Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për Radion Evropa e Lirë se negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë bërë intensive, por nuk ka marrëveshje.
“Bisedimet janë bërë intensive këto ditë, janë bërë të dendura si kurrë më parë, ka edhe opsione të reja, ka edhe lëvizje, por nuk ka marrëveshje. Po diskutohet me përgjegjësi të lartë, po negociohet me kujdes, në atmosferë dashamirëse e konstruktive”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Vetëvendosjes, pas takimit të liderit të VV-së, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Kurti dhe Mustafa të enjten e përfunduan takimin pa dhënë detaje për ecurinë e negociatave.
Zyrtarët e VV-së dhe LDK-së nuk kanë njoftuar se kur do të mbahet takimi i radhës.
Bisedimet e së enjtes ishin vlerësuar si të rëndësishme për procesin e negociatave për formimin e qeverisë së re, pasi pas përfundimit të takimit të së mërkurës mes Kurtit dhe Mustafës, të dyja partitë kishin deklaruar se ka pasur “lëvizje” për të arritur pajtueshmëri.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar të hënën me liderin e LVV-së, Albin Kurti, për të diskutuar rreth mandatarit për kryeministër, dhe më pas është bërë e ditur që Thaçi t’i ketë dhënë afat prej 48 orëve Kurtit për të propozuar një emër. Ky afat ka skaduar të mërkurën në orën 15:00.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.
Ky proces zgjedhor është zhvilluar pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, meqë kishte marrë ftesë për dëshmi nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.