Bashkimi Evropian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar të enjten në Prishtinë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Këto komente, Borrell i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Zyrtari i lartë i BE-së tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar që të lehtësojë arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi këtu që ta lehtësojmë marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Të njëjtën gjë po e bën edhe zoti Grenell. Unë nuk po shoh se ka dallim. Ne nuk po bëjmë gara njeri me tjetrin, ne duam të punojmë së bashku pa dallime, nuk po kërkojmë që të arrijmë patjetër sukses, por po kërkojmë që të jemi aty, të bëjmë shërbimin tonë, dhe të arrijmë një rezultat”, tha Borrell.
Shefi i diplomacisë evropiane tha se Bashkimi Evropian nuk do të duket i kompletuar pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor.
“E di dhe i shoh vuajtjet dhe problemet që ju dhe shtet e tjera i kanë pasur dhe ne duam të sigurojmë stabilitet dhe siguri për secilin. Nuk po e themi këtë për shkak të publikut, por sepse e mendojmë kështu. Kjo është edhe në interesin tonë gjithashtu. Stabiliteti në rajon dhe siguria, prosperiteti e liria e secilit shtet në Evropë është në prioritetin tonë”, tha Borrell.
Ai tha se Brukseli do të dëshironte që ta sheh sa më shpejt qeverinë e re të Kosovës të formuar për të vazhduar punët e shumta që e presin.
Ndërkaq, duke u ndërlidhur me procesin e liberalizimit të vizave, për çka edhe janë rritur frustrimet në Kosovë, Borrell tha se nuk mund të garantojë asgjë pasi që vendimi merret nga shtet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Mund të them se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave dhe është koha e duhur që të lëvizet dhe të përfundohet me kërkesat teknike”, tha ai.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se vizita e Borrell-it në Prishtinë, është shumë e rëndësishme në një kohë vendimtare, siç tha ai, për të ardhmen e Kosovës.
“Vetë vizita e parë që Borrell po e zhvillon në Kosovë për të vazhduar tutje në rajon e Ballkanin Perëndimor, tregon rritjen e vëmendjes së BE-së drejtë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi. Në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit tonë, integrimet euroatlantike për zhvillimin ekonomik, anëtarësimin në NATO e BE”, tha Thaçi.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/3415712055165796
Në emër të institucioneve të Kosovës, Thaçi i ka shprehur shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, edhe zhgënjimin me mungesën e vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kosova është padrejtësisht e anashkaluar, pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që nevojiten për liberalizim të vizave”, tha Thaçi.
Thaçi tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin dhe më gjerë.
“Pra çelësi i arritjes së marrëveshjes është integrimi evropian dhe koordinimi i ngushtë në mes BE-së dhe SHBA-së. Natyrisht çelësi i suksesit është marrëveshja e drejtë, që nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Thaçi.
Gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, Josep Borrell, mes tjerash, ka zhvilluar edhe një takim me disa nga drejtuesit e partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës ka shkruar në Twitter se me Josep Borrellin, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, ka shprehur qëndrimin se dialogu me Serbinë duhet të rishikohet dhe të rinisë.
“Diskutim i frytshëm sot me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell në vizitën e tij të parë në Kosovë. Theksova se dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të rishikohet dhe të rinisë. Bashkimi Evropian është një fuqi për të mirë dhe mbetet i domosdoshëm për të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Fruitful discussion today with #EU HR @JosepBorrellF on his first visit to #Kosova. I affirmed that EU-facilitated dialogue must be reviewed & renewed. EU is a force for good and remains indispensable for the future of the region. pic.twitter.com/w4MJgijcT4
— Albin Kurti (@albinkurti) January 30, 2020
PDK-ja refuzon takimin me Borrell
Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka bërë të ditur se përfaqësuesit e tyre, nuk do të marrin pjesë në takimin e paralajmëruar me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, tha se takimi është i pakuptimtë në kushtet kur në Kosovë nuk është formuar qeveria e re. Po ashtu, ai tha se ky takim kundërshtohet edhe për faktin se Kosovës ende nuk i është dhenë liberalizimi i i vizave edhe pse janë plotësuar kriteret e kërkuara nga BE-ja.
“Kërkojmë që mos-prezenca jonë të kuptohet edhe si alarm se procesi i dialogut (Kosovë-Serbi v.j) viteve të fundit ka degraduar edhe nga mungesa e qëndrimit me pro-aktiv e determinues të BE-së, si ndërmjetëse e këtij procesi. Kosova ka treguar në të kaluarën përkushtimin e saj në këtë proces. PDK-ja, pas krijimit të institucioneve të reja, në bazë të Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëtve, është e gatshme të angazhohet në proces për të arritur një marrëveshje historike”, tha Veseli.
Pas Kosovës, Josep Borrell do të udhëtojë për në Serbi, ku edhe atje do të takojë përfaqësuesit e shtetit.
Për shkak të pozitës që ka në BE, Borrell pritet të ndërmjetësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Ky dialog është pezulluar në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja.