Grupet punuese nga Kosova dhe Serbia do të udhëtojnë më 27 janar në Berlin të Gjermanisë, për të diskutuar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell rreth vendosjes së linjës hekurudhore midis dy vendeve.
Kështu u bë e ditur pas takimit të zhvilluar në Beograd, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadorit amerikan, Richard Grenell.
Në një konferencë për media, presidenti serb Vuçiq tha se marrëveshja do të jetë e ngjashme me atë të linjës ajrore Prishtinë-Beograd, e cila u arrit në fillim të kësaj jave me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.
“Bisedova për lidhjen e mëtejshme infrastrukturore midis Prishtinës dhe Beogradit. Kemi biseduar edhe për vendosjen e linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Lidhur me këtë, deklarova që është e rëndësisë së madhe që taksa të hiqet sepse do të ishte e pakuptimtë të kemi qarkullim hekurudhor pa mallra”, tha Vuçiq.
Edhe ambasadori Grenell konfirmoi se tashmë ekziston një marrëveshje në parim lidhur me këtë çështje.
“Ne kemi një marrëveshje në parim dhe do të takohemi në Berlin të hënën. Unë gjithashtu e diskutova këtë çështje me presidentin (e Kosovës, Hashim) Thaçi dhe me liderët që po përpiqen të formojnë Qeverinë e Kosovës si dhe me presidentin Vuçiq. Tani le të ulemi dhe të dalim me një marrëveshje për hekurudhat”, tha Grenell.
Ambasadori Grenell po e viziton Beogradin pas qëndrimit në Prishtinë, ku kërkoi nga autoritetet e Kosovës të heqin taksën ndaj mallrave serbe, ndërkaq nga Beogradi të mos vazhdojë me fushatën kundër njohjeve të Kosovës.
Të njëjtën kërkesë ai e përsëriti edhe në Beograd, derisa ftoi të dyja palët të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Unë jam këtu për të shtyrë të dy palët për bashkëpunim ekonomik, ua lë politikën juve”, tha Grenell.
Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ambasadori Grenell tha më 23 janar në Beograd se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjes.
“Po ndjej një energji të mirë nga të dy anët (Kosovë e Serbi), por presidenti (i SHBA-së) Donald Trump nuk do të me lejojë të punojë gjatë në këtë çështje nëse nuk ka ndonjë përparim”, tha ambasadori Richard Grenell.
Ku qëndron problemi me hekurudhat?
Kosova vazhdon të mos e administrojë linjën hekurudhore në veri të Mitrovicës, ndërkohë që ka filluar zbatimin e projekteve për rehabilitimin dhe modernizmin e hekurudhave në përgjithësi.
Linja ndërkombëtare hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë, është nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe në Mitrovicë të Veriut, thonë autoritetet kompetente të hekurudhave në Kosovë.
Më 21 dhjetor 2019 Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se linja hekurudhore në veri të Kosovës kërkon zgjidhje të shpejtë.
Teknikisht kjo linjë hekurudhore, ka thënë Thaçi, është në rregull, por që nuk menaxhohet nga autoritetet e Kosovës.
Sadullah Avdiu, profesori i lëndës “Projektimi i Hekurudhave”, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se investimet në hekurudha janë milionëshe dhe Kosovës i duhen investitorë.
Por, siç shprehet ai, askush nuk do të investonte në hekurudhat e tipit të mbyllur, prandaj sipas tij, duhet gjetur zgjidhje për linjën ndërkombëtare hekurudhore me Serbinë që lidhet nga Mitrovica e Veriut.
Bajrami: Përpjekje për ringjalljen e dialogut të Brukselit
Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se mundësitë ekonomike në të cilat po insiston ambasadori Grenell janë përpjekje për ringjalljen e dialogut të Brukselit, “konteksti i të cilit është shkatërruar nga temat politike”.
Ai thotë se ka qenë gjithmonë e qartë se ndërmjetësimi amerikan është më efektiv sesa ai evropian, duke shtuar se Brukseli zyrtar e ka përzënë vetën nga loja në momentin kur u ngrit tema e ndryshimit të kufijve.
“Çështja e ndryshimit të kufijve dhe gjithçka që ndodhi, çoi në një situatë kur pothuajse të gjithë menduan se dialogu i Brukselit ka vdekur, kështu që tani duhej të ringjallet. Ata e bën këtë përmes një marrëveshjeje të linjës ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit. Vizita e Grenellit paralajmëron se do të ketë masa të njëjta, do të zhvillohen më shumë negociata ekonomike, gjë që mund të ndodhë edhe për arsye se taksa 100 për qind ka treguar se në aspektin ekonomik ka shumë gjëra që mund të arrihen, dhe nëse kjo nuk funksionon, atëherë nuk ka asnjë mundësi të normalizimit të raporteve”, tha Bajrami.
Ai gjithashtu vë në dukje se struktura e re qeveritare në nivel të BE-së ende nuk ka ndërmarrë asgjë në drejtim të rifillimit të dialogut, dhe se ky pasivitet tregon “që Brukseli nuk duket të jetë aq i interesuar për një rol të madh, të madh në ndërmjetësim”.
“Ndërkohë, kemi ndërmjetësuesit amerikanë, Grenell dhe Palmer (Matthew Palmer, përfaqësues special i Sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor) të cilët kanë ardhur, kanë biseduar me njerëzit, e kanë matur pulsin dhe e gjithë kjo na bën të vijmë në përfundimin se Brukseli në fakt po bëhet përcjellës në tërë këtë tregim dhe jo udhëheqës”, tha Bajrami.
Ai beson se negociatat politike në një moment duhet të përmbyllen me një marrëveshje që duhet të jetë rreth njohjes reciproke. Megjithatë, ai kujton se dialogu është i bllokuar dhe nuk mund të fillohet derisa Kosova të ketë një qeveri të re.