E premte, 26 Korrik, 2024

Cilësia e ajrit në Maqedoni ka mospërputhje në matje

Autore: Katerina Topalova

Ema trevjeçare, këtë dimër, për së katërti herë bën inhalacion në kushte shtëpiake. Krahët e brishtë të mushkërive të saj të bardha nuk e rezistojnë dot ajrin e ndotur. Barnat e përqendruar dhe të fuqishëm i ndihmojnë të mbushë kraharorin dhe të marrë frymë më lehtë. Nëna e saj, Aleksandra, thotë se për të tretin vit me radhë, familja e saj e matë ndotjen e ajrit sipas gjendjes shëndetësore të Emës.

“Nuk ka stacion matës që është më relevant se hunda e saj. Së pari i zihen hundët, mandej fillon kollitja e pandërprerë, mandej dhimbja në gjoks”, thotë shkupjania 32 vjeçare. “Këtë dimër jam e lumtur, ende e evitojmë me sukses spitalin në Kozle. Vitin e kaluar ishim mysafirë të shpeshtë atje”, tregon Aleksandra.

Kjo familje nuk beson në premtimet e autoriteteve qeveritare për luftën kundër ndotjes së ajrit.

“Nuk mund të prisni vendime dhe zgjedhje afatgjate nga politikanë që nuk bëjnë përpjekje të rregullojnë stacionet matëse që të kemi të dhëna të sakta për ndotjen, e jo më të zotohen për diçka konkrete që do të pastrojë ajrin”, thotë Aleksandra.

Ata jetojnë në Gazi Babë, njëra nga komunat më të ndotura të Shkupit, ndërsa, siç thotë Aleksandra, stacioni matës atje është vazhdimisht i prishur dhe nuk tregon të dhëna për ajrin e ndotur.

Në Maqedoni ka 18 aparate matëse të cilësisë së ajrit. Një e treta e tyre ose 6 janë në Shkup, pjesa tjetër, gjegjësisht 12, janë vendosur në të gjithë vendin. Nga Ministria e Mjedisit jetësor thonë se është numër i mjaftueshëm dhe përmbush kërkesën e direktivës së Bashkimit Evropian

Prej kur Maqedonia e matën cilësinë e ajrit?

Para 11 viteve, me ndihmën e Agjencisë japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, është hartuar sistemi shtetëror i monitorimit automatik për cilësi të ajrit. Me ndihmën e studimit që është kryer në vitin 1997, është përgatitur plan i detajuar për vendosje të sistemit të monitorimit.

Në vitet në vijim, serish me ndihmën e donacioneve të huaja me një vlerë prej rreth 4.2 milionë euro, Maqedonia kompleton rrjetin e instrumenteve që matin cilësinë e ajrit ambiental.

Në vitet e fundit jemi vazhdimisht dëshmitarë se stacionet matëse prishen dhe në periudha kyçe të vitit nuk tregojnë asnjë rezultat. Nga Ministria e ambientit jetësor thuan se kujdesen që të ketë së paku dy instrumente që funksionojnë në kryeqytet. Sqarojnë se ky është minimumi i mjaftueshëm për të mbledhur të dhëna për ndjekje dhe ndërmarrje të masave, sepse, siç thuan prej atje, ajri është fluid dhe nëse në një vend është i ndotur, atëherë logjikisht i gjithë qyteti është i ndotur.

Eli Pesheva nga koalicioni O2 nuk pajtohet me këtë. Apelon që autoritetet të jenë më të angazhuar rreth kësaj çështjeje serioze.

“Neve vazhdimisht na mundojnë informata. Matja më cilësore nuk do të thotë matje cilësore, por për një nuancë e përmirësuar, gjithsesi larg nga e mjaftueshmja. Secili qytet në Maqedoni, i cili ballafaqohet me ndotjen e ajrit, ka burim të ndryshëm i cili është dominues për ndotjen. Edhe në Shkup, komuna të ndryshme kanë përqindje të ndryshme të pjesëmarrjes në ndotje. Te disa është dominuese industria, dikund trafiku, dikund nxemja e shtëpive, dikund ndërtimet intensive, dikun deponitë e egra, që do të thotë se problemi është i ndryshëm në pjesë të ndryshme të qytetit dhe shtetit”, thekson Pesheva.

Me donacione deri te sistemi i shtrenjtë për matje të cilësisë së ajrit

 Stacioni matës në Maqedoni ka gjashtë matës. Një instrument me gjashtë matës kushton 150 mijë euro. Afati i secilit prej tyre është 10 vjet. Deri tani, me ndihmën e donacioneve të huaja janë ndërruar vetëm disa. Shteti, për së pari herë, blen instrumente me mjete nga buxheti. Nga Ministria e mjedisit jetësor thonë se në shtatorin e vitit të kaluar është blerë një analizues i automatizuar për matjen e grimcave të suspenduara (PM10), si dhe një sistem i grumbullimit dhe përpunimit të të dhënave. Nga buxheti janë shpenzuar gjithsej 1.839.620 denarë. Ata thonë se instrumenti në stacionin e monitorimit të Gazi Babës tashmë është riparuar dhe është vënë në funksion.

Në dhjetor, ministria siguroi edhe 5 analizues për matjen e grimcave të suspenduara (PM10) dhe sistem për grumbullimin e të dhënave. Furnizimi kushtoi 6.537.200 denarë. Investimi në stacionin matës ishte pjesë edhe e programit strategjik të qeverisë.

Sërish, sektori qytetar akuzon se pakujdesia e vazhdueshme për stacionin matës e kanë vërejtur edhe të huajt-donatorët. Eli Pesheva nga koalicionin O2 thekson se të gjithë palët e interesit duhet të vetëdijesohen.

“Me shtimin e ca instrumenteve matëse në ca stacione matëse nuk e zgjidhim problemin. Edhe po ta mbulojmë matjen e grimcave PM10, nuk e mbulojmë edhe të ndotësve të tjerë. PM 2.5, i cili është thelbësor për ndotjen dhe pasojat për shëndetin e njeriut, nuk matet kudo. Plumbi, nikeli, arseniku, dioksinat e tjerë nuk maten, domethënë neve do të vazhdojmë të na mungojnë informacionet kryesore, dhe pa informacione kyçe nuk mund të hartojmë strategji të shëndoshë që do të ketë rezultate në plan afatgjatë. Të gjithë shkaktarët e ndotjes duhet të merren parasysh dhe të veprohet mbi të gjithë në të njëjtën kohë”, thotë Pesheva nga koalicionit O2.

Pesheva thekson se vendi nuk do të kishte arritur në këtë nivel po të kishte kujdes nga institucionet gjatë gjithë këtyre viteve.

“Vetë donatorët i kanë mirëmbajtur dhe kalibruar stacionet matëse me vite të tëra pas donacionit, që do të thotë se shteti kurrë nuk ka investuar asgjë në to. Donatorët, duke vërejtur neglizhencën institucionale u tërhoqën nga pjesëmarrja e mëtejshme, dhe në këtë moment shteti duhet të tregojë të paktën shqetësim minimal për ndotjen, gjegjësisht për gjetjen e shkaktarëve. Faktikisht, duhet të matet çdo orë për të zbuluar shkakun e problemit dhe të punohet për parandalim. Pa të dhëna të sakta, asesi nuk mund të hartohet një strategji”, thotë Pesheva.

Ajo thekson se kyçe në tërë çështjen është se Maqedonia nuk ka laborator referent i cili do të kontrollojë se çfarë dhe si hyn në vend.

“Nëse kemi indikacione për ndotje, inspektorët shkojnë në terren, por laboratori ynë akoma nuk është i akredituar edhe pse ekziston në ministrinë e mjedisit jetësor”, përfundon Pesheva.

Stacioni matës ka një rëndësi të veçantë pasi është i vetmi matës i besueshëm i cilësisë së ajrit. Falë numrave që tregojnë këto instrumente zhvillohen analizat dhe strategjitë për luftimin e ndotjes në vend.

Për vite me radhë, Maqedonia qëndron krye të listave botërore të vendeve më të ndotura në botë. Numri i të sëmurëve që si shkaktar kanë ajrin e ndotur është në rritje e sipër. Iniciativa “О2”  publikoi shifra shokuese të të vdekurve në vendin tonë si pasojë e ajrit të ndotur. Duke u thirrur në raportet për cilësinë e ajrit të Agjencisë Evropiane për ambientin jetësor në Evropë (2015-2019), nga Iniciativa “О2” kanë përllogaritur se në Maqedoni, brenda 5 vitesh kane vdekur 16.960 persona prej ndotjes së ajrit.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Të fundit