Autor: Sefer Tahiri
Ka mundësi që këtyre ditëve, me të drejtë, sidomos gjeneratat e reja në Kosovë, kjo “gjenerata e kullerave” dhe ndonjë patriot i regjur “kosovar”, së bashku të gjithë si në kor, të çuditen si me ra nga marsi se pse gjithë ky interesim i madh, madje i tepruar i shqiptarëve të Maqedonisë për Kosovën, zgjedhjet, të ardhmen e saj…
Një koleg- gazetar nga Kosova, në Prishtinë pas ndarjes së çmimit “Ali Shala” për gazetarët më të mirë sportiv më bindte se ne kemi shtetin tonë, paguajmë taksat në këtë shtet, votojmë këtu, jemi pjesë e institucioneve, kemi përfaqësuesit tanë në sistem e shumë argumente tjera, që juridikisht dhe në aspektin kushtetues- ligjor janë të qëndrueshme.
Pra, me fjalë tjera thoshte që ne duhet të jemi patriot, në kuptimin që fjala patriot do të thotë të duash paterin, pra babanë, e që në përkthim do të thotë të duash atdheun ku jeton, Maqedoninë e Veriut! E tërë kjo politikisht, juridikisht, sociologjikisht është e qëndrueshme, por ka disa ndërlidhje që përbëjnë një identitet të unifikuar kulturor dhe gjuhësor e që formëson atë etnik! Kjo më nuk është çështje Kushtetute, ligji, sistemi, përfaqësimi…
Do mundohem, të shpjegoj se pse shqiptari i Maqedonisë së Veriut thotë “Edhe unë jam Kosovë”, natyrisht me distancimin se çështja nuk mund të shtrohet si trajtesë e një vrojtimi “ad hoc” sociologjik dhe politologjik!
Sociologu Fehmi Agani, ideologu i çështjes shqiptare me të drejtë thoshte “Kosova është Piemonti i shqiptarisë”.
Fizikisht jemi shumë afër dhe rrjedhimisht kemi lidhje të veçanta familjare, fisnore, por dhe kulturore, historike dhe politike me Kosovën. Kemi vuajtur dhe kemi kënduar së bashku!
Një pjesë bukur e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë me vite dritare të vetme informimi kishin RTVP-në, zërat e mrekullueshëm të të cilëve i dëgjonim dhe i shikonim me ëndje, ndërsa për mua kanë qenë model i gazetarisë refuzuese ndaj sistemit. Gazetaria midis tjerash kërkon edhe guxim!
Ne gjithmonë me përulje, por edhe ballëlartë duhet të themi hapur se indin kulturor shqiptar na e ka ruajtur gjallë, midis tjerash Universiteti i Prishtinës. Atyre burrave dhe grave mësimdhënëse, që kanë arsimuar gjenerata të tëra shqiptarësh ndër ne, duhet thënë faleminderit dhe respekt pafund.
Ne, së bashku me shqiptarët e Kosovës, kemi qenë pjesë e një sistemi, sado i keq që ka qenë ai dhe brenda tij kemi pasur shumë më shumë interaksione ekonomike, kulturore, arsimore e politike. Kemi pasur halle të njëjta. Shqiptarët këndej kufirit burgoseshin sepse brohoritnin Kosova Republikë.
Kam qenë klasa e 7-të, kur për shkak se një nxënës kishte shkruar në dërrasë të zezë Kosova Republikë, pushteti urdhëroi që në çdo klasë të lexohej vendimi për dënimin e shkrimit të kësaj parulle vetëm pse ishte shkruar Kosova Republikë. Një nxënës e kishte shkruar! Paramendoni.
Në stadiumet tona brohoritej “Jetën e japim, Kosovën se japim”. Ju kujtohet edhe ajo e famshmja “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë” !
Pas viteve 90- ta, politika shqiptare në Maqedoni gjithmonë i ka dhënë përparësi Kosovës, statusit të saj, pavarësimit të saj. I ndjeri Arbën Xhaferi në doktrinën e vet politike vend të veçantë i kushtonte Kosovës. Ne e pranonim si fakt të kryer që para statusit tonë, duhet zgjidhur statusi i Kosovës. Që të jem i sinqertë, në punën time profesionale si gazetar e kam pranuar me vetëdije këtë logjikë, duke vlerësuar edhe sot se ka qenë e drejte! Kjo është më tepër shpjegim për ata që disi me prepotencë thonë “Ju keni shtetin tuaj, atje zgjidhni çështjet tuaja”!
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për Kosovën. E dëshmuan në vitin 1999, gjatë luftës çlirimtare, i hapën shtëpitë e tyre, siç i hapën shqiptarët në Kosovë në vitin 2001. Bllaca, gjithmonë do të jetë trualli i kujtesës së përbashkët historike të një golgote, që rrallë e njeh historia e njerëzimit.
Në një rast, para zgjedhjeve, kam thënë se “Tani e ka radhën Kosova të sakrifikojë për ne”! Duke parë entuziazmin e shqiptarëve të Kosovës, them se Kosova, qeveria reformatore e Albin Kurtit nuk ka nevojë të sakrifikojë asgjë për ne. Sakrificë më e madhe për ne do të ishte ndërtimi i Kosovës si shtet i së drejtës! Kjo është pak dhe në të njëjtën kohë shumë për të gjithë shqiptarët!
Më 26 mars do të luhet ndeshja historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për EURO 2020. Shqiptarët do kishin dashur që të kaulifikohen të dy shtetet, edhe pse kjo matematikisht është e pamundur. Një gjë është e sigurt: nuk do tu prishet zemra nëse plasohet Kosova!
Marrë nga profili i autorit në Facebook