E premte, 26 Korrik, 2024

Zaev dorëhiqet, Maqedonia e V. me qeveri teknike

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten deri në mesnatë, duhet të zgjedhë qeverinë e re teknike, të cilën në 100 ditët e ardhshme, apo deri në zgjedhjet e parakohshme më 12 prill, do ta drejtojë Oliver Spasovski, ministër i deritashëm i Punëve të Brendshme.

Kryeministri aktual, Zoran Zaev, paraprakisht ka deponuar dorëheqjen në Kuvend, ashtu siç parashihet me Ligjin për qeverinë, i miratuar në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës, që para çdo cikli zgjedhor duhet të ketë qeveri teknike, e cila prioritet kryesore do të ketë organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Sot kam firmosur dorëheqjen në përputhje me marrëveshjen ndërmjet partive dhe në përputhje me Ligjin për punën e qeverisë. Dorëheqja është deponuar në Kuvend dhe shpresoj se zgjedhja e qeverisë teknike do të rrjedhë në mënyrë normale. Shpresoj se do të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike më 12 prill”, ka deklaruar kryeministri në dorëheqje, Zoran Zaev.

Në qeverinë teknike merr pjesë edhe VMRO DPMNE-ja opozitare, e cila do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa do të ketë edhe tri poste të zëvendësministrave.

Sipas Ligjit për qeverinë, ministrat dhe zëvendësministrat do të punojnë sipas parimit të njohur me “firma të lidhura”, që nënkupton se asnjë vendim që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nuk mund të miratohet pa pëlqimin e ministrit dhe të zëvendësministrit.

“Jemi në prag të një sfide të madhe kur do të duhet që në mënyrë bindëse të munden gënjeshtrat, krimi, korrupsioni, turpi, nënçmimi dhe e gjitha ajo që tani tre vjet me radhë janë realitet i skenës sonë politike. Zaevi do të bie dhe së bashku me popullin, do t’i kapërcejmë të gjitha pengesat, të cilat ai dhe disa nga përkrahësit e tij të paktë i kanë vendosur në këtë rrugë”, ka deklaruar lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, para seancës së Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë teknike.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill u vendosën në takimin e liderëve të partive politike, më 20 tetor dhe vlerësohen si vendimtare pasi do të përcaktojnë të qëndrueshmërinë e blloqeve kryesore politike të LSDM-së së Zoran Zaevit dhe VMRO DPMNE-së opozitare të Hristijan Mickovskit.

Zgjedhjet ishin paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev menjëherë pas dështimit për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në samitin e liderëve të BE-së, më 18 tetor të vitit 2019.

Kryeministri Zaev e kishte marrë përgjegjësinë për këtë dështim, edhe pse vendimin e drejtuesve të BE-së, e kishte quajtur “gabim historik”, pasi, sipas tij, Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që është konsideruar si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian.

Të fundit