Kreu i ASH-së, Zijadin Sela, ka theksuar se ua ka dërguar ofertën përfundimtare dy subjekteve tjera, Alternativës dhe Lëvizjes Besa. Sipas tij, brenda 48 orëve do të dihet nëse do të ketë një koalicion trepalësh. Nëntekstet e deklarimeve politike nuk lënë shumë hapësirë për të shpresuar. Sidoqoftë, duket se gjithçka do të vendoset në orët e fundit. Orët e fundit të ditës duhet t’iu japin fund dilemave të bashkëpunimit opozitar në bllokun politik shqiptar.
Analizë e KDP-së
Menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për më 12 prill, kanë filluar kombinatorikat për formimin e një koalicioni opozitar në bllokun politik shqiptar. Paraprakisht, në zgjedhjet për president të shtetit, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kishin marrë pjesë në garën zgjedhore presidenciale me kandidatin të mbështetur nga të dy partitë, Blerim Reka.
Shenjat për një bashkëpunim për krijimin e një blloku opozitar tashmë ishin dhënë me kohë, por duket se faza parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka imponuar kombinatorika tjera, të cilat janë shfaqur të komplikuara në harmonizimin e qëndrimeve.
ASH brenda kohës si bartëse e idesë për krijimin e një fronti opozitar ka theksuar se është në bisedime me Alternativën dhe me Lëvizjen Besa, ndërkohë që dy partitë tjera janë prononcuar për bashkëpunim, por secila duke shfaqur konceptin e vetë mbi koalicionimin.
Duket tashmë se çështja e koalicionimit mes partive opozitare në bllokun politik shqiptar është në fazën e fundit të rrumbullakimit, ndërkohë që nuk dihet se cili do të jetë finalizimi i kësaj nisme, nëse do të ketë ose jo koalcionim trepalësh. Prononcimet më të fundit politike nga ana e partisë së Gashit dhe Bilallit, e bëjnë të paparashikueshëm koalicinimin trepalësh.
Duket se shizma e mëhershme mes këtyre dy subjekteve, pavarësisht nga prononcimet për gatishmëri për formimin e koalicionit, krijon padurime politike të cilat vështirë mbeten për t’u menaxhuar në këtë fazë të krijimit të koalicionit.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, gjatë këtyre ditëve ka theksuar se do të dërgojnë ofertë deri tek subjektet politike me të cilat mund të realizojnë koalicion parazgjedhor dhe se brenda 48 orëve do të kuptohet gjithçka rreth koalicionit të mundshëm.
“Do të ju drejtohem me ofertë konkrete partnerëve të cilët ne i kemi llogaritur që duhet të jenë pjesë e koalicionit të 12 prillit me ofertë konkrete për gjithçka, sepse nuk mjafton që të thuhet se jemi apo s’jemi për koalicion tre palësh. Në lidhje me këtë ofertë do të ju njoftojmë brenda 48 orëve”, ka theksuar Sela.
Lëvizja “Besa” ofertën e pazbardhur të ASH-së e ka quajtur “ të pakuptueshme dhe të paqartë”. Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa ka ripërsëritur se si subjekt politik janë për një bashkëpunim parazgjedhor. Por ai ka theksuar se deklaratat e kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela për një vendim brenda 48 orëve janë jo serioze dhe paraqesin ultimatum.
“Në bazë të një oferte publike të Aleancës për Shqiptarët prej para një muaji e më shumë qysh më 8 janar të këtij viti, Kryesia Qendrore e Lëvizjes Besa solli vendim për të pranuar mundësinë e bashkëpunimit trepalësh komfor ofertës së Aleancës. Ne ende nuk kemi marrë përgjigje për takim trepalësh. Ne një ofertë publike përmes mediave, në formë ultimatumi që për ne nuk është i kuptueshëm dhe i qartë, Aleanca bëri thirrje për koalicion”, ka theksuar Hoxha.
Ndërkohë, Alternativa e Afrim Gashit nuk është prononcuar për ofertën e pazbardhur, por brenda kohës ka deklaruar se “koalicioni matematikor është joparimor.
“Në politikë kemi dëshmuar se jemi parimorë dhe gjithmonë përpiqemi për politikëbërje konceptuale. Prandaj edhe qasja ndaj koalicionit ka qenë për koalicion sinergjik dhe komplementar e jo për aritmetik, pasi që koalicioni aritmetik nuk garanton fitore bindëse dhe është joparimor”, ka theksuar në një prononcim për media, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Pavarësisht nga prononcimet për gatishmëri bashkëpunimi, një koalicion i mundshëm trepalësh mbetet akoma pezull edhe pas ofertës së pazbardhur të kryetarit të ASH-së, Zijadin Sela. Duket se partitë kanë dallimet e tyre, ndërkohë që akoma nuk mund të thuhet se gjithçka ka përfunduar, përkundër faktit që vërehet në deklarime një afrim pak më i madh mes ASH-së dhe partisë Alternativa.
Nëntekstet e deklarimeve politike nuk japin shpresa për një koalicion të mundshëm trepalësh. “Goditjet” e lehta me nëntekste duket se e komplikojnë rrumbullakimin e krijimit të një blloku opozitar trepalësh.
Sot është dita D e ofertës së ASH-së. Është paralajmëruar se përfundimisht do të dihet nëse do të ketë një koalicion trepalësh ose jo. Duket se gjithçka do të varet nga momentet e fundit, nga vendimet e orëve të fundit.