E diel, 6 Tetor, 2024

ZIGZAG: PËR ËNDRRAT E MËDHA E ZHGJËNDRRAT E RËNDA

Thuhet se termi propaganda daton nga shekulli XV dhe lidhet me Papa Gërgurin. Në literature ka një ndarje sipas së cilës flitet për propagandë agjitative dhe propaganda integrative. Si shembull për këtë të fundit jepet fjalimi historik i Martin Luter Kingut ‘Unë kam një ëndërr’.Së këndejmi, është provuar se në Amerikë ‘ëndrra shumë kollaj bëhet zhgjëndërr’. Është çështje për të debatuar pse ne ushqejmë ëndrra të mëdha apo pse edhe zgjëndrrat i kemi të rënda…Sidomos në kohë zgjedhjesh!

 

Autor: Seladin Xhezairi

1. Javën e shkuar, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në qeverinë shqiptare, Gent Cakaj bëri të ditur se partitë shqiptare në Luginën e Preshevës, në zgjedhjet e afërta parlamentare në Serbi, do të dalin me një listë të vetme. Ai kumtoi se nën kujdestarinë e Tiranës zyrtare pesë prijësit e partive politike kishin firmosur edhe një marrëveshje. Lista, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”: “Sot, përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë dhënë shembullin më të vyer e domethënës se si shumë dallime partiake mund të artikulohen brenda vetëm një qëndrimi kombëtar….Kjo listë do të ketë funksion të pazëvendësueshëm në ngritjen e një vargu të gjerë shqetësimesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore,” – deklaroi Cakaj duke shprehur zotimin se Qeveria Rama do të angazhohet pakursyer për të mbështetur listën e përbashkët të Luginës së Preshevës e duke afirmuar parimet politike të saj:“Bashkimi sot iu shërben qytetarëve të Luginës, por edhe shqiptarëve kudo që janë,” – tha mëkëmbësi i diplomacisë shqiptare, duke bërë të ditur se Marrëveshja ishte nënshkruar nga Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik. Mirëpo, të njëjtën ditë, menjëherë pas bërjes publike, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, në një lidhje të drejtpërdrejt për RTV Ora të Tiranës, u shpreh kritik ndaj Cakajt dhe Tiranës zyrtare duke e cilësuar të gjithën si një mashtrim: ‘Ishim në takim me Cakajn më 22-23 dhjetor. Madje tërë ditën më 25 dhjetor dhe e kam vënë në dijeni për qëndrimin e PDSH-së se në këto zgjedhje nuk mund të shkohet në parlamentin serb sepse vetë serbët, opozita serbe, akoma nuk ka vendosur nëse do të futet apo jo në zgjedhje. Kjo nguti nga një Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, kushtimisht “një kalama” të nxitohet që të unifikojë, nuk është në rregull. Bashkim të vërtetë nuk ka pasur,’- deklaroi Mustafa duke pohuar se nuk ishte ftuar vetëm e vetëm se mendonte ndryshe: ‘Po bëjnë lojë të ngjashme me modelin e Vuçiqit dhe politikës serbe me serbët e Kosovës. Por ata bëjnë dhe investim shumë të madh. Në Luginë të Preshevës as nuk ka pasur dhe as nuk do ketë ndikim të fuqishëm të qeverisë shqiptare te shqiptarët e Luginës së Preshevës që të jenë të barabartë dhe të lirë.Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë të banuara me shumicë shqiptarët autoktonë,’- tha Ragmi Mustafa për RTV Ora duke tërhequr vërejtjen: ‘Nuk ka mbetur ta zgjidhë Cakaj, sidomos në këtë situatë kur flitet që Medvegja, Bujanoci dhe Presheva t’i bashkohen Kosovës. Pse të mos vazhdojmë në këtë linjë?’.

2. Me t’u bërë publike Marrëveshja e Luginës, alarmi duket se është ndezur edhe ndër qerthujt partiak të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo aq më tepër për shkak se, nëse në Serbi nuk dihet, këtu zgjedhjet janë caktuar për 12 prill. Burime të mirinformuara thonë se ecejake në vijën Shkup-Tetovë-Strugë- Tiranë, ka pasur, madje fundjavën që lamë pas. Nëse para katër vjetësh, kryeministri Rama u bë kumbarë i Deklaratës së Partive Shqiptare që nuk la indiferent as faktorin ndërkombëtar, nuk është larg mendjes përsëdytja e një veprimi të këtillë. Sidoqoftë, nëse për shqiptarët e Luginës apo edhe në Mal të Zi, mund të shtrohet nevoja e ngjeshjes së rradhëve, vetëm për shkak të numrit-përqindjes, punët ndryshojnë kur flitet për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Me të vetmin përjashtim: Nëse i mëshohet formulës sipas së cilës ndahen vende në parlament – për pakicat kombëtare! Druaj se pak-kush ndër ne do të kënaqej me statusin e pakicës kombëtare!

3. Zëri i Amerikës solli këto ditë një reportazh për një përmendore të Martin Luter Kingut të ngritur me emrin simbolik ‘1964 Indipendece Aveny’, që në fakt rikujton vitin kur në Amerikë u firmos Ligji për të Drejtat Qytetare. Miratimi i tij ishte pikërisht meritë e Martin Luter Kingut që, para gjysmë shekulli, u bë simbol i luftës së afrikano-amerikanëve për të drejta të barabarta. Marsin e vitit 1963 ai mbajti në Uashington fjalimin historik “Unë kam një ëndërr”, ku të pranishëm ishin rreth 250 mijë njerëz. Fjalia që ai tha se “Nga një mal dëshpërimi, një gur shprese…”, frymëzoi krijuesin e përmendores, artistin kinez Keu Yixin. Ky “mal” është nëntë metra i lartë, ndërsa “guri i shpresës” është i latuar në të. Muret e monumentit janë të mbushura me citate të Kingut. Skulptura e tij duket sikur është një vepër e papërfunduar, sikurse edhe jeta e aktivistit që u shua, në moshën 39 vjeçare, nga plumbat në vitin 1968. Në fakt, ai i dha historisë amerikane një drejtim të ri. Martin Luter Kingu edhe sot e kësaj dite vazhdon të frymëzojë njerëzit anembanë botës. /KDP

Të fundit