Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.
Dekretin ai e dërgoi në Kuvendin e Kosovës.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/3385568951513440
Këtë vendim, presidenti Thaçi e mori pasi Vetëvendosje i dërgoi atij përmes një letre, propozimin që Albin Kurti të mandatohet për kryeministër.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, më herët gjatë ditës, përmes një video-mesazhi tha se ende nuk ka një marrëveshje për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë asnjëra palë nuk ka pranuar ofertat e fundit për bashkëqeverisje.
Megjithatë, Kurti tha se Vetëvendosje dëshiron që të takohet me LDK-në deri në arritjen e një marrëveshjeje.
“Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së, por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme, me synim gjetjen e alternativave tjera që do të ishin të pranueshme për të dyja palët. Unë besoj se ne nuk mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, tha Kurti.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka vullnet për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka shtuar se këto dy javë duhet të shfrytëzohen për marrëveshje e jo që këto parti t’ia lënë fajin njëra – tjetrës.
“Qëndrimin LDK-së është thënë qartë është thënë qartë gjatë ditëve që shkuan. Është konfirmuar dhe nga ne që jemi pjesë e organeve të LDK-së dhe nga vetë kryetari që LDK-ja ka vullnet që të arrihet një marrëveshje me Vetëvendosjen. Tanimë që zyrtarisht e kemi mandatimin e kandidatit për kryeministër dhe koha është e përcaktuar me Kushtetutë të vendit, ajo për të cilën bëj thirrje unë, është që dy javët e ardhshme të shfrytëzohen maksimalisht për arritjen e marrëveshjes, e jo për fajësime ndaj njëra-tjetrës”, thotë ajo.
Osmani tha se marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet të qartë nga të dyja palët dhe vetëm nëse ka gatishmëri për të arritur te një kompromis, që të dyja palët të shihen se po hyjnë vullnetshëm në një koalicion qeverisës.
Nënkryetarja e LDK-së po ashtu foli edhe për video-mesazhet e tashmë mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, që tha se nuk është qasje e mirë për të arritur deri te një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbledhje së Kryesisë së Kuvendi, tha se kanë kaluar me shumë se 106 ditë kur janë mbajtur zgjedhjet dhe kur është bërë certifikimi i rezultati të zgjedhjeve dhe Kosova ende nuk ka institucionet e konsoliduar, e as kuvend funksionale.
Ai ka bërë thirrje që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja.
“Albin Kurti si mandatar duhet ta dijë se jeta institucionale nuk është video-lojë dhe lojërat me video nuk i kryejnë punët të cilat i presin qytetarët e Kosovës. Kanë mbetur 15 ditë, sipas Kushtetutës nga marrja e mandatit që duhet të ndodhë sot dhe ne duhet t’ia rikujtojmë që nuk është vetëm përgjegjësi e mandatarit të marrë një letër, por është përgjegjësi që të krijohen institucionet. Barra e përgjegjësisë për këtë bllokadë i bie atij”, tha Krasniqi, duke iu referuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, i cili u mandatua për kryeministër.
Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti Thaçi mandaton Kurtin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.
Gjatë javës së kaluar, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë publikuar ofertat e tyre. Të dy partitë, u deklaruan se nuk mund të lëvizin nga ofertat që i kishin prezantuar me shkrim, ndonëse gjithashtu shprehën vullnetin që negociatat të vazhdojnë.
Në ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhej se kjo parti politike duhet të ketë si pjesë të marrëveshjes pozitën e kryetarit të kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit. Pastaj kryetari i kuvendit do t’i kalonte Lëvizjes Vetëvendosje, sipas këtij propozimi. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (Vetëvendosje e ka kryeministrin, LDK-ja kryetarin e kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, Vetëvendosje mban dy pozita të larta shtetërore (kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas Kushtetutës). Gjithashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar që numri i ministrive të mbetet 12 dhe struktura e tyre të mbetet siç janë pajtuar më herët , me disa përjashtime.
I shpejtë ishte edhe reagimi i Vetëvendosjes, e cila me shkrim iu përgjigj LDK-së, duke i bërë thirrje që të heq dorë nga largimi i Glauk Konjufcës nga kreu i Kuvendit, në mënyrë që negociatat për qeverinë të vazhdojnë.
Negociata ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk kanë rifilluar ende dhe mbetet të pritet nëse do të ketë ndonjë nismë për vazhdimin e tyre.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Në mungesë të formimit të qeverisë së re, Kosova ende qeveriset nga qeveria në detyrë e cila ka kufizime në marrjen e vendimeve. Çështja më urgjente, aktualisht, po konsiderohet ajo e miratimit të buxhetit, pasi që nga muaji prill, nëse nuk miratohet buxheti, autoritetet aktuale qeverisëse kanë paralajmëruar mundësinë e krizës buxhetore.