E premte, 4 Tetor, 2024

LVV nuk propozon mandatarin, pret vazhdimin e negociatave me LDK-në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjë presion në lidhje me caktimin e mandatarit për postin e kryeministrit.

Reagimi i Kurtit vjen katër ditë pasi që Thaçi i dërgoi një letër atij dhe Lëvizjes Vetëvendosje përmes së cilës kërkoi që të caktojnë mandatarin për kryeministrin e ardhshëm.

“Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e qeverisë në kuvend. Ju lusim që të mos bëni vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi.

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10156461468577000

Kurti ka theksuar se LVV dhe LDK janë në fazën e finalizimit të marrëveshjes.

Lëvizjes Vetëvendosje i mbetet të ndërmarrë nismën e radhës për takimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës në kuadër të negociatave për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Një gjë të tillë e thonë zyrtarët e LDK-së, sipas të cilëve, është në duart e Vetëvendosjes të thërrasin takimin për vazhdimin e negociatave.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se në vazhdimësi janë duke ofruar propozime për të ardhur deri te zgjidhja.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, tha për Radion Evropa e Lirë se presin që sa më parë të arrihet një marrëveshje për kolacionin qeverisës me LDK-në.

“Unë besoj që LVV do të ndërmarrë të gjitha veprimet që i ka në dispozicion në mënyrë që sa më parë të kemi një zgjidhje. Vazhdimisht kemi dhënë propozime të ndryshme për LDK-në dhe shpresoj të arrihet sa më parë marrëveshja dhe të vazhdohet në funksionalizimin e plotë të institucioneve të vendit.

Në anën tjetër, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës thonë se edhe LDK është e interesuar që sa më shpejt të themelohen institucionet e reja.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në takimin e fundit, LDK ka dhënë ofertën për bashkëqeverisje dhe sipas tij, ‘është në dorën e LVV-së të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja’.

“Takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje. Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”, tha Hoti.

Ai ka shtuar se në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019.

“Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet është e pranueshme për LDK-në dhe siguron stabilitet për Qeverinë për të kryer mandatin e plotë, që është tepër e nevojshme për të kryer reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik e social dhe integrim evropian”, thotë Hoti.

Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, por ende nuk është krijuar qeveria e re. Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Negociatat ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, po shihen si proces në dy faza. Ato para dhe pas konstituimit të Kuvendit. Që nga 26 dhjetori kur është konstituuar Kuvendit dhe kur deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ishte zgjedhur kryetari i këtij institucioni, Lidhja Demokratike ka kërkuar që procesi të rifillonte nga faza e parë, pasi që për këtë subjekt politik, edhe pozita e kryetarit të Kuvendit ishte pjesë e negociatave.

Rikthimi i procesit të negociatave në pikën zero, siç po kërkohet nga LDK-ja, nënkupton negocimin e sërishëm për postin e kryetarit të Kuvendit, çka deri më tani, nga Vetëvendosje nuk është parë si opsion.

Të dy partitë, kishin një pajtim që nga fillimi që pozita e kryeministrit t’i takonte Vetëvendosjes, dhe liderit të saj, Albin Kurti. Kurse si balans, është kërkuar nga LDK-ja që në marrëveshjen eventuale për qeverinë, Vetëvendosje të pajtohet se do ta mbështesë kandidatin e LDK-së për presidentin e ardhshëm të Kosovës, i cili do të zgjidhet nga Kuvendi më 2021.

Bazuar në një video mesazh të Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, përveç postit të kryeministrit preferon t’i ketë edhe një post zëvendëskryeministri, dhe pesë ministri. Kurse për Lidhjen Demokratike, sipas këtij projeksioni të Vetëvendosjes, mbetet posti i zëvendëskryeministrit të parë dhe pesë ministri. Dy ministri, ndërkaq, u janë lënë komuniteteve pakicë.

Një javë më parë është zhvilluar takimi i parë ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por aty nuk është nominuar mandatari për pozitën e kryeministrit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të evituar vonesat rreth formimit të qeverisë së re javën e kaluar i ka kërkuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, emrin e mandatarit për postin e kryeministrit.

Ambasadat e vendeve perëndimore në Kosovë në vazhdimësi kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve të reja.

Njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se vendi rrezikon krizë institucionale në rast se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vonojnë edhe më shumë për të arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Vonesa në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit ka bërë që vendi të hyjë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar.

Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, sipas procedurave ligjore mund të vazhdojë të zbatohet vetëm për tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Në rast se deri në fund të muajit mars nuk kemi një Ligj të ri për ndarje buxhetore të këtij viti, atëherë nënkupton që asnjë organizatë buxhetore nuk mund të bëjë shpenzime dhe nënkupton që institucionet publike nuk mund të kryejnë asnjë funksion.

Të fundit