Bashkimi Evropian tha të mërkurën se mizoritë e kryera në Reçak, në janar të vitit 1999, “janë të dokumentuara mirë”.
Deklarata vjen në ditën kur po shënohet 21-vjetori i masakrës së Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 shqiptarë të Kosovës.
“Mohimi dhe rishikimi (i masakrës) janë në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha një zëdhënës i BE-së përmes një deklarete të shkruar.
Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se krimi në Reçak “ka qenë i trilluar”.
Bashkimi Evropian tha se të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit duhet të punojnë për të vlerësuar me ndershmëri dhe vërtetësi të kaluarën, për hir të respektimit të viktimave.
“U takon gjykatave të përcaktojnë nëse deklaratat e caktuara përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional dhe të gjitha elementet e rastit duhet të merren parasysh”, tha zëdhënësi i BE-së, duke shtuar se rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.
Të martën, edhe ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara – që ndryshe njihen si vendet e Quint-it – e kujtuan masakrën e Reçakut përmes një deklarate të përbashkët.
Ata thanë se kjo masakër përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofe humanitare në Kosovë.