E premte, 26 Korrik, 2024

Kur do flasim? 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Në ndërkohë që numërimi mbrapsht për zgjedhjet e 12 Prillit ka filluar, retorika politike vazhdon e ashpërsohet. Në diskursin publik veç më janë hedhur edhe epitet e para të ofendimeve personale dhe kolektive. Siç duket edhe kësaj radhe do të mbesim peng i imagjinatës së shthurur që merr jetë në podrumet e errëta e të lagështa të shtabeve partiake. 

Si edhe në të kaluarën të gjithë ne me vetëdije a pa të biem në grackën të cilën na e imponojnë me mjeshtëri ata të cilët kërkojnë besimin për të menaxhuar me jetët tona përmes institucioneve publike. Një debat sipërfaqësorë, i cekët intelektualisht, me shumë flluska konspirative dhe gjithsesi i veshur me petkun e ‘’çështjes kombëtare’’.  Flitet për gjithçka, madje nuk është çudi debati të arrij deri te temat mbi gjenezën e njerëzimit sipas librave të shenjtë, por problemet reale do të vazhdojnë të injorohen nga bartësit aktual të diskursit publik. Një ushtri e tërë e militantëve partiak i bëjnë jehonë mendimit në grup dhe lavdeve për veten, e natyrisht duke u fshehur pas profileve të rrejshme shajnë kundërshtarin, atë të mallkuarin. Kur do flasim për problemet reale?! 

Kur do të flasim për decentralizimin, pjesën më thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit – proces i mbetur në gjysmë? Kur do flasim për zhvillimin e barabartë regjional, për mosrespektimin e ligjit qysh nga viti 2008 për ndarjen e 1% të PBB për këtë qëllim? Kur do flasim për rritjen e kapaciteteve të kompanive private për shfrytëzimin e subvencioneve shtetërore? Kur do flasim për kushtet mesjetare në spitalet publike? Kur do flasim për partizimin e skajshëm të arsimit? Kur do të flasim për realizimin e investimeve kapitale? Kur do të flasim?

Kur do të fillojmë të flasim për ide inovative? Për numrin e vendeve të punës që mund të gjenerohen përmes sektorit të gjelbër? Për hapjen e qendrave për inovacion, biznes inkubatorëve, parqeve teknologjike? Kur do flasim për  ‘’qytetet e mençura’’? Kur do flasim për shfrytëzimin e kapitalit financiar dhe njerëzor të diasporës? 

Kur do flasim për stimulimin e bujqësisë dhe mbjelljen e tokës së lënë shkret, për kooperativat dhe qendrat e grumbullimit? Për infrastrukturën në mbështetjen e bujqësisë, investimet në modernizimin e saj? Kur do flasim për luftën me konkurrencën e pandershme, fiskalizimin e plotë të bizneseve, ekonominë gri? Për mbështetjen konkrete të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme? Për rritjen e kapaciteteve të tyre menaxhuese, vizibilitetin dhe hapjen në tregjet e huaja? Kur do flasim për turizmin?

Kur do të flasim për avancimin e pozitës së grave, për buxhetin sensitiv gjinor? Kur do flasim për përfshirjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, për buxhetin participativ? Për transparencën, llogaridhënien dhe masat për luftën kundër korrupsionit? Kur do flasim për funksionalizimin e këshillave rinore, unioneve të shkollave të mesme, qendrave rinore, leximoret e bibliotekat? 

Kur do flasim për strategjitë e hartuara dhe të harruara në sirtaret e byrove burokratike? Kur do të flasim për premtimet e dhëna dhe programet e kaluara parazgjedhore?

Kur do flasim? 

Të fundit