E premte, 26 Korrik, 2024

NEXHMIJE PAGARUSHA, ZËRI I PËRVEÇËM I KËNGËS SHQIPE

Universi shqiptar përshpirtshëm ishte njëjtësuar më atë zë të përtejmë, të Nexhmije Paragrushës, që buronte nga një kohë e parme, nga ato lartësira bukurish shqiptare, që zbrisnin ngadalë si erëra të buta, si përmallje në botën e qashtër baritore shqiptare.

 

Nga KDP

Është këputur sot nga qielli i botës shqiptare, ylli i përndritur i muzikës, Nexhmije Pagarusha. Një zë i përveçëm, i përtejmë që kishte ngjizur brenda vetes, tonet më të bukura të botës shqiptare. Brenda zërit të saj unik dhe të papërsëritshëm notonin tonet më të thella të ekzistencës, gjithë bukuria e pamatë e fushave dhe e maleve që përmes interpretimit të Nexhmije Pagarushës tashmë kishin përftuar dimensionin e magjishëm artistik.

Muzika popullore shqiptare me Nexhmije Pagarushën kishte gjetur zërin e shpërfaqjes estetike, artisten e përmasave të jashtëzakonshme, që me aq dashuri dhe pasion e kishte kultivuar gjatë gjithë karrierës së saj. Universi i muzikës shqiptare përshpirtshëm ishte njëjtësuar më atë zë të përtejmë që buronte nga një kohë e parme, nga ato lartësira mitologjish shqiptare, që zbrisnin ngadalë si erëra të buta, si përmallje në botën e qashtër baritore shqiptare.

https://www.facebook.com/KlubiDebatitPolitik/videos/225352245145485/

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera . Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu. ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

https://www.facebook.com/KlubiDebatitPolitik/videos/2949165148448301/

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea.

 

 

Të fundit