi kontestin për emrin me Greqinë.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se anëtarësimi në NATO nuk do të ishte i mundur pa ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur viteve të fundit, si raportet e mira me fqinjët dhe marrëveshja me Greqinë, pa të cilat, sipas tij, nuk mund të paramendohej arritja e këtij momenti, ratifikimi i protokollit për anëtarësim në NATO.

“Anëtarësimi në NATO, privilegj dhe obligim është rrumbullaksim i shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit”, ka deklaruar Pendarovski.

Në një paraqitje para opinionit, Zaev ratifikimin e protokollit e vlerësoi si arritjen më të madhe të vendit pas pavarësisë nga ish-shteti komunist i Jugosllavisë.

“I gjithë populli ynë, të gjithë qytetarët tanë, janë krenar për këtë sukses tonin. Maqedonia e Veriut anëtarja e 30-të e NATO-s. Të gjitha ne, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vllahë, boshnjakë jemi pjesë e Aleancës më të fuqishme në botë. Pas shumë dekadave pasiguri, bllokada, regjim, izolim, përfundimisht i hapëm rrugën anëtarësimit në NATO. Ne ishim të vendosur të zgjidhim problemet dhe jo t’i fshehim ato, dhe në fund ia arritëm për të mirën e të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Zaev.

Protokolli është votuar edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Nikolla Micevski tha se “VMRO-ja në vazhdimësi ka përkrahur dhe do të përkrahë integrimet euroatlantike, por gjithmonë duke mbajtur llogari edhe për interesat nacionale dhe shtetërore të Maqedonisë”.

Protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO u nënshkrua një vit më parë në selinë e Aleancës në Bruksel. Më 6 shkurt, 2019, pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov tha se Maqedonia e Veriut nuk ishte më vetëm, tani do të ketë 29 aleatë. Më pas, shtetet e tjera anëtare të Aleancës ratifikuan protokollin, por për shkak të krizës politike në Spanjë dhe zgjedhjeve, ata ende janë në pritje të dritës së gjelbër.

Maqedonia e Veriut ka bërë një rrugë e gjatë deri në anëtarësimin në NATO. Procesi i anëtarësimit ka nisur në fund të vitit 1993, kur parlamenti pati miratuar një rezolutë për anëtarësimin në Aleancë. Në vitin 1999, në Samitin e Uashingtonit, Maqedonia e Veriut fitoi statusin e shtetit kandidat për anëtarësim të plotë në këtë organizatë.

Në vitin 2008 ajo mori një ofertë për anëtarësim të plotë, por që dështoi për shkak të vetos nga ana e Greqisë për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit. Pas mosmarrëveshjes gati prej dy dekadave, më 17 qershor të vitit 2018, Shkupi dhe Athina zgjidhën kontestin e emrit me çka Maqedonia mori emrin Maqedonia e Veriut. Pas kësaj Greqia hoqi veton dhe Shkupi nënshkroi një protokoll për anëtarësim në Aleancë. Protokolli është ratifikuar nga të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-së, përveç nga Spanja dhe deri se këtë ta bëjë ky vend, Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në të gjitha organet e Aleancës, por pa të drejtë të votës.

Të fundit