E hënë, 7 Tetor, 2024

Bashkimi Europian shkurton donacionet për Turqinë për 75 për qind

Në vitin 2020 BE planifikon t’i dhurojë Turqisë vetëm 168 milionë euro ndihma para anëtarësimit. Shkak për këtë reduktim janë konflikti për gazin në Mesdhe dhe ofensiva e Ankarasë në Siri.

Sipas një raporti BE e ka ndërmend të shkurtojë donacionet për Turqinë në mënyrë drastike. Kjo mund të lexohet në një letër që kryediplomati i BE-së Josep Borell ia ka dërguar Parlamentit Europian, njoftojnë mediat gjermane. Sipas letrës në vitin 2020 pritet të shkurtohen 75 për qind e donacioneve të parapara fillimisht.

Si shkak për këtë shkurtim Borell përmend konfliktin lidhur me kërkimet turke të gazit në Mesdhe dhe ofensivën ushtarake të Ankarasë në Siri. Shpimet që Turqia po bën para bregdetit të Qipros, vend anëtar i BE-së, janë të paligjshme, sipas Brukselit. Anijet turke po lëvizin para bregdetit qipriot nga viti 2019. Para dy ditësh presidenti turk Rexhep Taip Erdoan njoftoi se gjatë këtij viti do të kërkojë gaz edhe në një zonë për të cilën do të merret vesh me Libinë. Shkurtimi i mjeteve ka të bëjë edhe me ndërhyrjen ushtarake turke në Sirinë veriore.

Në tetor 2018 Parlamenti Europian kishte anuluar 70 milionë euro donacione për Turqinë. Si arsye u përmend regresi në përparimin demokratik. Borell përkujtoi se BE edhe në vitin 2017 kishte bllokuar 1,2 miliardë euro ndihma për Turqinë./dialogplus

Të fundit