E shtunë, 27 Korrik, 2024

Tradita para Trumpit – dhe një fjalë që duket se shqipja e ka marrë nga alpet e Zvicrës…

Një ese i shkurtër nga malet e Davosit.

Shkruan: Enver Robelli

Para se presidenti Donald Trump të marrë fjalën në Davos, organizatorët zviceranë nxorën në skenë një kor, i cili këndoi këngën: «Le Ranz des Vaches», vallja e lopëve, një himn jozyrtar i Zvicrës franceze. Kjo është një këngë e lashtë çobanësh, të cilët këndojnë: «Lyoba por aria!» – ejani lopë për t’u mjelur. Në dialektet alpine alemane dhe romane lopës i thuhet «lobe». Dijetarët e gjuhës supozojnë se fjala ka prejardhje pararomane. Me gjasë, kodër pas kodre, fjala «lyoba» ose «lobe» ka arritur edhe në trevat shqiptare dhe është bërë «lopë».

Nga «Le Ranz des Vaches», vallja e lopëve, buron nocioni i mallit për atdhe. Kjo këngë është kënduar sidomos nga zviceranët që lartësojnë atdheun dhe vuajnë nga malli për vendlindje. Gjatë historisë së tyre të hershme zviceranët kanë qenë tepër të varfër dhe shumë prej tyre janë vënë në shërbim të ushtrive të huaja si mercenarë ose kanë ikur nga atdheu për të kërkuar një jetë më të mirë.

Në shekullin e 17-të mjeku Johannes Hofer e ka shpallur mallin për atdhe (Heimweh) si «sëmundje zvicerane» («Schweizerkrankheit»). Melodinë e «Le Ranz des Vaches» e kanë marrë dhe përpunuar edhe kompozitorët si Franz Liszt, Gioachino Rossini, Hector Berlioz. Për «Le Ranz des Vaches» ka shkruar edhe Jean-Jacques Rousseau. Në ushtrinë franceze mercenarët zviceranët e kishin rreptësisht të ndaluar të këndonin këngën «Le Ranz des Vaches», sepse ajo ngjallte mall për atdhe te ushtarët dhe ata dezertonin. Nëse në beteja ndokush e këndonte «Le Ranz des Vaches», atij i kërcënohej dënimi me vdekje.

Meqë zviceranët kanë traditë si mercenarë, Vatikani që në Mesjetë (1506) themeloi Gardën Zvicerane (Pontificia Cohors Helvetica), e cila është përgjegjëse për sigurinë e Papës dhe të objekteve përkatëse në Vatikan. Njëri nga komandantët e Gardës Zvicerane ka qenë shqiptari Konstantin Araniti.

Të fundit