Autor: Sefer Selimi Jr.
Ashtu siç parasheh ligji i ri për Qeveri, i miratuar në korrik të 2018-tës sipas modelit të Përzhinos, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare u krijua Qeveria Teknike e cila ka për qëllim kryesor krijimin e kushteve optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Në krye të Qeverisë është Kryeministri Teknik i propozuar nga partia qeverisëse ndërsa me ministritë për punë të brendshme dhe politikë sociale udhëheqin ministrat e propozuar nga partia më e madhe opozitare, gjegjësisht VMRO-DPMNE. Kësaj qeverie i janë bashkëngjitur edhe tre ministra plotësues në Ministrinë e Bujqësisë, Financave dhe atë të Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike.
Zanafilla e konceptit të Qeverisë Teknike është në Marrëveshjen e Përzhinos, një konsensus i arritur në zenitin e krizës politike nëpër të cilën kalonte vendi si pasojë e zbulimit të skandalit me përgjimet. Mbi 50 mijë qytetarë në formë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin qenë cak i përgjimeve të paligjshme të cilin pushteti i asaj kohe, nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit, në mënyrë të organizuar dhe të vazhdueshme e kishte kryer përmes strukturave të inteligjencës shtetërore. Materialet e siguruara dhe të publikuara nga opozita e atëhershme vërtetuan dy të vërteta: korrupsionin në nivelet më të larta qeverisëse dhe kapjen e shtetit nga partia në pushtet. Kjo e dyta ishte edhe arsyeja kryesore e cila imponoi nevojën për krijimin e një qeverie teknike e cila do të kujdesej që ministritë e përfshira në organizimin e zgjedhjeve dhe ministritë kryesore përmes të cilave blehej vota e qytetarëve në këmbim të të mirave publike, të jenë nën kontrollin apo nën vëzhgim të drejtpërdrejtë të opozitës për të pamundësuar keqpërdorimin e tyre në zgjedhjet parlamentare të 2016-tës. Ndonëse me shumë vështirësi dhe përplasje të ashpra brendainstitucionale dhe publike, qeveria teknike arriti rezultate të pjesshme për të siguruar kushte minimale për konkurrencë politike. Rrjedhën tjetër të ngjarjeve deri më 27 Prill të 2017 e dimë të gjithë.
Rikthimi i Qeverisë Teknike në Ligjin për Qeveri erdhi si rezultat i shantazhit nga ana e opozitës së tanishme për organizimin e referendumit mbi ndryshimin e emrit dhe në Korrik të vitit 2018 pas shumë negociatave mes partive, bashkë me ndryshimet e Ligjit për Qeveri parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh ligjore që mes tjerash i hapën rrugë formimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i nevojshëm për organizimin e referendumit të shtatorit. Ky kompromis mund edhe të jetë i drejtë duke i dhënë opozitës të njëjtin komoditet që pati opozita e atëhershme, por në fakt nuk është zgjidhja e duhur për organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike. Jemi dëshmitar të përplasjeve brendainstitucionale, inateve mes titullarëve dhe kapriçove partiake që vështirësojnë punën e institucioneve edhe ashtu të dobëta.
Organizimi i zgjedhjeve vjen me kosto financiare për shtetin por gjithashtu vjen edhe me kosto të drejtpërdrejta për qytetarët. Periudha parazgjedhore sjell stagnim ekonomik dhe social ndërkohë që i gjithë fokusi kthehet tek gara politike duke lënë jashtë vëmendjes problemet e përditshme të qytetarëve. Për më tepër, përplasjet partiake dhe fushata zgjedhore zgjat po aq sa zgjat qeveria teknike dhe 100 ditë fushatë është e lodhshme, e dëmshme dhe e gërditshme nga të gjitha aspektet. Është e nevojshme që pas përfundimit të zgjedhjeve të Prillit të rishikohet Ligji për Qeveri dhe partitë politike t’i qasen me seriozitet reformës zgjedhore. Në vend të qeverisë teknike duhet të ndryshohet kodi zgjedhor për të përditësuar modelin ekzistues i cili duhet të reflektoj realitetin shoqëror si në njësitë ashtu edhe në listat e hapura zgjedhore. Në vend të qeverisë teknike duhet të pastrohet lista zgjedhore, të zbatohen rekomandimet e OSBE/OHIRD-së dhe të rritet transparenca e financimit të kampanjave politike. Mund të bëhet shumëçka që të rritet besimi i palëve pjesëmarrëse në garën zgjedhore por edhe besimi i votuesve tek procesi zgjedhor, ndërsa qeveria teknike nuk është zgjidhja për këtë.