E shtunë, 12 Tetor, 2024

Të godasësh me molotov për t’u kthyer aty ku ishe

Dokumenti i miratuar sot mes përfaqësuesve të parlamentit dhe opozitës që qëndron jashtë tij, në pamje të parë, duket sikur përbën një sukses për PD dhe aleatët e saj. Ata kanë arritur t’a delegjitimojnë kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 2017, duke e shndërruar atë, nga një organ ligjëvënës, në një noter që vulos vendimet që do të merren jashtë tij. Ata i kanë zhvlerësuar asaj salle, që i ngjan më shumë një teatri kllounësh, të drejtën për të ngritur një komision sovran për reformën zgjedhore (dokumenti poshte, paragrafi 3) dhe për më tepër, i kanë privuar ata deputetë qesharakë nga e drejta për të votuar lirisht sipas bindjeve të tyre për kodin e ri zgjedhor (poshte pika e parafundit).

Pra, thënë në mënyrë të vulgarizuar, të gjithë ata mbi 120 burra dhe gra, që e quajnë veten të zgjedhur të popullit, nuk vlejnë së bashku sa vetoja e Petrit Vasilit dhe Oerd Bylykbashit.

Në këtë kuptim formal, kjo mund të quhet një fitore e madhe e opozitës për të përdhosur atë tempull të krimit, që e braktisi me vendosmëri një vit më parë.

Për nga pesha dhe sfida, ajo i zbeh edhe tradhëtitë ndaj qëndrimeve të mëparshme, si ato për të mos pranuar uljen në tryezë me Damian Gjiknurin apo Rudina Hajdarin.

Për nga simbolika, ajo e ka detyruar edhe Ramën dhe të tijtë të pranojnë se mbajnë me serume një parlament në koma, që nuk vlen më për asgjë.

Por, po të zbresim në rafshin konkret dhe të analizojmë se ç’ka fituar realisht opozita, llogaria rezulton të jetë pak më ndryshe.

Sepse as PD-ja as aleatët e saj nuk kanë marrë asnjë gjë që nuk e kishin para mesit të shkurtit 2018, kur vendosën të digjnin mandatet. Pra nëse nuk do të ndërmerrte rugën radikale, që e çoi më pas edhe në bojkotimin e zgjedhjeve të qershorit, opozita do të kishte vendin e luanit për reformën zgjedhore, ajo në asnjë mënyrë nuk mund të miratohej pa të dhe Oerdi dhe Vasili do të uleshin krejt natyrshëm përballë Damianit.

Pra thënë shkurt, sot PD dhe LSI fituan me shumë mund atë që e dorëzuan me moskokçarje një vit më parë. Ata ikën, luftuan, protestuan dhe u kthyen në pikën që ishin.

Prandaj kur sheh këtë trajektore natyrshëm të lind pyetja? A i vlente kjo skarificë për kaq gjë? A ia vlenin molotovët, gazi lotësjellës, thirrjet se nuk ka zgjedhje me Ramën, humbja e qyteteve të mëdha, lënia e qindra njerëzve pa punë, vetëm për ti bërë disa retushime një sistemi që mbetet gjithësesi i kalbur?

Ku mbetën përbetimet për republikën e re, ato për përmbysjen e rregullave të lojës, zotimet për t’i dhënë më shumë peshë votës së qytetarëve, qoftë për zgjedhjet e përgjithshme, qoftë për ato lokale, qoftë për presidentin nga populli apo për rivitalizimin e referendumeve?

Natyrisht, duke ngritur këto pyetje nuk nënkuptohet automatikisht që opozita duhet të vazhdojë të qëndrojë në rrugë dhe mos i thotë “PO” asnjë marëveshjeje. Të gjithë janë të bindur se një ditë ajo ishte e dënuar që të bëhej pjesë e një zgjidhjeje.

Por, të pranosh që pas të gjithë atyre sakrificave të qytetarëve të thjeshtë dhe romantizmit inspirues të liderëve, të ulesh në tryezë për një pazar kaq të vogël, duket qesharake.

Sado e thellë qoftë, reforma zgjedhore mbetet, në fund të fundit, një arrnim i thjeshtë. Dhe po të mendosh se Rama ishte i detyruar t’a miratonte atë, si pasojë e presionit ndërkombëtar dhe kërkesave të Bundestagut, ajo as nuk duhet të zinte vend midis kushteve për negociata të opozitës.

I gjithë kalvari një vjeçar do i’a kishte vlejtur po të përfundonte me një rishikim total të kushtetutës së ndryshuar në 2008, me një transformim të sistemit zgjedhor pa kryetarë partish të gjithëpushtetshëm, me deputetë që ligjërisht janë më të fortë dhe më të pavaruar, me një president më përfaqësues të vullnetit të përgjithshëm të shqiptarëve.

Por, shitja kaq lirë, – thjeshtë më uljen në tryezën e reformës zgjedhore- e kauzës radikale dymbëdhjetë mujore, i ngjan më shumë një pendese të vonuar për angazhimin në këtë rrugë. Ajo lexohet si një epsh i pakontrolluar për t’u ribërë pjesë e sistemit.

Pikërisht këtë duket sikur konfirmon edhe nxitimi për të përfunduar, deri në mars, kuadrin ligjor, që do të lejojë më pas zgjedhje të parakohëshme.

Ato zgjedhje, që me sa duket Basha mezi i ka pritur, sepse, si të gjithë, e di, që edhe po nuk i siguruan dot vendin e parë, të dytin e ka përherë të garantuar.

Ndoshta, ata që pretendojnë më shumë e kanë gabim.  Kaq është kuti i tij. Ndoshta, po kaq është dhe ambicja e kësaj opozite, e cila me gjasë e ka kuptuar, se lufta me bomba molotov ndaj regjimit ishte një shaka e nxituar që nuk e përballonte dot.

Të fundit