E shtunë, 5 Tetor, 2024

Poetë, popullistë dhe pallate

Rijeka sivjet është kryeqytet europian i kulturës. Një ese mbi një qytet me dy emra – Rijeka (kroatisht), Fiume (italisht) – ku përplaset historia e shekullit XX, ku lindën shkrimtarë që i kushtuan poezi një fshati të Kosovës, ku lindi Ödön von Horváthi, ku ndryshket anija «Galeb» e Titos dhe ku para 100 vitesh fashizmi italian ndërmori një provë gjenerale.

1.

Rijeka është qytet i Giacomo Scottit. Ai erdhi në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë u bë njëri prej poetëve më të njohur të letërsisë së pakicës italiane. Scotti ka një vëllim me poezi në gjuhën shqipe, botuar nga Rilindja. Aty gjenden edhe dy poezi me motive kosovare, njëra për katundin Isniq, tjetra për lumin Bistrica. Kush ka fat librin e botuar nga Rilindja e gjen në qendër të Prishtinës, te librashitësit që kanë pasur fat të sigurojnë një pjesë të publikimeve të shumta të Rilindjes.

2.
Rijeka është qyteti i Ödön von Horváth-it. Në hapësirën gjermanishtfolëse ai është shkrimtar shumë i njohur. Në romanin «Rinia pa zot» Ödön von Horváth përshkruan rininë gjatë Rajhut të Tretë, kur besimi i vetëm ishte ai në nazizëm. Në një ese shkrimtari amerikan Jacob Mikanowski shkruante se Ödön von Horváth përqafoi pështjellimin e identiteteve, si dukuri tipike europiano-lindore, duke e përshkruar veten si «një përzierje shumë tipike e Austro-Hungarisë; njëkohësisht maxhar, kroat, gjerman dhe çek, vendi i të cilit është Hungaria [dhe] gjuha amtare është gjermanishtja» dhe i cili i kaloi vitet 1930-të i bindur patologjikisht se do të vritej në luftën e pashmangshme me nazistët, dhe në fund të shtypej nga rënia e një dege peme në Shanz-Elize (Champs-Élyées). Ödön von Horváth u lind më 1901 në Sushak, sot pjesë e qytetit të Rijekës. Që njëri nga shkrimtarët më të lexuar të hapësirës gjermanishtfolëse rrjedh nga Rijeka është vetëm një dëshmi tjetër sa gjermane ka qenë Europa Qendrore, madje deri në Adriatik.

3.
Në Rijekë është e lindur shkrimtarja kroate Sllavenka Drakuliq, autore e romaneve dhe eseve mbi Ballkanin dhe me gjerë. Autore e një romani për piktoren meksikane Frida Kahlo dhe e një romani për Milena Mariqin, gruan e Albert Einsteinit. Autore e një studimi mbi kriminelët e luftës të viteve 90-të, të cilët përfunduan në Hagë dhe të gjithë thoshin se nuk dinë gjë çfarë ka ndodhur në Ballkan. Në Rijekë ka blerë një banesë Rade Sherbexhija, njëri prej aktorëve më të mëdhenj të Europës Lindore. Sherbexhija ka jetuar disa vite në Los Angeles, sepse nuk mund të duronte më nacionalizmin – atë serb (Sherbexhija është serb i rajonit të Likës), por as atë kroat. Në Rijekë jetohet mirë, thotë Sherbexhija, sepse qyteti ka karakter multikulturor. Dikur në Rijekë është folur italisht e gjermanisht, hungarisht dhe disa gjuhë sllave, tani flitet kroatisht dhe disa variante të gjuhëve sllave të Ballkanit, natyrisht flitet edhe shqip, nuk është i vogël numri i shqiptarëve që punojnë në Rijekë e rrethinë: ata janë pronarë restorantesh, shesin akullore, qofte, stoli. Ka ndodhur njëherë në Beograd: Rade Sherbexhija po kthehej në hotel rreth mesnatës dhe në tarracë zateti disa gazetarë shqiptarë. Mori kitarën dhe këndoi gati deri në mëngjes – sidomos për Bekim Fehmiun.

4.
Në Rijekë ndryshket dhe dëshmon historinë anija «Galeb». Ajo anija e famshme me të cilën autokrati jugosllav Josip Broz Tito ka shëtitur botën. Me këtë anije Tito ka zhvilluar politikën e tij të mosinkuadrimit, një përpjekje për të krijuar një bllok të tretë shtetesh përballë dy blloqeve të mëdha – atij perëndimor dhe tjetrit lindor. Ideja ka qenë që anija të shndërrohet në muze që tregon historinë e Jugosllavisë. Politikanët konservatorë kanë protestuar, të majtit e kanë përkrahur idenë. Rijeka është qytet i majtë. Në Kroaci konflikti mes të majtës dhe të djathtës është i thellë. E majta e quan Titon çlirimtar, pa lëvizjen partizane të së cilit Kroacia nuk do t’i kishte sot këta kufij që i ka dhe me gjasë një pjesë e madhe e trevës së Istrës do t’i përkiste Italisë. E djathta te Tito sheh vetëm një despot. Historia e anijes «Galeb» është histori jo vetëm e Titos, por edhe e shekullit ’20. Në fund të viteve ’30 të shekullit të kaluar anija ishte paraparë të bartte fruta nga kolonitë në Itali. Anija ishte pronë italiane në atë kohë. Por pasi diktatori Benito Mussolini u hodh në aventura luftarake, marina italiane e shndërroi atë në anije luftarake. Në portin e Bengazit në Libi një silur britanik qëlloi anijen italiane, e cila e dëmtuar rëndë u dërgua në Sicili. Pasi Italia kapitulloi më 1943, anija u konfiskua nga gjermanët dhe u quajt «Kiebitz». Me emër të ri anija vendosi mbi 5000 mina në pjesën veriore të Adriatikut. Më 5 nëntor 1944 anija u fundos në portin e Rijekës. Më 1947 qeveria komuniste dha urdhër që anija të nxirret nga deti, më 1948 kjo ndodhi dhe më 1952 anija u lëshua në përdorim me emrin «Galeb», në shqip dallëndyshja. Nuk ishte paraparë që anija të shfrytëzohej nga Titoja. Në këtë anije do të merrnin mësime marinarët. Por kur Tito erdhi njëherë për vizitë, anija i pëlqeu aq shumë – dhe kush do guxonte të prishte dëshirat e liderit. Deri në vdekje më 1980 Tito i kaloi 549 ditë në «Galeb» dhe vizitoi me të 33 vende. Me anijen Galeb Tito shkoi më 1953 në Londër, ku takoi Winston Churchillin.

5.
Para 100 vitesh, më 12 shtator 1919, Rijeka ishte arenë e një eksperimenti të madh fashist. Në krye të 2000 legjionarëve italianë ecte një Fiat 501, i kuq si gjaku, brenda qëndronte ulur Gabriele D’Annunzio, tullac, trupshkurtër, poet, filozof fashist, adhurues i pangopshëm i grave (thuhet se kishte 3000 adhuruese) dhe mbi të gjitha nacionalist i madh italian dhe mik i Benito Mussolinit. Marshimi i Gabriele D’Annunzios në Rijekë kishte për qëllim të pengojë që qyteti t’i takojë Mbretërisë së re jugosllave (serbo-kroato-sllovene). «Rroftë Fiume italiane», brohorisnin masat. Nga pallati i guvernatorit poeti Gabriele D’Annunzio shpalosi flamurin trengjyrësh të Italisë. Rijeka – një «flakadan në detin e poshtërsive», kështu e quante poeti D’Annunzio qytetin. Kur D’Annunzio nuk arriti ta bind qeverinë në Romë që ta pushtojë Rijekën, atë e ndoqën forcat jugosllave nga qyteti. Por te kjo provë gjenerale e fashizimit historianit e shohin burimin e kultit të personalitetit të Benito Mussolinit dhe «estetikën e fashizmit». Legjionarët e D’Annunzios terrorizuan dhe dëbuan kroatët, kur më 1945 triumfuan partizanët, italianët (rreth 300 mijë) ikën. Sot vetëm pak italianë jetojnë në Rijekë.

6.
Një qytet me kaq shumë histori – është e logjikshme që sivjet, në vitin 2020, të jetë kryeqytet europian i kulturës. Banorët e Rijekës janë krenarë për të kaluarën e tyre jo vetëm multikulturore. Rijeka ka qenë edhe një qendër e rëndësishme e ekonomisë jugosllave dhe më vonë kroate. Porti i Rijekës edhe sot është më i madhi i vendit. Por shkatërrimi i shumë degëve të industrisë, ka shtyrë mijëra njerëz, sidomos të rinj, të emigrojnë. Pas hyrjes së Kroacisë në BE më 2013, kjo është bërë më lehtë. Andaj pushteti lokal në Rijekë po përpiqet që ta bëjë qytetin më atraktiv për turistë. Sivjet janë paraparë 600 aktivitete kulturore dhe 250 projekte nën moton «Rijeka – porti i shumëllojshmërisë». Priten katër milionë vizitorë. BE i ka dhënë 30 milionë euro. Më 1 shkurt do të fillojë aktivitetet në Rijekë si kryeqytet kulturor i Europës.

Të fundit