E enjte, 12 Dhjetor, 2024

“Makiaveli i Lindjes së Mesme”: Sfida (dhe kontaktet e fshehta) me SHBA

“Rommeli” iranian ka gjetur fatin e vet, të cilin e kishte shpallur prej disa kohësh: “Martirizimi është ajo që kërkoj midis luginave, maleve dhe shkretëtirave”.

Qassem Soleimani, gjenerali më karizmatik i Pasdaranit ishte komandanti i brigadës Al Quds, “Jeruzalemi”, shënjestra përfundimtare e Ayatollahëve. Një departament elitar me 15 mijë burra të specializuar në operacione jashtë vendit, të cilët Soleimani i ka përdorur në një mënyrë të paskrupullt, veçanërisht në Irak, Siri, Liban dhe Jemen, për të zgjeruar ndikimin shiit.

Lindur në vitin 1957 në një familje të varfër dhe fshatare të Iranit të thellë dhe fetar, në moshën 22 vjeç ai mori pjesë në revolucionin islamik të Ayatollah Khomeinit dhe menjëherë pas kësaj spikati në frontin e luftës së gjatë dhe të përgjakshme Iran-Irak. Me nofkën “komandanti hije”, për karakterin e tij introvert dhe deklaratat e rralla publike, ai ka udhëhequr brigadën Al Quds për 20 vitet e fundit. I shkurtër në shtat, me mjekër dhe flokë argjendi ai gjithmonë ka shijuar reputacionin e të pathyeshmit dhe të pakorruptueshmit. Udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, ishte i lidhur me gjeneralin jo vetëm nga marrëdhënia hierarkike, por edhe nga një miqësi e sinqertë. Aq shumë sa Ajatollahu i madh zyrtarizoi martesën e vajzës së Soleimanit. E veja, e pandreqshme njësoj si i shoqi, tha dje: «Ti shkove në kërkim të martirizimit, i cili më në fund të hapi krahët. Ky flamur, nuk do të bjerë në tokë, Gjenerali im”.

Amerikanët e kishin identifikuar tashmë atë si një kërcënim gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003, por Soleimani ka filluar të bëhet i njohur për botën në vitet e fundit. Në Liban, ai mbështeti partinë e armatosur shiite Hezbollah. Në Siri, ai shpëtoi regjimin e Bashar Asadit nga kolapsi duke dërguar mijëra vullnetarë për të luftuar kundër rebelëve xhihadistë sunitë. Dhe gjithmonë, Rommeli iranian i bindte rusët të ndërhynin me bombardimet, që kthyen fatin e luftës. Në Irak ai ishte strategu i hakmarrjes kundër Shtetit Islamik, duke vendosur milicitë shiite përkrah ushtrisë. Në Jemen, ai u dha rebelëve shiitë këshilltarë dhe raketa, që më pas u lëshuan kundër Arabisë Saudite.

Armiku numër një i Izraelit, ai vendosi Pasdaranët e tij në anën Siriane përpara Lartësive të Golanit dhe furnizoi me armë palestinezët e Hamasit. Vitin e kaluar, ai deklaroi publikisht: “Unë dua të shfaros entitetin sionist”, ose shtetin hebre. Oficeri i lartë iranian donte shumë të shfaqej në vijën e parë, duke bërë edhe selfie midis ndjekësve. Në Tikrit, vendlindjen e Saddam Huseinit, ai udhëhoqi revoltën kundër Isis, pa e përçmuar mbështetjen ajrore amerikane. Soleimani gjithashtu komandoi operacionet për të rifituar Aleonin, Milanon siriane, gjë që shënoi ndryshimin e ritmit në konflikt. Në vendin e tij u kthye në legjendë, aq sa u hodh edhe hipoteza për kandidaturën e tij si president i Iranit. Nuk kishte mungesë të kontakteve të fshehta me amerikanët dhe mesazhe sfiduese për Presidentin Amerikan Donald Trump: “Ju mund të filloni një luftë, por do të jemi ne që do t’i japim fund”.

Suksesi i tij i madh strategjik është krijimi, falë milicive shiite, i një korridori tokësor që lidh për herë të parë Iranin me Mesdheun nga Iraku, përmes Sirisë dhe Libanit. Për këtë arsye, gazeta britanike Times e futi atë, 24 orë para fundit të tij, në listën e personazheve më me ndikim në botë në vitin 2020, duke e quajtur “Machiavelli i Lindjes së Mesme”. Më 31 dhjetor nënshkrimi i militantëve shiitë, të cilët me llak të kuq shkruajtën në hyrje të ambasadës amerikane në Bagdad e cila ishte shkatërruar nga sulmi, “Soleimani është udhëheqësi ynë”, ishte edhe dënimi i tij me vdekje. / Il Giornale – Bota.al

Të fundit