Presidenti amerikan Donald Trump “ka kërkuar të ndalet mbështetja ushtarake për Ukrainën derisa ajo të hapë hetim për rivalin Joe Biden dhe djalin e tij”, pretendohet të ketë shkruar në librin e tij të ardhshëm John Bolton, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.
Pretendimet që tronditën opinionin u bënë nga media amerikane, gjegjësisht New York Times (NYT), e cila publikoi një lajm me titull “Sipas librit të Bolton-it, Trump lidhi ndihmën për Ukrainën me hetimin që dëshiron të bëhet”.
Gazeta NYT këto pohime i bëri duke siguruar një dorëshkrim të librit të Bolton-it që pritet të botohet në mars, i titulluar “Dhoma ku ndodhi” (The Room Where It Happened).
“Bolton pohon se Trump i ka thënë atij që dëshiron ta ndalë mbështetjen ushtarake për Ukrainën derisa autoritetet e saj të hapin hetim për familjen Biden”, shkroi NYT.
Ky pohim vjen në kohën kur Trump po gjykohet në Senat për keqpërdorim të detyrës, pasi ishte pohuar se ai ka kërkuar nga presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy të nisin hetim kundër Joe Biden, i cili është kandidat presidencial në radhët e Partisë Demokratike.
Shumë senatorë demokratë e kanë cilësuar si shumë të rëndësishëm këtë pohim dhe janë shprehur se ai mund të ndikojë në gjykimin në Senat.
Ndërkohë, avokati i Bolton-it, Charles Cooper, në një deklaratë për faqen Axios, ka thënë se dorëshkrimi është dërguar në zarf për vlerësim në Zyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë më 30 dhjetor 2019 dhe ka shtuar se përmbajtja e librit mund të ketë rrjedhur në opinion prej aty.
Më herët, Trump kishte pohuar se Bolton “nuk di asgjë” në lidhje me Ukrainën./Lapsi