E premte, 26 Korrik, 2024

Diplomacia e “ryshfetit”: beteja rreth (ç)njohjeve të Kosovës

Tërheqja e njohjeve ka rritur frustrimin në Prishtinë dhe ambiciet në Beograd, por lufta për njohje e çnjohje deri më tani ka pasur vetëm një rezultat – bllokimin e dialogut mes të dy vendeve.

Kur Surinami, një shtet jugamerikan, u bë vendi i parë që tërhoqi njohjen e shtetësisë së Kosovës në tetor 2017 dhe njoftimi erdhi nga Serbia, Qeveria në Prishtinë deklaroi se kjo nuk është e mundur sipas së drejtës ndërkombëtare. Surinami kishte vetëm një vit që e kishte pranuar Kosovën dhe po aq kohë kishte që Serbia e Kosova kishin nisur dialogun për «normalizim marrëdhëniesh».

Nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë dhe u njoh më shumë se nga 110 vende, Serbia vazhdoi një fushatë agresive kundër Kosovës. Në vitet e para fushata diplomatike e Kosovës rriti numrin e njohjeve dhe gjithçka dukej e pakthyeshme – deri në vitin 2015 kur lobimi serb triumfoi pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO. Kjo shënoi një pikë kthese në fushatën serbe për të frenuar njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Raportimet kryesisht të mediave në Serbi treguan se diplomacia e Beogradit përdori shpesh forma korruptive kur pas Surinamit, në shkurt 2018, Burundi deklaroi të njëjtën gjë. Derisa njoftimet për tërheqje të njohjeve rritën frustrimin në Prishtinë, në fund të vitit 2018 Qeveria vuri një taksë prej 100 përqind ndaj produkteve serbe si përgjigje ndaj betejës serbe kundër pavarësisë. Aktualisht Serbia numëron 15 vende që paskan tërhequr njohjen e Kosovës, por me emër përmenden vetëm gjashtë.

Në Prishtinë zyrtarët mohojnë të ketë pasur tërheqje. Çështja e disa njohjeve dhe e tërheqjes së tyre shpesh ishte e mjegullt. Korrupsioni në sigurimin e njohjeve është shfaqur edhe në anën kosovare. Bedri Emini, një ndërtues në Britani, i mandatuar, sipas tij, nga ministri i Jashtëm i Kosovës, për lobim në vendet afrikane në një intervistë për BIRN ka treguar se u janë ofruar të holla disa vendeve si Gambia dhe Kongo në këmbim të njohjeve apo anëtarësimit në Interpol. Por kjo është mohuar nga ministria e Jashtme e Kosovës. Ministri i Jashtëm në detyrë Behgjet Pacolli ka thënë se asnjë shtet nuk e ka njoftuar Kosovën zyrtarisht për tërheqje të njohjes. «Në asnjë takim dhe komunikim me shtetet që Serbia i ka përmendur kinse kanë bërë veprime të tilla nuk na është konfirmuar një gjë e tillë», ka thënë Pacolli për «Zëri». Përkundrazi, sipas tij, shtetet si Ginea-Bisau, Liberia, Dominika dhe Ishujt Solomon i kanë konfirmuar MPJ-së apo partnerëve të Kosovës se nuk kanë tërhequr njohjet.

Por tërheqjet e njohjeve janë konfirmuar edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në takimin e 31 tetorit të vitit të kaluar ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen, ka kërkuar nga Serbia që ta ndalë fushatën e bindjes së shteteve që ta tërheqin njohjen e Kosovës. «E di që ministrit të Jashtëm të Serbisë i pëlqen të udhëtojë në Ishujt e Paqësorit dhe Karaibe, në mesin e destinacioneve tjera. Por mendoj që paratë e taksapaguesve serbë mund të përdoren më mirë se sa në udhëtime për të bindur këto vende që ta tërheqin njohjen e Kosovës», ka thënë Heusgen. «Zëri» ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare që ndërlidhen me tërheqjen e njohjeve, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Megjithatë MPJ ka konfirmuar se ka marrë një letër nga Ishujt Solomon në të cilën thuhet se ky shtet «ngrin raportet me Kosovën deri në përfundim të dialogut Kosovë-Serbi». Gazeta ka kontaktuar edhe ministritë e jashtme të këtyre vendeve, por ato nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje rreth tërheqjes ose jo të njohjeve.

Është thënë, kryesisht nga pala serbe, se shtetet që kanë tërhequr njohjet, këtë e kanë bërë për shkak të dy argumenteve. Një: se njohja e Kosovës ishte veprim i pamatur dhe suspendohet derisa Kosova e Serbia të arrijnë një marrëveshje. Dy: se «Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën». Këto vende e cilësuan dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian si proces për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Konflikt dhe Paqes në Universitetin e Dublinit në Irlandë thotë se argumentet nuk qëndrojnë. «Me dialog synohet normalizimi dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Kur BE mori nga OKB mandatin për dialog, synohej përmirësimi i jetës së qytetarëve pas pranimit të verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ku konstatohej se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në shpërputhje me të drejtën ndërkombëtare», thotë Visoka. Ndërsa për argumentin e Rezolutës 1244, Visoka shpjegon se «ka parashikuar zgjidhjen e statusit të Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj dhe ndërmjetësuesi i OKB-së (Marti Ahtisari) ka propozuar pavarësi të mbikëqyrur».

Visoka thotë se në rastin e këtyre shteteve, Serbia ka mësuar nga diplomacia agresive dhe e ryshfetit e Marokut, Kinës dhe Tajvanit. «Serbia ka shfrytëzuar vende postkoloniale me histori të njohur për shitje apo dhënie me qira të njohjes diplomatike», thotë Visoka për «Zëri». Visoka, editor i librit «Routledge Handbook of State Recognition», një prej botimeve më gjithpërfshirëse mbi njohjen e shteteve, shpjegon se tërheqja e njohjeve është një praktikë diplomatike e politike pa një bazë të qartë në të drejtën ndërkombëtare. «Kur një vend njihet si shtet i pavarur dhe sovran, ai nuk mund të çnjihet përderisa nuk ndryshojnë kushtet mbi të cilat është bërë njohja, që nënkupton se ai vend të ketë popullsi, territor, qeveri efektive dhe zotësi për ndërveprime ndërkombëtare», thotë ai.

Sipas Visokës, tërheqjet janë vetëm ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike. «Është praktikë e njohur dhe e shfrytëzuar gjerësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare», thotë ai. Vendet për të cilat Ministria e Jashtme e Serbisë thotë se tërhoqën njohjen e Kosovës kanë një histori çnjohjesh dhe rinjohjesh të shteteve, kryesisht në këmbim të përfitimeve personale të liderëve politikë, si dhe interesave tjera gjeopolitike. Këto vende (Suriname, Burundi, Ginea-Bisau, Liberia, Dominika) kanë njohur dhe rinjohur disa herë Tajvanin dhe Saharanë Perëndimore, të cilën Maroku e konsideron pjesë të vet.

Përveç taksës dhe reagimeve ndërkombëtare, brenda vendit tërheqjet e njohjeve rritën tensionet politike, dëmtuan unitetin politik karshi Serbisë dhe frenuan aplikimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, sidomos në UNESCO e Interpol. «Tërheqjet e njohjeve frenuan zgjerimin e sovranitetit ndërkombëtar të Kosovës», thotë Visoka. Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, aktualisht zëvendëskryeministër në largim i Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se tërheqjet erdhën edhe për shkak të mungesës së një politike të jashtme aktive të Kosovës. «Është goditje gjeopolitike për Kosovën», ka thënë Hoxhaj.

Në Prishtinë, numrat nuk kanë qenë edhe aq të rëndësishëm ngase politikanët në pushtet kanë përdorur shpjegime për «njohje kualitative» duke aluduar se disa nga shtetet më të mëdha dhe më me ndikim në botë e kanë njohur Kosovën. Kur numri i deklarimeve për tërheqje të njohjeve u rrit, frustrimi u shtua në anën kosovare, ndonëse me apo pa vendet që deklaruan tërheqjen e njohjeve kjo nuk e ndryshon aktualisht realitetin numerik në çështjen e anëtarësimit në OKB. Të dyja, Kosova e Serbia kanë aleatët më të fuqishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Kosova ka SHBA, Francën dhe Britaninë e Madhe ndërsa Serbia e ka Rusinë dhe Kinën, dhe çështja anëtarësimit të Kosovës në OKB mbetet e bllokuar. Vendi i fundit që ka njohur Kosovën në shkurt të vitit 2018 është Barbadosi.

Në Prishtinë shpresohet që një marrëveshje ligjërisht e obligueshme me Serbinë do t’i hapte rrugë Kosovës për anëtarësim në OKB. Autoritetet në Prishtinë por edhe përtej Kosovës besojnë se përveç formave korruptive që ka përdorur, Serbia gjithashtu është ndihmuar edhe nga Rusia. Pretendenti për postin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thotë se dialogu me Serbinë nuk mund të bëhet për ridefinim të shtetësisë së Kosovës. «Kjo nuk ka gjasa të ndodhë pavarësisht se Serbia po e përdor këtë argument që t’i bëjë presion Kosovës që të bëjë koncesione në Bruksel duke hapur çështjen e sovranitetit të Kosovës», ka thënë Kurti për «Zëri». Kabineti i kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq dhe Ministria e Jashtme e Serbisë nuk janë përgjigjur në pyetjet rreth fushatës së njohjeve dhe akuzave për korrupsion. «Duhet të rimendojmë sesi t’i qasemi Serbisë dhe si ta godasim atë kudo që mundemi. Por, duhet të kërkojmë një mbështetjë më të madhe ndërkombëtare nga partnerët tanë», thotë Enver Hoxhaj.

Zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së kanë kërkuar që Serbia ta ndërpresë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës dhe të dyja palët të krijojnë kushte për dialog. Emërimi i Matthew Palmer si Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tregon se Washingtoni po planifikon të forcojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Njohja është nyja më e madhe për të dyja shtetet që pritet të rifillojnë dialogun për normalizim marrëdhëniesh. Në fakt Washingtoni dhe Brukseli i kanë kërkuar Serbisë ndaljen e fushatës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës si kusht për vazhdimin e dialogut, përderisa nga Kosova kërkohet heqja e taksës.

Për Gëzim Visokën, tërheqja e njohjeve mund të sjellë edhe implikime tjera për shtetësinë e Kosovës. «Nëse trendi i tërheqjes së njohjeve vazhdon dhe Kosova mbetet e izoluar, ekziston mundësia që opsioni për bashkim me Shqipërinë të konsiderohet më shumë. Kjo do të shërbente si pretekst për forcat politike në Kosovë që janë pro bashkimit kombëtar të shtyjnë përpara një projekt të tillë», thotë Visoka.

Nga Arta Berisha & Serbeze Haxhiaj / dialogplus.ch/
Ky artikull është shkruar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autoreve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian, BIRN-it apo AGK-së

Të fundit