E shtunë, 12 Tetor, 2024

Nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.

Marrëveshja është nënshkruar nga liderët e të dy partive, Albin Kurti (Vetëvendosje) dhe Isa Mustafa (LDK).

Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan se qeveria e ardhshme do të ketë 15 ministri.

“Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tash me kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha, përveç për harmonizimin të programit edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re ku ne do të bashkëqeverisim”, tha i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti.

Kryetari i Lidhjes demokratike Isa Mustafa tha se dy partitë dëshirojnë që qeveria të jetë e suksesshme dhe siç u shpreh ai, të realizojë pritjet e qytetarëve.

“Ne kemi arritur marrëveshje dhe vlerësojmë se është marrëveshje e mirë është në interes të ndryshimeve që domodosshmërishtduhet të ndodhin në vendin tonë”, tha Mustafa.

Dy partitë do të mbledhin organet vendimmarrëse që ta miratojnë marrëveshjen.

Sipas kësaj marrëveshjeje, LVV pritet të udhëheqë 6 ministri, aq sa dhe LDK-ja. Ndërkaq, 3 ministri do t’i takojnë komuniteteve. Qeveria do të ketë dy zëvendësministra dhe rreth 33 ministra, njoftoi Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se Glauk Konjufca, i cili ishte zgjedhur në krye të institucionit legjislativ më 26 dhjetor, nuk do të japë dorëheqje, por do të marrë një post qeveritar.

Çështja e presidentit nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, tha lideri i LDK-së Isa Mustafa.

“Sa i përket presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar. Do të jetë çështje për të cilën do të dakordaohemi unë dhe Kurti si lider politik dhe do ta zgjedhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme”, tha Mustafa.

Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj më herët ka thënë se lajmin se LVV dhe LDK kanë arritur marrëveshje “është veprim i duhur dhe konkretizim i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor”.

“Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/1590076561116752

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Megjithatë, në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Të fundit