Aleatët në vitin 1941 kryen invazion në Iran për të siguruar të ashtuquajturin “korridorin persik” të furnizimit në Luftën e Dytë Botërore. Nga pushteti u rrëzua Reza Shah për shkak të dyshimeve se kishte simpati ndaj gjermanëve. Në pushtet u soll biri i tij Muhamed Reza Pahllavi i cili gjatë katër dekadave të ardhshme do të mbajë marrëdhënie të afërta me SHBA-të.
Përgatiti: Rean Saiti
Kthesa e parë në marrëdhëniet Iran-SHBA ndodhi në vitin 1953. Qeveria e Kryeministrit të atëhershëm iranian Mohamed Musadek kishte filluar procesin e nacionalizimit të Kompanisë iraniane të naftës që deri atëherë kishte qenë pronë e Britanisë së Madhe. Në verën e vitit 1953, CIA realizoi operacionin e koduar ‘Ajaks”, një grushtet ku Musadeki u rrëzua nga pushteti dhe u arrestua. Shahu Muhamed Rezah Pahllavi, i cili kishte braktisur Iranin kthehet në Teheran. Me ndihmë të konsiderueshme financiare nga Uashingtoni do të mbetet në pushtet 30-vitet e ardhshme.
Në këtë periudhë Uashingtoni do të nxiste fillimin e Programit Bërthamor të Iranit duke ia dërguar Teheranit reaktorin e parë bërthamor në vitin 1957. Krahas kësaj do ta ndihmojnë Shahun gjatë krijimit të Policisë personale sekrete – Savak, që kishte shërbyer, mes tjerash, edhe për likuidimin e kundërshtarëve të regjimit dhe mbrojtjen e diktaturës së Shahut.
Pa marrë parasysh akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut, vetëm një vit para Revolucionit Iranian, Presidenti i atëhershëm iranian kishte thurrur elozhe për Shahun: “Irani për shkak të udhëheqjes së Shahut, është një ishull stabiliteti, në një nga rajonet më problematike të botës” – kishte deklaruar Presidenti i atëhershëm amerikan Xhimi Karter.
Revolucioni iranian i gjeti të papërgatitur SHBA-të. Vetëm gjashtë muaj para Revolucionit, CIA në një raport kishte theksuar se Irani nuk është në gjendje Revolucioni e as Pararevolucioni.
Demostruesit në Nëntor të vitit 1977 kishin hyrë në ambasadën amerikane në Teheran. Me këtë filloi kriza e pengjeve. 52 diplomatë amerikanë kishin qenë të mbyllur në ambasadë për 444 ditë.
Vitet e 80-ta të shekullit të kaluar shënuan luftën irako-iraniane. SHBA-të kanë luajtur një rol të rëndësishëm në armatimin e Irakut, por informacionet flasin se CIA i ka dhënë informacione edhe Teheranit me qëllim të vazhdimit të luftës që ishte në përputhje me interesat kombëtare amerikane në Lindjen e Mesme.
Gjatë kulmit të luftës në vitin 1983, në Liban ishin realizuar disa sulme ndaj caqeve ushtarake dhe diplomatike amerikane, ku kishin humbur jetën qindra ushtarë e diplomatë. SHBA-të për këtë akuzuan Hezbollahun si “dorë e zgjatur” e Iranit.
Në vitin 1988, pak para përfundimit të luftës, SHBA-të kryen sulmin më të madh detar pas Luftës së Dytë Botërore. Caqe kishin qenë fushat naftëmbajtëse në Iran. Në të njëjtin vit marina amerikane rrëzoi një avion civil iranian. Humbën jetën 290 civilë, në mesin e të cilëve 66 fëmijë. Uashingtoni shprehu keqardhje, por nuk kërkoi falje.
Tone tjetërfare nga Teherani arritën pas ardhjes së reformisëtve në pushtet. Presidenti Muhamed Hatami bëri thirrje për “dialog të civilizimeve”, por erdhi 11 Shtatori. Hatami dha mesazhin se i kupton ndjenjat e amerikanëve duke shtuar se shtetet nuk duhet të dënohen për veprat e terroristëve. Tre muaj më vonë, Presidenti amerikan Xhorxh Bush, e renditi Iranin në të ashtuquajturin “boshtin e së keqes”.
“Irani në mënyrë agresive kërkon armë bërthamore dhe importon terrorizëm duke ngulfatur shpresën për liri të popullit Iranian” – kishte deklaruar ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush në vitin 2001. Teherani hodhi poshtë këto akuza duke theksuar se Programi bërthamor shfrytëzohet kryesisht për nevojat civile.
Në vitin 2005 në Iran në pushtet do të vijë Mahmud Ahmadinexhad.
“Disa pushtojnë atdheun e të tjerëve, me mijëra kilometra nga kufiri I tyre. Përzihen në punët e brendshme të tyre. Ua kontrollojnë naftën, resurset dhe rrugët strategjike, kurse të tjerët për çdo ditë i bombardojnë në shtëpitë e tyre” – kishte thënë Ahmadinexhad gjatë një fjalimi.
“Ngrohja” e marrëdhënieve vjen pasi Barak Obama bëhet President i SHBA-ve. Për herë të parë pas Revolucionit një President iranian i dërgoi urime homologut të tij amerikan. Në suaza të politikës së tij në Lindjen e Afërt, Obama i drejtohet botës muslimane në Kajro, duke pranuar rolin amerikan në grushtetin e vitit 1953 në Iran.
“Në vend që të jemi peng të së kaluarës, qartë ua dhashë mesazhin udhëheqësve dhe popullit të Iranit se jemi të gatshëm të shkojmë përpara. Tash nuk është çështja se kundër kujt është Irani, por çfarë ardhmërie dëshiron të ndërtojë” – kishte deklaruar Ish-Presidenti Barak Obama.
Me ardhjen në pushtet të Hasan Ruhanit dukej se marrëdhëniet ishin stabilizuar. Në vitin 2015 ishte nënshkruar Marrëveshja Bërthamore e Iranit. Ndërkaq, pas ardhjes në pushtet, Donald Trampi vitin e kaluar braktisi marrëveshjen me insistimin e Izraelit, i cili gjatë gjithë këtyre viteve kishte qenë kundër çfarëdo marrëveshjeje me Teheranin.
Çfarë ka për të sjellë acarimi më i ri i marrëdhënieve Uashington-Teheran, mbetet të shihet.