E shtunë, 18 Maj, 2024

ZIGZAG: RRAHAGJOKSAT

Është koha e Atyre: Të flasin nisesos me patos, për t’na e ringjallur Skënderbenë, Mic Sokolin, Isë Boletinin apo edhe Mehmet Shehun! Janë teknefes, s’janë të çiftit të tyre, janë me bateri dhe e bëjnë vetëm për ditën e mejdanit! – më thotë një mik imi, teksa llafosim për zgjedhjet që po na vijnë. I gjegjem si me sekëlldi se duhet bërë dallimi, se nuk mund të futen të gjithë në një thes, ndërsa ai, pa fshehur shpotinë, më sulet me një breshëri tjetër: Ore ti, lutju Zotit të mos na rikthehet ajo rrufa e nëntëdhjetave apo kjo që ka pllakosur kiblen tonë kombëtare – Prishtinën e Tiranën!

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1. Nuk e di se kush e pati thënë, i pari, se nëse dëshiron të mos zgjidhet një problem, krijo një komision (parlamentar)! Në jetën e parlamentarizmit shumëpartiak tek ne, ka pasur të bëma e të bëma, telashe e probleme të mprehta që sot e kësaj dite nuk janë zbardhur, aniqë atëbotë kur shpërthyen, që prej rrumbullak tridhjetë vjetësh e këtej, u ngritën komisione e komisione. Në çelje të fushatës për zgjedhjet e 12 prill, dy miqtë e mi, Ibrahim Mehmeti e Petar Arsovski, të hënën që lamë pas, duke komentuar përplasjet më të fundit në ‘Qeverinë teknike’ që na e polli e ashtuquajtura Marrëveshje e Përzhinës, si rezultat i megaskandalit të përgjimeve, e që do duhet t’i mirorganizojë zgjedhjet, thanë se fërkimet ndërqeveritare sikur ia nxjerrin bojën kësaj shpikjeje, ndaj duhet riparë formulën që qeveri të tilla të kemi njëqind ditë para se të bëhen zgjedhjet. Në vend të kësaj, shpjegoi Mehmeti, duhet këmbëngulur në vendosjen e shtetit të së drejtës, në respektimin e ligjit! Për shkak se respektimi i ligjit prodhon institucione të shëndosha. Për shkak se për institucionet e këtilla ‘drejtësia selektive’ është e huaj! Në vend se të na sigurojnë gjëra të kapshme edhe për rradaken tonë të thjeshtë, Ata po mundohen të na bindin se kanë miq e aleatë, andej e këtej, se mbase prej tyre e marrin atë ‘spinaqin’ e zellit frymëshkurtër që u jep takat sa për t’i bërë punët përshesh. Ec e më thuaj tani se kot është shpikur ajo formula e mprehtë: ‘Më rrove, të rrova, brisku i berberit’! Ndërkohë nuk reshtin bombardimet për afrim-pajtimet mes kësaj  e asaj partie. Shqyr Zotit, deri tani nuk dëgjova të flitet për Xhenetin, se në të, shkojnë më të mirët, ama pasi të kemi hequr të gjitha gjynafet e kësaj dynjaje!

2.Janus Bugajski është një njohës i shkëlqyer i zhvillimeve në Ballkan. Këto ditë, duke komentuar përplasjet më të fundit në Mal të Zi që morën flakë nga Ligji për liritë fetare atje e nga i cili Kisha Ortodokse Serbe është mbëthyer nga tuta se mund t’i merren pronat, pa tapi, të siguruara pas vitit të largët 1918, Bugajski është shprehur: ‘Ekziston element në politikën serbe, në qeveri dhe jashtë saj, që përçapet të silurojë pavarësinë e Malit të Zi ose anëtarësimin e tij në NATO. Fatkeqësisht, vazhdon të ketë anëtarë të elitës dhe të kishës serbe të cilët besojnë se Mali i Zi i përket Serbisë,’- ka thënë profesori i njohur amerikan për Zërin e Amerikës duke  shprehur mirëkuptim për ligjin e sapo miratuar në mbrojtje të kishës dhe të institucioneve të shtetit malazez.

3.A po i dëgjoni lajmet e fundit nga Prishtina, po edhe Tirana. Të gjitha flasin nisesos me patos, për t’na e ringjallur Skënderbenë, Mic Sokolin, Isë Boletinin apo edhe Mehmet Shehun! Para tetë vjetësh metropoli shqiptar ishte mbuluar nga një pankartë ‘Një komb, një qëndrim’. Sot jemi bërë pikë e pesë. Sikur nuk na solli në mend tërmeti i fundvitit, sikur nuk po vëmë re se cicmicet për ‘një gram pushtet’, he dreqi e marrtë, janë duke na kushtuar shtrenjt, se kombinatorikat, aritmetikat e matematikat, elektorale, po na e zënë frymën karshi gjeopolitikës. Apo, mbase edhe mund ta kem gabim: Na e thëna në të bërë, ka një det të tërë! – pas thënë ai i mençuri. Ne për nga fjalët, nuk mund t’na e kalojë askush. Tjetër është se punët i kemi si kurrkush. Të mos e zgjas: Është koha e Atyre, që ne i strehojmë e i mbajmë gjallë. Do thuash edhe Ti: Xhanëm, vetëm ata na qenkan fajtorë? Po ne? Mos më thuaj: N’cëk, nuk e di! Rrahagjoksa kemi, yha, sa të duash!/KDP

Të fundit