Kjo metodologji nuk është refuzuar as nga Shkupi e as nga Tirana. Së këndejmi Samiti i Zagrebit mund të jetë i një rëndësie historike për Ballkanin me atë që BE-ja do të përmbushë premtimin e saj ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke caktuar datën e shumëpritur të çeljes së bisedimeve anëtarësuese.
Autor: Xhelal Neziri
E anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2013, Kroacia nga 1 janari i këtij viti ka marrë për herë të parë kryesimin me Këshillin Evropian. Ky vend i Ballkanit kishte aplikuar për anëtarësim në vitin 2003, kurse një vit më pas kishte marrë statusin e vendit kandidat. Në vitin 2005, kur Maqedonia e Veriut mori po ashtu statusin e vendit kandidat, Kroacia filloi negociatat e anëtarësimit që zgjatën plot 8 vite.
Maqedonia e Veriut nuk arriti të lëvizë më tej në procesin integrues shkaku i politikës anti-greke që promovonte VMRO-DPMNE-ja e ardhur në pushtet në vitin 2006, kur si kryeministër u zgjodh Nikolla Gruevski. Riemërimet e rrugëve dhe institucioneve, antikvizimi dhe ndërhyrja në identitetin etnik maqedonas për ta përvetësuar historinë antike si dhe nxitja e urrejtjes kundër Greqisë kishin sjellë rritje të mbështetjes në elektorat për Gruevskin, por edhe veton greke për integrimet jo vetëm në BE por edhe në NATO. Në Samitin e NATO-s në Bukuresht, të organizuar në vitin 2008, Greqia për herë të parë përdori të drejtën për të bllokuar anëtarësimin e Shkupit në Aleancën Veri-Atlantike, duke lënë që në këtë samit anëtare të reja të bëhen vetëm Shqipëria dhe Kroacia.
Shkaku i vlerave të ngjashme që ndajnë NATO dhe BE, vendet së pari anëtarësohen në Aleancë e pastaj në Union. Kroacia në vitin 2008 kishte tre vite që kishte filluar negociatat dhe pas pesë vite anëtare e Aleancës e realizoi edhe qëllimin e dytë strategjik – një ulëse në BE. Kjo, megjithatë nuk ndodhi me Shqipërinë, e cila aplikoi për anëtarësim në Union në vitin 2009, kurse vetëm pas pesë viteve – në 2014-ën – do të fitojë statusin e vendit kandidat. Derisa Maqedonia e Veriut kishte pengesë të madhe çështjet e hapura me Greqinë – emrin e shtetit – dhe me Bullgarinë – historinë dhe gjuhën, Shqipëria kishte probleme me krimin e organizuar, korrupsionin dhe me mungesën e kulturës së konsensusit dhe kompromisit për çështjet me interes më të lartë shtetëror.
Kryesimin me BE-në Kroacia e mori nga Finlanda, e cila mandatin gjashtëmujor për drejtimin e politikave evropiane e shfrytëzoi për të rimëkëmbur vlerat evropiane – lirinë e mediave dhe pavarësinë e gjyqësorit – probleme që filluan të paraqiten në disa vende anëtare të Evropës Qendrore. Pas gjashtë muajsh presidencën duhet t’ia dorëzojë Gjermanisë, një vend i cili në vitin 2014, vetëm një vit pasi Kroacia u anëtarësua në Union, filloi të ashtuquajturin Proces i Berlinit, i cili parasheh përshpejtimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
E në periudhën e ardhshme gjashtëmujore anëtari më ri i BE-së do të duhet të merret me tre probleme serioze të Unionit: daljen e Britanisë, miratimi i buxhetit afatgjatë 2021-2027 dhe zhbllokimin e procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas fitores bindëse të Partisë Konservatore të Boris Johnson, e cila angazhohet fuqishëm për Brexit, dalja e Britanisë tani më duket çështje kohe. Kjo gjithsesi se do të shkaktojë dridhje brenda BE-së që mund të ngadalësojnë zhvillimin ekonomik dhe zgjerimin me vende të reja, pasi do të lë një boshllëk prej 13 miliardë eurosh në arkat e BE-së. Miratimi i Buxhetit Afatgjatë po ashtu pritet të shkaktojë debate dhe ndasi të mëdha brenda Unionit shkaku i interesave shpesh skajshmërish të kundërta të vendeve anëtare kryesore të BE-së. Anëtarët nuk janë përplasur vetëm për shpenzimet dhe shpërndarjen e buxhetit, por edhe për krijimin e një kushtëzimi të ri për fondet e BE-së që lidhen me respektimin e parimeve të sundimit të ligjit. Sa i përket problemit të tretë, nga Kroacia pritet të ketë një angazhim më të shtuar me qëllim që të sanohen pasojat e vetos së pamerituar franceze ndaj Shkupit dhe Tiranës, e cila u përdor nga presidenti francez Emmanuel Macron në Samitin e Këshillit Evropian në tetor të vitit të kaluar. Kjo veto shkaktoi ndërprerjen e mandatit që qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev, e cila nënshkroi marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë që përmbajnë kompromise të rënda, dhe ngadalësoi reformat e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Njëkohësisht, Franca demotivoi edhe qeveritë në Prishtinë dhe Beograd që të ndjekin rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe kështu të zgjidhin çështjen e madhe historike midis këtyre dy shteteve – pajtimin dhe njohjen e ndërsjellë.
Deri në Samitin e BE-së në Zagreb, i caktuar për në maj të këtij viti, Këshilli Evropian sërish duhet të mblidhet dhe të miratojë metodologjinë e re të procesit të negocimit me vendet aspirantë, e cila u përdor si alibi nga Franca për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ditëve të fundit paralajmëroi se kjo metodologji së shpejti do të jetë e njohur për opinionin publik dhe e njëjta do të diskutohet me vendet aspirantë nga Ballkani Perëndimor. Ajo që pritet të përmbajë, midis tjerash, është edhe mundësia që procesi i negocimit të jetë i kthyeshëm, që nënkupton të hapen sërish kapitujt e mbyllur nëse cenohen vlerat e sferës që përmban i njëjti. Përveç kësaj, Franca ka propozuar që kapitujt të mos jenë si deri më tani 35, por të grupohen në numër më të vogël, ndërkohë që integrimi të jetë gradual dhe i përcjellë me fonde konkrete.
Kjo metodologji nuk është refuzuar as nga Shkupi e as nga Tirana. Së këndejmi Samiti i Zagrebit mund të jetë i një rëndësie historike për Ballkanin me atë që BE-ja do të përmbushë premtimin e saj ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke caktuar datën e shumëpritur të çeljes së bisedimeve anëtarësuese. Një vendim i tillë do të reflektonte pozitivisht edhe në Beograd dhe Prishtinë që të përkushtohen seriozisht në arritjen e një marrëveshjeje historike që do të paqësonte përfundimisht Ballkanin. Kroacia ka gjasa të jetë kryesuesi që do të sjellë lajme të mira për vendet kandidate. Si anëtare e fundit, e di mirë ndjenjën e pritjes para dyerve të Brukselit. E për këtë Shkupi e Tirana duhet të dëshmojnë pjekurinë e pritur – të miratojnë reformat urgjente dhe të zbatojnë zgjedhje demokratike. /KDP