E shtunë, 12 Tetor, 2024

Sfidat e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë

Marrëdhëniet me vendet fqinje mbeten sfidë për Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2020, teksa vendi po bën përprjekje që të lëvizë drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Maqedonia e Veriut ka nënshkruar marrëveshje me dy shtetet fqinje, Bullgarinë dhe Greqinë, për të përmirësuar raportet dhe për të tejkaluar dallimet. Për këto marrëveshje kanë punuar komisionet në nivel të ekspertëve, të cilët kanë pushuar aktivitetin e tyre gjatë periudhës parazgjedhore.

Lidhur me dy marrëveshjet, komisionet për çështje të arsimit dhe historisë ende nuk kanë tejkaluar dallimet, veçmas kur bëhet fjalë për çështje kontestuese që kanë të bëjnë me historinë.

Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria dhe Parlamenti bullgar miratuan deklaratën, që mbështeste nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por vendosën një sërë kushtesh siç janë: ndryshimi i librave të historisë në një afat të shkurtër kohor, heqja e të gjitha pllakave përkujtimore me mbishkrime “okupatorët fashistë bullgarë” etj.

 

Situata u tensionua në fund të vitit të kaluar, kur Akademia e Shkencave të Bullgarisë deklaroi se “gjuha maqedonase nuk ekziston”.

Dragi Gjorçev, kryetar i ekipit të ekspertëve që punojnë në komisionin për çështje arsimore dhe të historisë, lidhur me marrëveshjen ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, për Radion Evropa e Lirë thotë se në takimet mes grupeve punuese të të dyja shteteve janë arritur rezultate, por sipas tij, pas ndërhyrjes së politikës, u krijuan më shumë tensione në opinion, gjë që sipas tij, ndikoi negativisht edhe në punën e ekspertëve.

“Në tri takimet e fundit, puna e komisionit solli shumë tensione në opinion, në vend se të sillte një frymë më të relaksuar në raport mes këtyre dy shteteve fqinje. Kjo ndodhi për shkak të ndërhyrjes në politikës në këtë çështje”, thotë Gjorçev.

Megjithatë, sipas tij, ka qenë e rëndësishme që historianët e të dyja vendeve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, janë ulur në një tavolinë dhe kanë biseduar për çështje shumë të ndjeshme që kanë të bëjnë me historinë maqedonase dhe atë bullgare.

Ndërkaq, Isak Sherifi, ligjërues në Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tetovës, thotë se tejkalimi i dallimeve historike me fqinjët, është rruga e vetme që e çon Maqedoninë e Veriut drejt BE-së.

“Shpesh, disa historianë bullgarë e kanë kontestuar gjenezën e kombit maqedonas, duke thënë se maqedonasit janë krijuar si komb në vitin 1944-1945. Por, megjithatë klima e mirëfilltë politike mes dy shteteve Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, me një bashkëpunim të ndërsjellë si në aspektin ekonomik ashtu dhe atë politik, mendoj se barrierat historike në vitin 2020 do të tejkalohen me një finalizim të teksteve mësimore shkencore, që të dyja palët mos kenë më ndasi të mëdha, përkatësisht çështje kontestuese sa i përket historisë së këtyre dy popujve”, thotë Sherifi.

Për dallim nga komisioni në nivel ekspertësh me Bullgarinë, grupi i ekspertëve për raportet me Greqinë, ka qenë më pak i zëshëm në opinion.

Kryetari i komisionit për çështje historike, arkeologjike dhe arsimore ndërmjet Shkupit dhe Athinës, Viktor Gaber, thotë se është i kënaqur me punën që komisioni ka realizuar dhe shprehet se gjatë këtij viti, do të përmbyllen shumë çështje.

“Vlerësoj se ne kemi bërë shumë, gjithashtu edhe pala greke është angazhuar që të krijohet një bazë e mirëfilltë që të tejkalojmë çështjet konkrete që kanë të bëjnë me korrigjimin e librave”, thotë Gaber.

Ndryshe, komisioni në nivel ekspertësh me Bullgarinë u formua në bazë të marrëveshjes për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore mes Sofjes dhe Shkupit, të cilën e nënshkruan kryeministrat e të dyja vendeve në vitin 2017.

Përderisa komisioni ne nivel ekspertësh me Greqinë u formua në bazë të Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018, ku përmes kësaj marrëveshjeje Maqedonia ndryshoi emrin në Maqedoni të Veriut.

Të fundit