E premte, 26 Korrik, 2024

Gjuriq: Serbia synon rivendosjen e linjës ajrore me Kosovën

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se pret që të hënën në Berlin të nënshkruhet një letër për synimet e Ministrisë serbe të Ekonomisë dhe kompanisë së fluturimeve Lufthansa, për vendosjen e një linje ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Gjuriq tha se kjo linjë mund të jetësohet pas heqjes së taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Nënshkrimi i letrës së synimeve, tha Gjuriq, do të ishte hapi i parë simbolik drejt rivendosjes së linjës ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës, pas 20 vjetësh.

“Përveç 12 autobusëve që rregullisht lidhin Beogradin dhe Prishtinën, ne gjithashtu mund të kemi edhe një linjë ajrore në të ardhmen”, tha Gjuriq.

Sipas tij, zyrtarët në Beograd do të njoftojnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, dhe atë të NATO-s, KFOR, në lidhje me këto synime.

Këto organe, shtoi Gjuriq, janë përgjegjëse për kontrollimin dhe koordinimin “e hapësirës ajrore të Serbisë në Kosovë”.

Të fundit