Enti shtetëror i revizionit ka filluar të shqyrtojë punën e PSP-së, në pjesën e kompensimeve që kanë marrë prokurorët dhe bashkëp unëtorët e tyre. Raporti pritet të finalizohet në korrik. Ndërkohë, numri një i këtij institucioni thotë se do të ndiqen edhe harxhimet e partive politike para dhe pas zgjedhjeve.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Enti shtetëror i revizionit ka filluar revizionin e Prokurorisë Publike në pjesën e kompensimeve që i kanë marrë prokurorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Revizioni do të zgjasë tre muaj. Më pas Katica Janeva mund të japë vërejtje, kurse raporti përfundimtar pritet kah fundi i korrikut, thotë drejtori i Entit shtetëror për revizion Maksim Acevski. Ai në intervistë për REL flet edhe për revizionin e partive politike gjatë zgjedhjeve dhe mënyrën e financimit të tyre si dhe për atë pse raportet e revizorit me vite nuk kanë zgjidhje juridike, transmeton KDP.
Sipas paralajmërimeve për programin e sivjetshëm të Entit për revizion, PSP-ja është në radhë për revizion. Drejtori i Entit për revizion Maksim Acevski thotë se kanë filluar përgatitjet e raportit dhe pritet të përfundojë deri më 8 maj. Pas përfundimit, subjekti, gjegjësisht udhëheqësi i institucionit, në këtë rast Katica Janeva, në afat prej 30 ditësh, ka të drejtë të shtrojë vërejtje, ndërsa pas këtij afati, thotë Acevski, veprohet në bazë të raportit.
“Presim procesi i revizionit të përfundojë në fillim të muajit maj…më pas, subjekti i revizionit ka të drejtë ligjore për vërejtje të raportit edhe pse PSP-ja nuk ekziston më si subjekt ligjor, por udhëheqësi i subjektit në atë kohë, Katica Janeva, ka të drejtë për këtë. Pas kësaj periudhe, veprojmë në përfundimin e raportit, në pjesën e të ardhurave që u janë paguar prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, kështu që unë pres të përmbyllet deri në fund të korrikut”, thekson Acevski.
Gjatë periudhës para dhe pas zgjedhjeve, Enti për revizion do t’i ndjekë harxhimet e partive politike. Acevski thotë se enti ka dalë disa herë me propozime ligjore për zgjidhjen e disa dobësive gjatë këtij procesi, ku njëra ndër to është mundësia që partitë politike të marrin donacione pas procesit zgjedhor, që sipas tij nuk është e drejtë.
“Propozimi ynë është të krijohen kushte të njëjta mes partive politike dhe e drejta për donacione të përkufizohet deri në momentin kur zgjat fushata parazgjedhore, jo më vonë, për veprim sa më të drejt ndaj të gjitha partive. Ky propozim i yni u refuzua dhe tani duhet të punojmë përsëri me rregullat e vjetra. Një parim i Entit në lidhje me këtë periudhë është që të gjitha harxhimet të cilat do të kryhen gjatë periudhës parazgjedhore të paguhen përmes llogarisë ose buxhetit të hapur për këtë qëllim, sepse në praktikë ky parim nuk respektohet”, thekson Acevski.
Këtë vit subjekt i revizionit do të jenë vetëm pagesat e rregullta të punëtorëve të PSP-së e jo bonuset dhe pagesat e tjera. E nga ana tjetër paraqiten probleme në lidhje me revizionin edhe te institucionet e tjera, për të cilat Enti ka dorëzuar mbi 56 raporte, por nuk ka marrë përgjigje nga të njëjtat, thotë Acevski, i cili shton se duhet rregullativë më të mirë ligjore që do t’i shmangte këto vrima dhe ngecje të procesit. Sipas tij, me propozime ligjore për rregullativë të këtyre çështjevedo të dilet pas zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit.