E diel, 19 Maj, 2024

MILORAD DODIK: NË TIRANË KA QENDËR PËR PENGIMIN E NDIKIMIT RUS NË BALLKAN

Lideri nacionalist i serbëve të Republika Serpskës dhe anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, ka deklaruar se në Tiranë, Podgoricë e Sarajevë ekzistojnë qendra për pengimin e ndikimit tus në Ballkan. Ai, në një intervistë për televizionin e Beogradit,  ka përmendur se për këtë qëllim Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë veçuar miliona dollarë.

I prezantuar si ithtar i bashkimit të Republika Serpskës që llogaritet si pjesë e Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, ka deklaruar se nuk e njeh këtë shtet anëtar i Presidencës kolketive të së cilësh është edhe vet:

‘Nuk e njoh këtë këtë Bosnjë e Hercegovinë të krijuar me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të përfaqësuesve të lartë të saj,’ – ka deklaruar Dodik për Televizionin e Serbisë, duke iu kundërvënë kritikave ndërkombëtare për shënimin e nëntë janarit si ditë të Republika Serpskës, një veprim ky kundërkushtetues, për shkak se ky entitet nuk i gëzon atributet e shtetit.

Dodik ka riafirmuar kundërshtimin e aderimit të Bosnjë e Hercegovinës në Aleancën ushtarake të NATO-s dhe angazhimin për neutralitet ushtarak. Sipas tij, faktorë ndërkombëtarë po punojnë për pengimin e influences ruse në Ballkan përmes qendrave të ngritura në Sarajevë, Podgoricë dhe Tiranë, që në fakt synojnë destabilizimin jo vetëm të Republika Serpskës, por edhe më gjerë.

‘ Është formuar Qendra për pengimin e të ashtuquaturit ndikim malinj rus në Srajevë, Podgoricë dhe natyrisht në Tiranë. Këto janë tri qendra në Ballkan. Këtu në Beograd me siguri vepron ndonjë e fshehtë që ende nuk mund të dekonspirohet, por natyrisht ne e dijmë. Në Banja Lullukë, po ashtu ekzistojnë ato qendra të ndryshme. Kur vijnë ata ambasadorët e tyre, ai britaniku takohet me opozitën ose sektorin joqeveritar e nuk takohet me organet e pushtetit,’ – deklaroi Milorad Dodik  duke përmendur se si qeveria britanike jep gjashtë milion paund për veprime të organizuara për pengimin e ndikimit rus në Ballkan, ndërsa Qeveria amerikane ka dhënë, nëpërmjet USAID-it dhe organizatave të tjera më se 20 milion dollarë.

Këto qendra, tha lideri nacionalist i serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, vazhdimisht punojnë kundër Republika Serpskës dhe Serbisë.

Të fundit