E hënë, 7 Tetor, 2024

Spasovski: Institucionet të hetojnë çdo sulm ndaj gazetarëve

Kryeministri i qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, Oliver Spasovski ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk duhet të vihet në pikëpyetje siguria e gazetarëve, teksa ka dënuar çfarëdo dhune dhe sulmi ndaj punonjësve të mediave.

Këto deklarata Spasovski i bëri pas sulmeve verbale dhe kërcënimeve në mediat online që u janë bërë tre gazetareve, Maja Jovanovska, Meri Jodranovska dhe Ikra Koroveshovska.

Gazetarja Meri Jordanovska ka publikuar mesazhet kërcënuese që ka marrë, ku ka thënë se Emil Jakovski në vazhdimësi e ka fyer dhe e ka kërcënuar se “do t’i krijojë një nekrolog”.

Emil Jakimovski, që ka punuar në Regjistrin Qendror, pasi e denoncuan gazetaret në polici, është larguar nga puna pasi Regjistri Qendror ka thënë se ai ka shkelur dispozitat e marrëveshjes për marrëdhënie pune, duke shtuar se veprimet e tij i kanë dëmtuar interesat e punëdhënësit.

Kryeministri Spasovski ka theksuar se institucionet janë të obliguara të sanksionojnë dhunën ndaj gazetarëve.

“Të gjithë gazetarët dhe punonjësit e mediave duhet të gëzojnë liri dhe mbrojtje maksimale. Dënojmë çdo dhunë dhe gjuhë të urrejtjes ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Institucionet janë të obliguara që çdo sulm ndaj integritetit ta hetojnë, dëshmojnë dhe ta sanksionojnë. Qëllimi i kësaj qeverie është krijimi i hapësirës mediatike për informim të paanshëm dhe objektiv të qytetarëve sepse vetëm përmes qytetarëve të informuar në mënyrë objektive, mund të ndërmerren veprimet e duhura për të ardhmen e vendit”, deklaroi Spasovski.

Ai njëherësh ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të eliminohet gjuha e urrejtjes në këtë periudhë delikate që ndodhet shteti, para se të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Vendi ndodhet në një periudhë shumë të rëndësishme. Kultura e lartë evropiane është një nga vlerat të cilat i synojmë”, u shpreh kryeministri Spasovski.

Ndërkaq, Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe Shoqata e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, pas kërcënimeve ndaj tri gazetareve, kanë riaktualizuar kërkesën e tyre për ndryshimin e Kodit Penal, ku kërkojnë që sulmet ndaj gazetarëve të trajtohen si sulm ndaj personave zyrtarë.

“Sindikata e gazetarëve të pavarur, që prej vitit 2017 ka hartuar analizë me rekomandime konkrete për ndryshime të ligjit, ndërkaq iniciativa është rihapur në takimin me ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska në tetorin e vitit të kaluar. Edhe pse iniciativa parimisht ishte pranuar dhe mori mbështetje, ndryshimet ende janë në pritje”, thuhet në reagimin e Sindikatës së gazetarëve, ku theksohet se me këto ndryshime “do të lehtësohet procedura dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria do duhet që patjetër, sipas detyrës zyrtare, të përndjekin ata të cilët marrin guximin të sulmojnë, keqtrajtojnë ose kërcënojnë gazetarët”.

Kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski ka thënë se të gjitha institucionet e shtetit kanë përgjegjësi historike për organizimin e zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë caktuar që të mbahen më 12 prill.

 

Të fundit