E premte, 4 Tetor, 2024

Kurti do të takojë përfaqësuesit e Listës Serbe

Lideri i “Vetëvendosjes” njëherit mandatar për formimin e Qeverisë, Albin Kurti do të takojë më 30 janar, përfaqësuesit e Listës Serbe, në kuadër të negociatave për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, mbajtjen e takimin.

“Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës, LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshi edhe minoritetin serb. Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës sidomos në fushat që kanë impakt në jetën e këtij komuniteti”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

Partia që doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, thotë se me përfaqësuesit e komuniteti serb, Kurti do të diskutojë për për udhëheqjen e “ministrisë që do të drejtohet nga komuniteti serb, siç e garanton Kushtetuta”.

Drejtuesi i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti pritet të paraqesë përbërjen e kabinetit të ri në Kuvend, javën e ardhshme. Bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës – pa votat e së cilës ai nuk mund të formojë qeverinë – ende nuk janë përmbyllur.

Më herët Kurti ka deklaruar se ai më parë do ta shihte Listën Serbe në opozitë dhe do të preferonte të bashkëpunonte me politikanët serbë që e njohin Kosovën, “sesa me ata në Beograd që bëjnë presion në serbët e Kosovës dhe që dëshirojnë të bëhen dirigjues në punë e brendshme të Kosovës”.

Të fundit