E hënë, 11 Nëntor, 2024

Rama: SHBA-ja e transformoi rajonin e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani Perëndimor është një rajon më i mirë, para së gjithash falë Shteteteve të Bashkuara, transmeton Zëri i Amerikës.

Ai gjatë një diskutimi në Këshillin Atlantik në Uashington, tha se SHBA-ja ka kontribuar tek transformimi i Ballkanit Perëndimor – nga një zonë me armiqësi dhe kapitujve të gjatë të konfliktit dhe gjakderdhjes – në një zonë paqeje dhe bashkëpunimi.

“Por, sigurisht ende nuk jemi ku mundemi dhe duhet të jemi, sepse ka akoma çështje dhe probleme për të zgjidhur dhe ne shpresojmë në ndihmën e miqve amerikanë dhe si komb shqiptar, si shqiptarë që jetojmë jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, jemi absolutisht në një gjendje më të mirë”, ka thënë Rama.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Rama ka takuar edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Sipas zëdhënëses Morgan Ortagus, sekretari Pompeo dhe kryeministri Rama diskutuan mbi përparësitë e përbashkëta gjatë kryesimit nga Shqipëria të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/587145155462350/

 

Ndërkaq përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama tha se me sekretarin Pompeo ka biseduar për projektin e Mini-Shengenit rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi.

Si Sekretari Pompeo ashtu edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brian vlerësuan angazhimin e Shqipërisë për kontributin në aleancën e NATO-s dhe kundërvënien ndaj veprimeve malinje të Iranit.

Në vitin 2013, Shqipëria ka rënë dakord për të pranuar anëtarët e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, me kërkesë të Uashingtonit dhe Kombeve të Bashkuara.

Ata aktualisht jetojnë në një kompleks në veriperëndim të këtij vendi.

Sekretari Pompeo theksoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe përpjekjeve të tanishme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Por, kryeministri Rama gjatë një adresimi para Këshillit Atlantik, nuk pranoi të bënte parashikime për kohën e mundshme të hapjes së negociatave të anëtarësim në BE.

Megjithëse metodologjia e re për zgjerimin e BE-së po shihet si një mundësi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta marrin ftesën në mars, kryeministri Rama tha se nuk mund të thotë nëse kjo do të ndodhë, sepse bëhet fjalë për 27 vende.

“Nuk i dihet kurrë se ç’ndodh me njërin prej tyre dhe mund të thotë ‘jo nuk jemi gati për ta’”, tha Rama.

Të fundit