Autor: Sefer Selimi Jr.
Pas më tepër se katër muaj përpjekjesh Republika e Kosovës fitoi qeverinë e saj, e udhëhequr nga politikani jo-konvencional, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Rrugëtimi i tij drejt pozitës më të lartë në ekzekutivin e Kosovës u ndoq nga shumë peripeci, kontradikta dhe përplasje me kundërshtarët politik por edhe me vetë bashkëpunëtorët e organizatës së tij politike. I njohur për qëndrimet dhe veprimet e tij radikale Kurti pas vetes krijoi një grup ndjekësish fanatik që i qëndruan besnik gjatë gjithë kësaj kohe por edhe shumë armiq të përbetuar të cilët nuk do të ndërpresin aktivitetin e tyre për eliminimin e tij nga skena politike.
Në realitetin e ri tani më ai ndodhet para një detyre të jashtëzakonshme për të përmbushur premtimet e dhëna, të arsyetoj veprimin e tij opozitar dhe të ndërtoj qeveritarin për të cilin ka predikuar gjatë gjithë kësaj kohe. Do të ishte e lehtë të dakordohemi që kjo është e pakta që mund të pritet nga një politikan i cili kërkon votën e qytetarëve për të marrë pushtetin por si në shumë raste të tjera kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Sfida e tij e parë ishte përballja me krijimin e shumicës parlamentare që do ti jepte pushtetin ekzekutiv. Thuajse të gjithë prisnin që ky proces do të kaloj lehtë, madje edhe vetë Kurti i cili ishte i bindur që do të ndërtoj shumicën parlamentare 72 orë pas certifikimit të rezultatit duke u bazuar në logjikën demokratike se dy forcat opozitare morën bekimin e qytetarëve për të udhëhequr Kosovën. Atë që e neglizhoi, ndoshta me dashje, ishte fakti që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është një parti as për së afërmi e njëjtë me partinë e tij. LDK është partia më e vjetër e Kosovës e cila ka pasur pushtetin më shumë se çdo parti tjetër dhe për më tepër ka bashkëqeverisur me të gjitha partitë tjera përveç se me LVV-së. Konstelacionet poltike brenda partisë së presidentit historik Rugova kanë ndryshuar dhe ajo LDK nga e kaluara, e njohur si grupim i intelektualëve dhe mendjeve të ndritura, i takon historisë ndërkohë që sot e njëjta është një grupim interesash kryesisht personale dhe nuk ka ndonjë diferencë nga PDK, AAK apo cilado parti tjetër që vepron në Kosovë. Ishin të turpshme pamjet nga zgjedhjet brendapartiake të LDK-së të cilat u ndoqën nga përplasje fizike për kapjen e pozitave udhëheqëse që është tregues se morali i tyre politik ka vdekur ndoshta bashkë me Ibrahim Rugovën. Prandaj suksesi i kësaj qeverie nuk do të mund të parashihet pa marrë parasysh variabilen e partnerit të koalicionin me të cilin e ndan pushteti baraz. Cilat do të jenë sfidat që do ta presin Qeverinë Kurti:
Lufta kundër korrupsionit – Ashtu si në të gjitha shtetet e Ballkani Perëndimor, kërcënimi më i madh për sigurinë, mirëqenien dhe perspektivën e qytetarëve është korrupsioni i metastazuar në të gjitha nivelet qeverisëse. Lufta kundër këtij fenomeni nuk mund të përqendrohet vetëm tek qeveritarët aktual por kërkon edhe ndëshkimin e atyre që në të kaluar kanë keqpërdor pushtetin. Ky mision është tejet i vështirë për më shumë arsye por kryesoret janë pushteti i gjyqësorit që është i kontrolluar nga të korruptuarit dhe rreziku nga drejtësia selektive. Kjo e dyta kryesisht ka të bëj me LDK-në, funksionarët e të cilës mund të kursehen për ta mbajtur gjallë qeverinë.
Dialogu me Serbinë dhe zgjidhja përfundimtare – Qëndrimet e vrazhda por edhe populiste nga e kaluara e vendosin z. Kurtin në pozicion të vështirë si brenda në Kosovë ashtu edhe në tryezën e bisedimeve. Tani ai do të duhet të gjej një balancë për të ruajtur kredibilitetin e vet politik në ndërkohë që do të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur në një marrëveshje përfundimtare, e kërkuar me ngulm nga administrata e presidentit Trump. Komplikime shtesë mund të jenë edhe zgjedhjet e Prillit në Serbi, politikanët e të cilës përdorin retorikën nacionaliste kryesisht kundër pavarësisë së Kosovës si kalë beteje në fushatat parazgjedhore, gjë që mund ti largojë edhe më tepër nga pozicionet e përafërta të dyja palët.
Zhvillimi ekonomik dhe ikja e të rinjve – Ndonëse Kosova ka rritjen të vazhdueshme ekonomike kjo nuk përkthehet në mirëqenie për të gjithë qytetarët. Kushtet e vështira ekonomike por edhe sociale janë faktorët kryesor që nxisin qytetarët e Kosovës, kryesisht të rinjtë, që ta braktisin vendin në kërkim të shanseve më të mira. Gjetja e mekanizmave të duhur që do të japin rezultate afatshkurtra është e vështirë dhe ndërprerja e trendit të migrimit rrezikon jo vetëm Kosovën por të gjithë rajonin.
Kosova ka sakrifikuar shumë për të arritur pavarësinë e saj dhe për fat të keq ata që duheshte të kujdesen më së shumti për ta materializuar atë sakrificë e keqpërdorën për interesa personale. Tani Kosova ka një shans për ta rikthyer shpresën dhe kjo do të varet më së shumti nga maturia politike e kreut të ekzekutivit, një shans që vështirë të përsëritet edhe një herë prandaj koha e deklaratave idealiste ka përfunduar dhe është koha që Albin Kurti të marrë përgjegjësinë e plotë të cilën e ka kërkuar me kaq ngulm gjatë gjithë kësaj kohe.