E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kur Rama ka të drejtë…

Nga Artur ZHEJI

Nuk ka shumë rëndësi që është e vonuar kjo rrugëzgjidhje e guximshme dhe është radikale në të njejtën kohë.
Vendimi për të shembur ndërtimet abuzive, të cilat ishin mirëfilli vrasëset e mjaft shqiptarëve, në tërmetin e 26 nëntorit 2019, është një vendim i drejtë, shpresojmë jo thjesht propagandistik dhe i monitorueshëm hallkë pas hallke, e pa kursyer interesat e miqve të shumtë ndërtues të kryeministrit.
Kur është tepër, është tepër! Ndoshta Rama, e ka sot fuqinë të bërtasë në Kuvend për këtë gjë, por nuk e dimë nëse e ka fuqinë të veprojë në terren, për të shkatërruar abuzimet e miqve të miqve, që janë edhe zotërues të mëdhenj të pronave ne bregdet.
Porse ai, duhet të korrigjojë edhe tezat e tija të dikurshme, mbi Tiranën, që e shpalli “një kryeqytet ambicioz, qe do të zhvillohet në lartësi!…”. Nëse e ka vetëdijen minimale që jemi një vend më sizmicitet të lartë dhe s’kemi dot mundësitë reale, të ndërtojmë cilësisht si Japonia, e më the e të thashë…
Duhet pra një korrigjim i thellë dhe jo vetëm spektakli i hedhjes në erë të ndonjë godine, për të ushqyer mediat me skupin e rradhës.
Lejet e tmerrshme, që janë dhënë rrotull liqenit artificial të Tiranës, janë lartësi marramendëse dhe me volume monstruoze dhe sjellin natyrshëm pas, ndotje progresive të garantuar dhe ato kanë si shumçka në këtë qytet, vulën e tij, krejtësisht të fajshme, moskokëçarëse dhe të papërgjegjshme.
Por ndoshta, le ta shpresojmë këtë, që është ngritur këtë mëngjes, me mend të tjera, sepse lojës politike, duket që i ka ardhur fundi dhe kryeministri, gradualisht po na adapton të gjithëve, po birëson të gjithë politikanët shqiptarë, të gjithë sipërmarrësit dhe pse jo, edhe popullin, përtej të djathtës dhe të majtës…
Le të prishen pra ca shtëpi abuzive dhe ca kate pa leje, më mirë se sa të legalizohen me porosi dhe me zarfet që shkojnë e vijnë.
Me këto tërmete dhe me këto viruse që po sulmojnë gjithë Planetin, duket se ka ardhur veza në vërrë, për të dalë, apo për të plasur.
Hajde le ta shohim këtë vezë të vitit të ri që sapo erdhi.

Të fundit