E diel, 13 Tetor, 2024

Mungesa e gazetarisë hulumtuese në media, pasojë e situatës dhe e stafit!

Në këtë kontekst shoqëror-politik dhe mediatik, me një strukturë të tillë pronësore të mediave, shumë prej të cilave funksionojnë brenda ndërmarrjeve të mëdha që kanë interesa dhe marrëdhënie indirekte me shtetin, me një status të tillë të gazetarëve në këtë shoqëri, me paga të ulëta, me të drejta të pambrojtura të punës dhe një marrëveshje të panënshkruar kolektive, nuk mund të pritet nga gazetarët që të hetojnë korrupsionin, krimin, “mafinë e ndërtimit”, abuzimin e pushtetit ose nepotizmin

 

Autor: Sefer Tahiri

Më lejoni që nga fillimi të theksoj se gazetaria hulumtuese në mediat tona për një kohë të gjatë do të jetë vetëm një ideal i dëshiruar. Unë po flas për mediat që janë private dhe publike, por jo të financuara nga fondacionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Përkatësisht, kapaciteti financiar i mediave nuk lejon ose e pamundëson gazetarinë hulumtuese. Nder për përjashtimet! Të jem më direkt, nuk mund të presim që me paga të mjerueshme gazetareske prej 300 ose 400 euro, gazetarët të vetë-iniciohen për të hulumtuar tema në sferën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat mund të përfshijnë njerëz me fuqi të madhe: politike, ekonomike apo nëntokësore! Ne nuk mund të presim që të kemi gazetari hulumtuese në shërbimin publik kur i njëjti nuk është i reformuar aspak, përveç që me heqjen e takës radio- difuzive dhe financimin nga buxheti i shtetit, është i vendosur në pozitë më komode!

Edhe pa të, në përgjithësi në shoqëri, ka probleme me njohjen e konceptit të shërbimit publik, ndërsa financimi nga ana e buxhetit për fat të keq edhe më tepër e forcon konceptin e shërbimit shtetëror, i njohur që nga koha e sistemit të kaluar komunist. Kjo tregon se ne e kemi ndryshuar sistemin vetëm formalo- juridikisht, por kemi dështuar të ndryshojmë mentalitetin e funksionimit të institucioneve.

Praktikisht, shërbimi publik, ndër të tjera, ka një detyrim të nxisë këtë lloj gazetarie në interes të publikut. Hetimi i korrupsionit është një nga parakushtet për interesin e publikut në media.

Ne jemi duke menduar për hulumtime të vërteta, sepse për korrupsionin raportohet më gjerësisht nga një perspektivë institucionale dhe kur ka një dorëheqje siç është ajo e Asim Musës, zëvendësministrit të Shëndetësisë. Ryshfeti prej 50 eurosh u zbulua jo nga mediat tona, por nga një media në Shqipëri – Top Channel!

Shërbimi publik duhet të ketë si prioritet kryesor interesin, dhe jo vetëm të jetë një transmetues ose një dorë e zgjatur e politikës. Përkatësisht, është akoma katastrofike që të kemi një transmetues të shërbimit publik, që nuk shtron çështjet me interes publik. Ai kënaqet me raportime sipërfaqësore, ndërsa rregullisht raporton për zhvillimin e përditshëm të ngjarjeve.

Hulumtime për përmbajtje informuese të tilla si “DIVERSITETI NË RAPORTIMIN E PUBLIKIMEVE INFORMATIVE QENDRORE NË KANALET TELEVIZIVE MË TË SHIKUARA” të realizuara nga MIM jep të dhëna që flasin shumë. Vetëm 15 përqind e artikujve të botuar ishin analiza, intervista, histori hulumtuese ose raporte. Brenda këtyre 15% janë raportet që përmbajnë elemente analitike, megjithëse besoj se një analizë apriori nuk do të thotë transferim i deklaratave të dy analistëve të thënë për një temë. Cka tregon ky fakt?

Fatkeqësisht, gazetarët në redaksitë nuk u sigurohen kushtet për të qenë më analitikë dhe ta hulumtojnë korrupsionin në sistem (ryshfetin, larjen e parave, korrupsionin gjatë zgjedhjeve, mashtrimim me subvencione, korrupsionin në tenderët publik dhe prokurim, mashtrimin me tatime etj.), por ata punën e vetë e mbështesin në gazetarinë reporteriale, e cila për fat të keq në shumë raste është pa thellime në problemet, duke mos marrë parasysh palën tjetër ose palët e tjera të përfshira në një problematikë të veçantë, por edhe pa kontekstualizimin dhe përgjegjshmëri ndaj publikut.

Tematika dhe aktorët të cilët janë pjesë në njoftimet informative tregojnë se dominon politika dhe politikanët dhe ekziston një përqindje e madhe e deklaratave dhe protokolleve në takimet bilaterale, në të cilat ka fjalor të thatë diplomatik ose fotografi të politikanëve që dalin nga limuzina të zeza dhe takohen, në vend të të njëjtës hapsirë informuese të plotësohet me trajtimin e temave të interesit publik. Një pjesë e mediave me dashje harrojnë se nuk janë as zëdhënës i institucioneve shtetërore dhe as zëdhënës të partive. Roli i mediave nuk është që të informojnë gjithçka që dikush ka gjykuar se duhet të informohet. Roli i mediave është të informojë publikun për çështje me interes publik, çfarë është me interes dhe çfarë ndikon në jetën e shumicës së qytetarëve, siç është shpenzimi i parave të qytetarëve, por edhe për të hulumtuar korrupsionin dhe veprimet kriminale të individëve ose grupeve brenda dhe jashtë qeverisë.

Nëse ky trend vazhdon, televizionet, veçanërisht ato komerciale, do të bëhen gjithnjë e më interesante për audiencën, shikimi i tyre do të ulet ndërsa media e re / mediat e internetit do të jenë më i ndjekur nga ana e qytetarëve! Gazetat tashmë janë prekur thellë nga prirja rënëse e audiencës. Duke kuptuar që kjo është e lehtë për tu thënë si konstatim, por do të them që mediat e shtypura mund të kthejë një përqindje të caktuar të audiencës pikërisht me historitë hulumtuese të korrupsionit dhe krimit.

Për shembull, ne mund të ndajmë hulumtimin e gazetës ditore “Koha”, i filluar më 19 shkurt 2018, mbi shpërndarjen skandaloze të fondeve në konkursin vjetor të Ministrisë së Kulturës. Hetimi rezultoi me dorëheqjen e ministrit Robert Allagjozovski në 22 maj të vitit 2018. Këtu mund të përmenden edhe disa hulumtime në media të tjera të shkruara që në sasi nuk janë as në nivel optimal!

Më 28 Janar 2019, ministri i Transparencës, Komunikimit dhe Llogaridhënies Robert Popovski njoftoi se në 11 (nga 13 sa kanë kërkuar) media të shkruara, Qeveria e Maqedonisë së Veriut kishte ndarë mjete financiare në vlerë prej 700 mijë euro. Duke pasur parasysh që shumica e gazetave dhe revistave marrin subvencione shtetërore për shtypj dhe shpërndarje, është vështirë, madje edhe joreale, të presim që do të kemi një rritje të sasisë së hulumtimeve gazetareske të lidhura me korrupsionin që mund të jetë përfshirë edhe qeveria. Sigurisht, ne nuk përjashtojmë që mund të kemi përpjekje për gazetari hulumtuese dhe do të donim që gazetat me punën e tyre të hedhin poshtë supozime të tilla pesimiste!

Në këtë kontekst shoqëror-politik dhe mediatik, me një strukturë të tillë pronësore të mediave, shumë prej të cilave funksionojnë brenda ndërmarrjeve të mëdha që kanë interesa dhe marrëdhënie indirekte me shtetin, me një status të tillë të gazetarëve në këtë shoqëri me pagë të ulët, me të drejta të pambrojtura të punës dhe një marrëveshje të panënshkruar kolektive, nuk mund të pritet nga gazetarët që të hetojnë korrupsionin, krimin, “mafinë e ndërtimit”, abuzimin e pushtetit ose nepotizmin! Pra, të hulumtojnë dhe trajtojnë çështjet reale të interesit publik, por kjo nuk do të thotë se ata duhet të heshtin, por duhet të luftojnë brenda redaksive.

Dhe tani shtrohet pyetja kryesore? A do dikush me një pagë të tillë të bëhet gazetar, e veçanërisht një gazetar hulumtues që heton korrupsionin, edhe atë korrupsionin e lartë apo sistematik? Numri i të rinjve të interesuar për të studiuar gazetari po zvogëlohet nga viti në vit. Por edhe ata që studiojnë, arsimi formal nuk i stërvit ato sa duhet për tu bërë gazetar hulumtues.

Analiza e planprogrameve mësimore në fakultetet e gazetarisë dhe komunikimit tregon se:

Në Univerzitetin “Shën Kirilit dhe Metodij – Shkup”, në fushën e gazetarisë, medias dhe komunikimit, lënda Gazetaria Hulumtuese është nën lëndët zgjedhore.

Në Universitetin “Goce Delçev” – Shtip, në studimet e gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun, lënda Gazetaria Hulumtuese është lëndë e detyrueshme por në semestrin e VI!

Në Universitetin e Evropës Juglindore – Tetovë, në studimet e komunikimit nuk ka lëndë të Gazetarisë Hulumtuese.

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, lënda është zgjedhore, edhe atë në semestrin e shtatë.

Të përfundoj, gazetaria hulumtuese është fatkeqësisht, po aq e pranishme në media sa edhe në studime. Në media është sporadike, dhe në studime si lëndë zgjedhore. Derisa situata është e tillë, ne nuk mund të presim që ajo të jetë një veprimtari e detyrueshme për gazetarët!

Sefer Tahiri foli për këtë temë në konferencën vjetore në kuadër të projektit “Së bashku kundër korrupsionit”, e organizuar nga Qendra për Gazetari Hulumtuese në Shkup SCOOP (http://al.scoop.mk/), Instituti i të Drejtave të Njeriut dhe OJQ-së “Medium”.

Të fundit